Pas deklartatës së Aleksandër Sorosit se disa vende europiane janë “albanofobe”, Jari u shqetësua seriozisht, pasi kjo është tezë e Doktorit.
Për të shuar keqkuptimet Jari vendosi të sqarojë demokratët.
Të dashur demokratë,
Jari ju sqaron!
E di që shumë gjëra të zeza këtij vendi ja ka bërë Sorosi. Qysh kur futi hundët në vitin 1995, duke keqpërdorur miqësinë me Doktorin, ai ka luftuar vazhdimisht të shkatërrojë Shqipërinë.
Tani së fundi po përpiqet të bëjë një dëm të ri. Ka filluar e merr tezat e Doktorit dhe i përdor si të tijat me qëllim që njerëzit të marrin inat çdo tezë të Doktorit.
Ja për shembull, dje ka thënë që disa vende evropiane janë “albanofobe”. Këtë e ka thënë Doktori me kohë që më 2011, e ka shkruar dhe Fevziu pasi e tha Doktori. Madje ka bërë dhe emision për “Albanofobinë”.
Kjo përsëritja e Sorosit tani bëhet me qëllim që të zhvlerësohen tezat e vërteta patriotike të Doktorit, dhe nga ana tjetër, të duket sikur Sorosi është në anën e shqiptarëve.
Ndaj detyra jonë është ta demaskojmë këtë manovër të ulët të Edi Ramës. Ai duke u përpjekur të vrasë me një gur dy zogj, i ka vënë në gojë Sorosit të ri, deklaratat e Doktorit dhe kështu edhe zhvlerëson Doktorin dhe fuqizon Sorosin si patriot shqiptar.
Demaskimi i këtij qëndrimi është detyrë e ditës. Ne duhet ta sulmojmë fort atë dhe duhet t’ia bëjmë të qartë Europës, se ka vetëm një kriter për të kuptuar cilat vende janë “albanofobe”. Ky kriter nuk është kush voton kundër Shqipërisë, pasi Franca ka marrë vendimin e duhur. Vende “albanofobe” nuk janë as këto të treja, Spanja, Holanda e Danimarka që mbështesnin Francën. Vende “albanofobe” janë ato që janë kundër Doktorit, ato që duan ta nxjerrin atë nga politika duke mbështetur Reformën në Drejtësi. Dhe këtu janë në krye gjermanët, amerikanët, italianët etj, që nuk dua të zgjatem.
Ndaj nuk duhet të hutoheni nga deklarata e Sorosit. Ai kërkon ta devijojë debatin duke quajtur Macronin “albanofob”, të vetmin që mbështet Doktorin në këtë histori. Ndaj duhet demaskuar rëndë.