Zoti i Ujit, Uji i Pazot dhe “Ponc Pilatët” postmodernë

18 Gusht 2019, 19:01Sociale TEMA
Zoti i Ujit, Uji i Pazot dhe “Ponc Pilatët” postmodernë

Nga Adnand Lleshaj

Një e moshuar fisnike, në një filmim amator këto ditë bëri xhiron e rrjetit me titullin “Kush do të bëhet Zot i ujit tim?!”

Pas kësaj, në emisionin e mëngjeseve, u dëgjua të lexohej një artikull gazete në një gegnishte të dialektit mirditas: “Kush do me u ba Zot i ujit tem?”, nga Dom Gjergj Meta.

Pikësëpari unë kam shumë simpati për gjyshet. Para ca kohësh pata hedhur vetë gjyshen time, dhe fotoja e saj në një efekt domino pat tërhequr qindra pëlqime e dhjetëra shpërndarje nga faqe e profile të ndryshme.

Por megjithë debulesën time për gjyshet, për sojniket apo kapedane-t tona; për vështrimin e tyre shekullor, për rrudhat fisnike që ua zbukurojnë ballin, për veshjen e tyre tradicionale që i kthejnë në muze trashëgimie jomateriale të gjallë, për atë shaminë e zezë që prej afro 5 shekujsh nuk e shqesin nga koka; mund të them se gjyshet tona nuk mund -e nuk duhet- të vendosin për të ardhmen tonë.

Ato e kanë kaluar kohën e tyre. Bashkëjetojnë me kohën tonë duke na falur dashurinë, përkujdesjen e këshillat jetësore që do të na shoqërojnë gjatë gjithë jetës. Ditëlindje pas ditëlindjeje përherë e më tepër shfaqin shenja mosmirënjohjeje e njëfarë bezdie ndaj urimeve, qofshin ato edhe të tipit: -Ti m’u bafsh 300 vjeçe!…

I nderuar Dom,

unë që kam kënaqësinë t’ju shkruaj jam një admirues i juaj i largët. Rrjedh nga një familje kristiane. Gjyshja ime më ka dërguar fshehurazi – Fshehurazi Dom!… – në gërmadhat e “Shna Nojt” (asaj që sot njihet nga kristianë e myslimanë si “Kisha e Laçit”, “Shna Ndout” apo “St. Anthony”) përpara se të lejoheshin vizitat në vende kulti, në kohën kur rruzaret e bardha fosforeshente hiqeshin nga qafa pas përsëritjes së lutjeve e futeshin në xhepa që mos të shkëlqenin e të na i shikonte njeri. Fshehurazi Dom!…

E megjithëkëtë, e them hapur se sot nuk mund ta quaj veten një katolik, të paktën jo një i devotshëm. Kjo nuk do të thotë se nuk i respektoj besimet fetare. Kjo nuk do të thotë as se nuk i zbatoj shumë vargje në librat fetarë – Tora, Bibël, Kuran, etj. – që i kam nënvizuar me vëmendjen e një studiuesi që don të kapë edhe gabimet drejt-shkrimore.

Unë studioj drejtësi. E studioj drejtësinë që nga rrënjët e botëkuptimit njerëzor. Pushteti ligjor dhe pushteti fetar kanë ecur përkrah njëri-tjetrit që përpara kohës që ne gjejmë dokumentacion të shkruar. E shohim që tek “Epi i Gilgameshit”, tek shoqëritë babilonase, sumere, egjiptiane, greke, romake e të këndejme. A do të bëhej një princ faraon pa bekimim e kryepriftit? A do të emërohej një sovran pa ritualet fetare? A do të ishte Konstandini “I Madh” pa kristianizmin? A do ta njihnim ne sot Skënderbeun pa diplomacinë e Pal Engjëllit? A do ta kishim konstitucionalizmin e parlamentit  më 21 prill 1921 pa Akademikun Gjergj Fishta? A do të të shkruaja me këto shkronja pa të mendjendriturin Abat Prend Doçi?

Dom i nderuar, përpara se të shqyrtosh këto çështje, duhet të dish se unë të kam parë prej kohësh si një pasardhës të tre emrave të fundit që përmenda. Kemi shumë pritshmëri prej jush. Ju e keni këtë magji që shfaqeni si një figurë tepër premtuese që i ka munguar besimit mirditas prej afro një shekulli.

Njerëzit kanë nevojë të besojnë. Kanë nevojë për ju.

Por përpara se njerëzit të besojnë çdo fjalë që del nga goja juaj, më lejoni t’ju kujtoj se në Bibël, në Kushtetutën tuaj të shenjtë, gjenden tre tipe gjykatësish: Herodi, Ponc Pilati dhe Solomoni.

Solomoni është tepër i vjetër për ta lëvruar këtu, Herodi tepër i lig. Po le mos të flasim për mbretër, e di kush më dhimbset Dom?!… Më vjen keq për Ponc Pilatin. Ky vërtetë që mund të ishte një drejtues tepër i aftë, tepër inteligjent, shumë largpamës, një udhëheqës i denjë por, ky kishte frikë nga turmat; dridhej, tmerrohej prej tyre. Ponci mund të vente në luftë e të krihte fitore të përgjakshme por nuk mund të përballej me pakënaqësinë e një turme të paarmatosur.

Në vend që të zinte rolin e tij drejtues e të vinte drejtësinë, u nënshtrohej dëshirave të “shumicës”, bëhej skllav i tyre, aq sa pushtetin e tij gjyqësor të marrë me aq mund nga Çezari, ua dha turmave vetëm që mos ti dëgjonte të bërtisnin.

“Bëni ç’të doni” tha, dhe turmat zgjodhën të lironin Barnabanë dhe masakruan Krishtin. Një shumë e mbledhur që shkaktoi tragjedinë më të mirënjohur në botë. Kjo është demokracia, “shteti i popullit”. Demokraci do të thotë që shumica mund të vendosë të vrasë një të pafajshëm e të lirojë një kriminel. Drejtësia është gjë tjetër.

Hirësi, lexova artikullin tuaj. Kishit përmendur dhe Kanunin aty. Më lejoni t’ju kujtoj se në atë vepër të paçmueshme – mbledhur nga frati françeskan Shtjefën Gjeçov e botuar nga akademiku që kam lartpërmendur – kapitulli i parë sanksionon se kisha e prifti janë të paprekshëm, por ndër faqet e fundit të dy priftërinjtë kanë vendosur një rast kur edhe prifti trajtohet si gjithë të tjerët.

I shtrenjti Dom, kërkoj ndjesë për përsiatjen hyrëse paksa të zgjatur, por etika nuk më lejonte të flisja si një i panjohur. Doja që gjatë leximit të ndjenit familjarizimin e një bisede miqësore të zhvilluar në mos në katedrën e Katedrales ku ju shërbeni, në një katedër të Biblotekës Personale që besoj e uroj që po e ndërtoni në madhështinë e asaj që dispononte Abati i Mirditës, e që humbi në flakët e sistemit socialist.

Ah, desh harrova!… Ju lutem, mos e përmendni më “monizmin”, “sistemin komunist” se ajo dreç teorie nuk është zbatuar jo në Shqipëri, po në asnjë vend të botës gjer më tani. Dhe e di përse? Sepse njerëzit nuk mundet të ndërgjegjësohen gjer në atë pikë sa mos të kenë nevojë më për ligje. Njerëzit, si të thuash, nuk mund të bëhen të gjithë katolikë të devotshëm. Kupton?… Gjithmonë do të ketë vend për devijues, shkelës, delikuentë, kriminelë e terroristë. Ndaj, për sa kohë të kemi këso njerëzish, do të kemi  nevojë për ligje; e për sa kohë do të kemi ligje, nuk do të mund të kemi komunizëm.

Mjaftonte vetëm paragrafi i tretë i artikullit për të më ngritur fjali pas fjalie një farë tharbëtimi intelektual deri të pasuportueshëm për mua. Le t’i marrim me radhë:

1.Si mund të kërkosh që gjyshet t’i kemi në protesta, si mund të jesh pro një proteste?!… Më kujton Nënë Terezen – për çdo kristian “Shenjte” – kur përgjigjej për kauzën e Irakut “Mos më thërrisni në protesta kundër luftës se nuk do të vij, organizoni manifestime me pankarta pro paqes dhe unë do të jem përkrah jush në rrjeshtin e parë!”

Nën shembullin e saj, sipas filozofisë jezusiane, një kristian nuk duhet të luftojë e të nxisë luftë, qoftë edhe kundër së keqes, por duhet të manifestojë rrugën e dashurisë, rrugën e drejtësisë e të paqes. (E dije që Gonxhja nuk u bë rastësisht aq e famshme në Kalkutë por ishte një pararendës që ia kishte shtruar kalldrëmet e rrugës së suksesit të saj në Indi? Shiko “mendjendriturin”, Dom!)

2.Si mund të jenë HEC-et padrejtësi?!… Për të më kuptuar mjafton vetëm t’i drejtohesh Jezusit (Lavina nga “Sektori i Qendrës për Ekspertizë Tematike në ndërlidhje, Mjedis dhe Zhvillim Rajonal pranë Komisionit Europian”)!

HEC-et, nuk janë padrejtësi. HEC-et janë arritje inxhinierike sesi “të mirat e Zotit” -të mirat natyrore- të shfrytëzohen për të lehtësuar kushtet jetike të njeriut. Mos të bëhemi nostalgjikë të tepruar. Gjyshet tona ende kujtojnë me një farë romantizmi kur “në atë kohë teshat laheshin në lugje”. Sot i lajmë me lavatriqe.

Keni të drejtë nëse egziston një planprojekt si ai i Qafmollës, ku pas HEC-it, uji merret me tubacione kilometrike mespërmes maleve dhe zhduket gjersa kalon Rrubikun sa të të duket lumi Fan si një shurrë maceje. Kanë të drejtë edhe emigrantët e kthyer që kërkojnë heqjen e kryepleqve që kanë marrë pjesë në negociata nga frika se janë të shitur. E di çfarë quhet kjo?

Kjo quhet “pjesëmarrje e grupeve të interesit” që patjetër kanë fjalën e tyre në një vendimarrje që lidhet me komunitetin, kjo është pjesë e ligjit. Patjetër që duhet të ftillohen hartat e arkitekteve paraprakisht jo vetëm nga banorët, por dhe nga inxhinierë, bujq, intelektualë, inxh. pyjorë të zonës etj. Por nuk keni të drejtë kur thoni se HEC-i e lë pa ujë zonën. Si e linka?!… E han ujin, e avullon? Ku e qon? Pasi të mbushet diga, uji prapë do fillojë të rrjedhë pasi të kalojë në turbina. S’ka ku të vejë tjetër.

Shkurt: Pro HEC-it, kundra tubave!

Tubat kilometrikë janë  shkatërrimi. Kurse HEC-i është zhvillim, është ekonomi, është vendpunsim – roje, pastruese, inxhinier, elektriçist, operator kamerash për kamerat e sigurisë, sekretar, ekonomist, jurist, drejtor, pa llogaritur puntorët që do punësohen përgjatë ndërtimit-, është pagim taksash në shtet, është kthim investimesh nga shteti, është ardhje e të ardhurave, është ulje e çmimit të energjisë elektrike.

3.Funksioni i gjysheve dhe nënave vetëm si kujtesë historike e fisit dhe e popullit?! Vetëm kaq? Vërtetë?!… Mund të pyesësh njeriun më të thjeshtë se çfarë ka shkruar më 7 Mars, ditën e ditëlindjes së saj apo në foton me gjyshen apo të ëmën, dhe do të të thojë shumë më tepër se aq. Sa për kujtesë Maria nuk i kujtoi për asnjë çast Krishtit fisin apo popullin, por e rriti si bir të perendisë për të ndryshuar e përmirësuar botën.

Pra mjaft së bëri Ponc Pilatin!

E di çfarë më kujtohet sa herë shoh turma të mbledhura? Më kujtohen protestat e viteve 1900 ku njerëzit kundërshtonin elektrifikimin me pretekstin se elekriciteti do të zhdukte rracën njerëzore. E di çfarë tjetër? Vitet ‘91 kur turmat prishnin fabrikat pse i kish ndërtuar Enveri, prisnin ullishtat, vreshtat, plantacionet, madje ka patur ide deri sa të prishnin hidrocentalet.

Ish banorët e territorit ku tashmë shtrihet liqeni i Ulzës, qënë mbledhur rreth viteve 1950 me pushkë në krahë “me luftu Qeverin se qen tu na prish shpiat”. Hidrocentrali vërtetë i prishi shtëpitë, por ka rreth 6 dekada që ushqen me energji elektrike gjithë shqiptarët. Imagjinojeni vendin tonë pa Komanin, Fierzën, Vaun e Dejës, etj…

Në kujtesën e Nanë Martes e të gjysheve tona ruhen dhe rezervuaret. Disa të ndërtuar që përpara se ato vetë të lindnin, e ca të tjerë gjatë revolucionit bujqësor që solli sistemi i mëparshëm -që kishte dhe plot të meta, por nuk do të dalim jashtë qëllimit të këtij shkrimi- ku rriteshin vreshtat, dardhat, grurërat, e sa e sa artikuj bujqësorë që gjelbëronin krahinën e Mirditës. Për rezervuaret askush nuk flet!

Ajo që dua të them është se “Zot i ujit” është ai që e shfrytëzon energjinë e pastër hidrike, sipas ligjit dhe në dobi të njerëzimit. Dua të them gjithashtu se ta lësh ujin pa Zot, është krim më vete. Gjyshet tona kujtojnë “Besa kanë pasë thanë ka ditë, kur donin me t’mallku: – Blefsh ujët që pifsh!”

Sot ne po lajmë mallkimet e stërgjyshërve tanë duke blerë shishet plastike e të qelqit në kafene, kioska, restorante e markete. Një shije disi e hidhur kaplon kur nga aq burime pasanike të vendit tonë, duhet të zgjedhësh mes ofertave të varfëra në treg: afro 10 firmave të  biznesin e ujit nga Tepelena, 2-3 apo më shumë të burimeve të Pukës, apo akoma më keq, kur “ujë pa gaz” të vjen në faturë me siglën e një emri të importuar nga jashtë.

A nuk kemi aq burime në Shqipëri sa të mbulojnë tregun deri në atë pikë sa të konkurojmë një shishe që paguan doganë, naftë transporti, e shpenzime të tjera që nga rruga e largët e përtejkufirit?! Do doja të porosisja: Një ujë Mirdita, të lutem! (Si dhe Shkodra, Saranda, -siç mund ta parapëlqejë shenjtëria juaj- Shëngjini, e me radhë…)

Fatkeqsisht, Uji begator i vendit tonë  nuk ka një Zot të Gjithpushtetshëm për të mirëorganizuar gurgullimën e tij që të rrjedhë në tringëllimën e xhepave të shqiptarëve.

I respektuar Gjergj Meta, shpresoj dhe besoj se do të ngrini besimin e shpresën e njerëzve hallemëdhenj të atij vendi. E shoh me kënaqësi se si është kthyer në traditë zhvillimi i meshës në natyrë në Kurbnesh, mbase një ditë do të mblidhen aq pelegrinë sa mblidhen në Kishën e Laçit apo Malin e Tomorrit.

Do ju lutesha përulësisht që gërmadhat e kishave që promovoni, një ditë me ndihmën tuaj, të një investitori, kryetar bashkie, kryetar qarku, fond zhvillimi a Ministri Kulture, jo të rilindnin -se mund të ma ngatërronin politikisht- por të ringjalleshin në shkëlqimin e dikurshëm, si atraksione turistike; si tempujt e Sacre Ceur në Paris, Xhamia Blu në Stamboll a Bazilika në Barcelonë.

Nga ana tjetër, çfarë do të ishin faltoret pa plotësinë e veprave artistike si piktura e skulptura? Tek kisha e Rrëshenit unë që në vogëli mahnitesha pas mozaikut të Lin Locit. S’besoj të ketë një banor qyteti që s’e ka një foto me atë sfond. Ju keni mundësinë të punësoni sa e sa artistë që e duan Mirditën, nuk mund të lë pa përmendur Shpend Bengun, Vlash Kaçorrin, Benard Lekgegën e Llesh Bibën.

Bekoji artistët me mundësinë e shfaqjes së talentit hyjnor. Sa kisha mesjetare tërheqin vizitorë të huaj për të kuqen e Onufrit? Po Engjëlli-Mikel që prehet në tavanin e Cappella Sistina-s në Vatikan, në La Pieta, etj., a të krijohet ideja se pasi kisha i shtriu dorën atij shpirti të papërsëritshëm, ishte Mikelangjeloja që me artin e tij e shenjtëroi Vatikanin?

Po flisnim për artin: A e imagjinoni dot që Mesnata e Krishlindjeve të kalonte me zërin e Eugent Bushpepës që këndon “Ave Maria”?!

Në këtë rrëfim të gjatë ku stërkalat e ujit të bekuar të vendit tonë mund të njomin gëzimin e një jete të re, apo të thajnë në kataklizmën shkatërruese të burimeve që kemi, ju përshëndes: – Zoti qoftë me ju!

3 komente në “Zoti i Ujit, Uji i Pazot dhe “Ponc Pilatët” postmodernë”

  1. Lisi says:

    Ne Shqipëri me Kushtetute është e ndare feja nga shteti. Me gjithe respektin per Dom Gjergj Meten per intelektualizmin e tij, nuk mund të rri pa e thëne se ja ka qejfi me shumë se duhet të merret me politike. Dhe lere pastaj që në politikebërjen e tij ai mban anë e krah duke dale kundër parimeve fetare që njerezit janë të gjithë të barabarte.

  2. huri says:

    Ç’është ky popull injorant, e gjindje e pa shkollë? Kundër zhvillimit?

  3. Drane Lleshaj says:

    Artikulli na pa pelqen shume realist e kuptimplote.Me pelqejne paralelizmat dhe vizioni i Adnandit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje