Siç premtoi një ditë më parë, Jari do fliste sot për programin e qeverisë tranzitore.
Takimi i Lulit me shoqërinë civile të PD dhe gazetarët e PD, e komplikoi situatën, pasi Luli i dekonspiroi gjithë tezat e Jarit për programin e qeverisë.
Por meqë ato u prezantuan me gjuhë teknike dhe të stërgjatur, Jari vendosi t’i thjeshtojë 10 prioritetet e qeverisë për demokratët:
“Të dashur demokratë,
Jari ju sqaron!
E di që shumë prej jush sot prisnin një program të thjeshtë dhe të shpejtë për të rikthyer shpresën.
Kjo jo se nuk ka ndodhur, por meqë Luli e ka zakon që punët e rëndësishme ja lë Bylykbashit, ai e ka stërholluar gjuhën dhe i ka bërë të pakuptueshme mirë mesazhet.
Ndaj më lini t’ua shpjegoj.
Detyra e parë e qeverisë janë “zgjedhjet e lira si themel i stabilitetit të demokracisë”.
Kjo detyrë është kryer, pasi PD i ka hedhur themelet e zgjedhjeve të lira qysh në vitin 1996 dhe në vazhdim, sa herë ka mbajtur zgjedhje.
Biles një standart të lartë ajo ka vendosur dhe në zgjedhjet brenda partisë, ku njerëzit mund të votojnë sa herë të duan.
Detyra e dytë e qeverisë është t’i kthejë zgjedhjet e lira në themel të integrimit.
Edhe kjo detyrë ka pas qenë realizuar nga PD, por me ardhjen në pushtet të socialistëve, integrimi u bllokua nga Hollanda, e cila thotë se pa u kthyer Lul Basha, ne nuk firmosim për negociatat.
Kjo po ashtu mund të quhet një punë e kryer e qeverisë së re tranzitore, boll të formohet.
Detyra e tretë e qeverisë është të ketë vullnet politik për zgjedhje.
Mendoj se dhe kjo detyrë është e realizueshme, pasi PD ka treguar qysh nga 2013, që ka gjithnjë vullnet të marrë pjesë në zgjedhje, por nuk ka kushte dhe nuk ofrojnë ndonjë pazar.
Vullnet pa pazar nuk mund të ketë.
Dhe më 2017 që u dha një pazar, nuk u mbajt.
Rama nuk ja ka kaluar akoma lekët e pallatit Lulit, ndaj dhe ky nuk hyn në zgjedhje.
Detyra e katërt ka të bëjë me reformën zgjedhore.
Ne mendojmë që nuk ka nevojë për reformë zgjedhore, por ndonjë ndryshim ligji të thjeshtë që e bën qeveria pa nevojën e votave të Ramës.
Dhe kjo mund të quhet e realizuar.
Detyra e pestë ka të bëjë me problemet që ndeshëm në zgjedhje. Këto duhen zgjidhur një nga një.
Përfshirja e krimit dhe presioni mbi zgjedhësit, duhet të zgjidhet me një ndarje të drejtë dhe të balancuar të kriminelëve mes palëve. Pa barazi, s’ka drejtësi.
Problemi i gjashtë është shitblerja e votave. Për këtë duhet të krijojmë një komision special të drejtuar nga LSI dhe partia e Shpëtim Idrizit, nën kujdesin e qeverisë tranzitore.
Pas kësaj, nuk ja mban më njeriu të shesë e të blejë vota.
Problemi i shtatë është administrata . Shumë anëtarë të PD, për të mos thënë të gjithë, me djallëzi nuk janë shkarkuar nga puna nga Edi Rama, dhe tani ata janë nën presion që të votojnë PS, dhe jo PD.
Ose ata të hiqen nga puna, ose të hyjmë dhe ne në punë, d.m.th në qeveri tranzitore.
Problemi i tetë është roli i policisë në zgjedhje.
Sa i përket rolit të policisë në zgjedhje, ne mendojmë që nuk duhet të ketë fare polici atë ditë.
Nga përvoja jonë kur ishim në pushtet, sa herë mungonte Mul Noka si minister, nuk ndodhte asnjë krim.
Problemi i nëntë është vota e emigrantëve. Votimi fiktiv i emigrantëve, duhet të zgjidhet duke ndaluar të vijnë me autobusa, por vetëm me vetura.
Kush vjen me autobusa është i paguar dhe e ka shitur votën.
Problemi i dhjetë është çështja e listës së zgjedhësve.
Këtu mendojmë se qeveria tranzitore duhet të bëjë një punë serioze.
Ne duhet të identifikojmë 240 mijë votues që nuk na e kanë dhënë votën më 2017, dhe duhen përjashtuar nga listat si njerëz që kanë tradhtuar partinë.
Pa këtë spastrim të listës, nuk ka zgjedhje.
Këto pra të dashur demokratë janë dhjetë prioritetet politike të qeverisë.
Më tej do ketë dhe pika të tjera të programit ekonomik dhe zhvillimor, por ato do t’ia lëmë kohës.
I juaji, Jari!”