Giuseppe Conte duket se do të jetë sërish kryeministër i Italisë. Konsultimet e drejtuara nga presidenti i Republikës, Sergio Mattarella kanë sjellë një përfundim logjik që në fakt përflitej prej disa kohësh: Conte kryeministër, me mbështetjen e dy partive të majta, Lëvizjes “5 Yjet” dhe Partisë Demokratike.
“Në letër ekziston mundësia e një mazhorance të re, mjaftueshëm të madhe”, shkruan gazeta “Corriere della Sera”.
Manovra e Mattarellas dhe të majtës ka nxjerrë jashtë Legan e Salvinit i cili e sheh veten jashtë ekuacionit qeverisës.
“60 milionë italianë janë peng i 100 parlamentarëve që nuk duan të humbasin karriget.
Kryeministrin e kanë gjetur në Biarritz dhe është imponuar nga Parisi, Berlini dhe Brukseli. Pra një qeveri Monti bis”, citohet Salvini, që nuk ka guxuar të përmendë Donald Trump, i cili deklaroi publikisht se beson dhe dëshiron që Conte të jetë sërish kryeministër i Italisë.
Ashtu sic edhe pritej, presidenti i Republikës Sergio Mattarella mandatoi Giuseppe Conten të enjten për formimin e qeverisë së re, e cila pritet të marrë detyrën javën e ardhshme pas miratimit nga Parlamenti italian.