Nga "Camp Nou", në Amsterdam: Lucas Moura, superheroi i heshtur i Champions!

9 Maj 2019, 12:02Sport TEMA

Nga “Etihad Stadium” në “Johan Cruiijff Arena”, historia përsëritet. Tottenham kualifikohet në frymën e fundit në Champions League, ashtu si ka qenë thuajse e gjithë ecuria e skuadrës së drejtuar nga Pochetino.

Ashtu sikurse në fazën me grupe, pasi e nisën me humbje në “San Siro” ndaj Interit, edhe më tej, “Spurs” janë dashur të vuajnë, sakrifikojnë, sforcohen dhe gjejnë gjithmonë shkëndijën.

Tmerrësisht të nënvlerësuar – thuajse sa Ajax – skuadra londineze ka treguar se me shpirt gare dhe sidomos besim, gjithçka është e mundur, edhe kur je duke humbur 2-0 në pjesën e parë dhe duhet vetëm të fitosh për të shpresuar te kualifikimi.

Por, le të kthejmë nastron e kasetës mbrapsht: jemi në “Etihad Stadium”, është mbrëmja e 17 prillit dhe ora shënon thuajse 22:55 dhe minutat 90+4’… Aguero merr një top në krah dhe pason për në zemër të zonës, aty ku Sterling kontrollon, shmang mbrojtësit dhe godet duke e dërguar në rrjetë. Festa është lëgjitime, ashtu si dëshpërimi në rradhët e Tottenhamit, më shumë nga të gjithë Erikssen. Pochetino nuk u beson syve, Guardiola fluturon.

Pikërisht në atë moment, VAR vendos: nuk është gol! Pllakos heshtja në “Etihad”. Manchester City jashtë, Tottenhami përpara (4-3 rezultati pas 1-0 në Londër në favor të “Spurs”).

Jemi në Amsterdam, minuta shënon 90+5…me forcën e dëshpërimit, topi mbërrin në këmbët Lucas Moura, që e devijon aq sa për ta dërguar në rrjetë, pas krahëve të Onanas. Tottenhami në delir, Ajaxi në trishtim, i gjunjëzuar. Moura shpërthen në një festë të jashtëzakonshme, legjitime, për një futbollist që shumë harrojnë, por është “superheroi”, siç parapëlqen ta thërrasë Pochetino.

Një superhero që i dha mundësinë Tottenham të vinte deri në këtë fazë, me një gol në minutën e 85-të në “Camp Nou” ndaj Barcelonas: anglezët po humbisnin 1-0 dhe i duhej një barazim për të kaluar më tej, nëse Interi nuk mposhte PSV Eindhoven. Lucas Moura ka topin në këmbë dhe realizon në minutën e 85-të. Minuta pritje dhe veshët në “San Siro” ku PSV ndal zikaltrit, pasi pikërisht braziliani u  kishte shënuar në barazimin 2-2 në grup.

Moura që i jep kualifikimin në grup, por edhe në gjysmëfinalen e kthimit, me tre golat e tij. Në total, pesë gola me peshë të jashtëzakonshme. Një “Superhero” shpeshherë i harruar, por ndonjëherë modestia dhe thjeshtësia janë ato që të japin spunto për të dhënë edhe më shumë.

Sot, Moura është në finale, PSG e ka përshëndetur me kohë kompeticionin. E të mendosh që braziliani nuk bënte për francezët… Mbappe, Neymar & Co e shohin nga divani…(Telesport)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje