Në Finlandë “axurrët” kanë arritur të marrin fitoren e 6 në po kaq ndeshje kualifikuese të Euro 2020-ës, ndërsa po të shtosh edhe miqësoren me Shtetet e Bashkuara, numri i fitoreve radhazi shkon në 7, diçka që nuk ndodhte nga viti 2003, kur në pankinë ishte Giovanni Trapatoni.
I emëruar në pankinën e Italisë në maj të vitit të kaluar, Roberto Mancini besoi shumë te të rinjtë, duke kërkuar vazhdimisht që të ndërtojë një skuadër që luan bukur futboll, ndërsa të besuarit e tij, edhe kur nuk arrijnë të shkëlqejnë, të paktën krijojnë raste dhe shënojnë gola.
Një punë mjaft e mirë e Mancinit, që nis me organizimin e lojës që nga mbrojtja, gjë që është parë vazhdimisht në ndeshjet e fundit të Italisë, ndërsa janë dy mesfushorët tashmë të Interit, Nicolo Barella dhe Stefano Sensi, që kanë shtuar cilësinë në ekip.
Ky i fundit, përveç penalltisë naive të shkaktuar, zhvilloi një 90-minutësh mjaft të mirë, duke bërë që të mos ndihet aspak mungesa e Verratit dhe duke i shkuar pranë golit, me një depërtim tipik të tijin.
Nga ana tjetër, pas një ndeshjeje të dobët në Armeni, Barella u rikthye të shkëlqente dje, duke treguar se është i njëjti talent që spikati te Cagliari, për të cilin Interi pagoi plot 50 milionë euro për ta marrë në Milano.
Një notë mjaft pozitive është edhe Federico Chiesa, që vjen pas një vere të komplikuar, i rrethuar nga zërat e merkatos, por ndeshjen e djeshme u rishfaq edhe njëherë padron në krahun e djathtë të sulmit, duke dhënë një asist fantastik për Ciro Immobilen.
Pikërisht bomberi i Lazios justifikoi plotësisht besimin e Roberto Mancinit, që e kishte hedhur në fushë nga minuta e parë në Finlandë, duke lënë në stol Belottin, por edhe ky i fundit ishte mjaft i rëndësishëm në 15 minutat e fundit të sfidës.
Megjithatë, përveç këtyre numrave, Italia ka një organikë shumë të pasur, ku Mancini ka luksin të ndërrojë vazhdimisht futbollistët dhe “muzika” në fushë të jetë e njëjtë, ndërsa vlen të evidentohet fakti se shumica e këtyre protagonistëve kanë më pak se 25 vite mbi supe.