Përralla më e bukur e dekadës në Champions League mori fund, Ajax u eliminua në seondën e fundit ndaj Tottenhamit, pikërisht kur po shijonte finalen e parë në 23 vitet e fundit.
Fundi ishte një dramë në Amsterdam, lojtarët e përlotur dhe të pafuqishëm për t’u ngritur, të vetëdijshëm se ishte një mundësi që ndoshta nuk do t’u vijë më kurrë, për ata që do të qëndrojnë tek Ajax.
Natyrisht, pyetja e madhe tashmë është: kush do të qëndrojë tek Ajax? Që prej ligjit Bosman, në vitet ’90, futbolli ka ndryshuar totalisht dhe klubet milionere mund të blejnë çdo lojtar që dëshirojnë, ndërsa klube si Ajax, që punojnë pa fund me të rinjtë, detyrohen t’i shesin sapo u vjen ofertë serioze, të vetëdijshëm se nuk u japin dot paga stratosferike talenteve të vet.
Ashtu si në 1996, kur nisi eksodi dhe u larguan pak nga pak Edwin van der Sar, Marc Overmars, vëllezërit De Boer, Edgar Davids, Patrick Kluivert e shumë të tjerë, edhe tani shumë talente do të largohen.
Mathijs De Ligt ishte sërish një nga heronjtë e mbrëmjes për Ajax kundër Tottenhamit, sepse shënoi, dha asist dhe luajti një ndeshje të madhe, duke konfirmuar se është një kapiten i denjë në moshën 19-vjeçare. Natyrisht, tashmë ankandi ka nisur dhe ka shumë pak shanse që Ajax të mbajë në ekip lojtarin e vet më të çmuar në këtë moment.
Po aq i çmuar është edhe Frenkie de Jong, por talenti i mesfushës është shitur prej muajsh te Barcelona.
Në verë shumë të tjerë pritet ta pasojnë, duke nisur nga portieri Onana, mesfushori Van der Beek, fantazisti Tadic e deri te sulmuesit Ziyech, Dolberg e Neres. Për këtë arsye, sezoni aktual po mbyllet me një shije të çuditshme për tifozët e Ajax, sepse suksesi do pasurojë arkat e klubit, por do “gjymtojë” skuadrën, shkruan Telesport.
Romanca në futboll ekziston ende, problemi është se edhe ajo shuhet shpejt nga thasët e parave.