Nga Arsen Hoxha, ish arbitër i FIFA-s
Në emisionin sportiv te ABC News, Persidenti Kapllanaj ngriti tre probleme.
Në fillim ai tha se gjatë këtyre javëve të fundit arbitrat kanë bërë disa gabime të cilat kanë influencuar në rezultatin e ndeshjeve të ekipit të tij, e për pasojë kanë ndikuar direkt në tabelën e klasifikimit.
Ai tha plotësisht të verteten, por jo në vendin e duhur dhe terminologjinë profesionale që rekomandojnë rregullat e shoqatës së madhe të futbollit.
Këto çështje trajtohen dhe zgjidhen vetëm në institucinet përkatëse të FSHF-së dhe në asnjë vend tjetër.
Së dyti, ai tha se i ka kërkuar FSHF-së që të marrë masat e duhura ose në të kundërt do braktisin kampionatin.
Ne pam se politika braktisi Parlamentin dhe me përjashtim të disa politikanëve dhe analistëve medioker, gjithë të tjerët por veçanërisht politika e përparuar botërore e konsiderojë këtë akt si tepër të gabuar dhe ideatorët e këtij veprimi si të pa emancipuar politikisht.
Përqafimi nga ana e drejtuesve të ekipit të Ballshit të ultimatumeve për braktisje kampionati, në thelb janë po e njëjta gjë, pra janë të tilla që bien ndesh jo vetëm me rregullat sportive por edhe me kulturën e praktikuesve të futbollit kudo në botë.
Në thelb ato janë shprehje e një presioni të hapur që behet ndaj institucionit të futbollit, janë një shantazh i dënueshëm.
Por Shoqata e Futbollit nuk duhet t’i lejojë vetes që të bëhet një kopje e shëmtuar e lojrave politike. Çdo tendencë e tille është antisportive.
Kërkesa e tretë e z. Kapllanaj ishte që arbitri Laver Alla të përjashtohet përgjithmone si arbitër.
Për këtë mjaftuan 2-3 raste të mos ndëshkimit të disa ndërhyrjeve të gabuar nga lojtarët kundërshtarë si dhe mos dhënia e një 11 metërshi në favor të tyre. Pretendimet e tyre janë të drejta, por po t’i referohemi pozicionit të largët të arbitrit Alla, prej vendit ku topi u prek me dorë, duket qartë se gabimi nuk ka ardhur si pasojë e një dëshire subjektive por e vendndodhjes jo të përshtatëshme të tij.
Nga ajo që unë kam dëgjuar, arbitri Alla i ka kërkuar mendim asistentit i cili ndodhej shumë afër me vendin ku topi u prek me dorë, por ai i ka thënë se nuk kemi të bëjmë me 11 metërsh.
Pra nëse ngjarjen e gjykojmë nga vendndodhja e arbitrave vetëm 20% mund të themi se është faj i arbitrit Alla dhe 100% i asistentit Tartari. Nëse vlerësimin e bëjmë profesinalisht, mund të themi se edhe arbitri Alla ka një gabim jo të vogël sepse ai duhet të jetë më i kujdesshëm për të levizur në ato zone ku të ketë një kontroll më të plotë ndaj çdo aksioni që ndodh në fushë.
Thënia e z. Kapllanaj se arbitri Alla duhet të përjashtohet përgjithmonë që të bëhet edhe një shembull për arbitrat e tjerë dhe se nga kontaktet që ai ka pasur me drejtuesit e FSHF-së, kishte bindjen e plotë se kërkesa e tyre do të realizohet, është një gabim i madh sepse në thelb jo vetëm që është presion i hapur ndaj të gjithë arbitrave të tjerë, por edhe një praktik e gabuar e vetë drejtesve të FSHF-së. Unë shpresoj se kjo të mos jetë e vërtetë.
Kemi parë raste të shumta jo vetëm nga arbitrat më pak të kualifikuar, por edhe nga ata të FIFA-s, të mos japin 11 metërsha edhe kur ngjarja është zhvilluar para syve të tyre, si ishte edhe rasti i arbitrit Hamitaj në ndeshjen Partizani-Kukësi i cili në thelb ishte shumë herë më i rëndë se gabimi i arbitrit Alla. Çfarë duhet të bëhet me ta, të perjashtohen të gjithë përgjithmonë?!
Çdo arbitër mban përgjegjësi vetëm për gabimet e tij dhe asnjëhere ai nuk mund të flijohet për t’u bërë shembull për të tjerët. Kjo ndodh vetëm në sisteme diktatoriale. Është kjo arsyeja që them se ultimatumet e zotit Kapllanaj janë antisportive. Ato janë të gabuara jo vetëm në formë, por edhe në përmbajtje.
Nëse komisionet përkatëse të FSHF-së dënojnë arbitra thjesht të influencuar nga ultimatumet e një presidenti, bëjnë një gabim të madh. Ata duhet të përmiresojnë metoden e tyre të punës, por jo të influencohen nga ultimatumet sepse ka rrezik që në të ardhmen kjo të shëndrrohet në një praktik edhe për drejtuesit e ekipeve të tjera. Thënia e z. Kapllanaj se ndaj arbitrit Alla do të hapet një proces gjyqësor, as që ja vlene të diskutohet sepse nuk përputhet as edhe me të drejtën e arbitrit në vendimarrjet, nga pozicioni në të cilin ai e shikon një ngjarje.
Deklaratat ultimative të Presidentit Kapllanaj, bien në kundershtim me rregullat sportive të cilat i ndalojnë deklaratat publike të drejtuesve dhe futbollistëve ndaj arbitrave dhe aq më shumë kur këto janë presione të hapura jo vetëm ndaj tyre por edhe vetë FSHF-së.
***
Në dy javët e fundit pati gabime mjaft të rënda si nga arbitrat kryesor ashtu edhe nga asistentët, madje edhe nga ata me stemen e FIFA-s.
E mira do të jetë që ndaj arbitrave që gabojne veçanërisht në rastet fare të pastra, pezullimet duhet të jenë për periudha të gjata. Duhet të aktivizohen vetëm arbitrat që kanë besushmëri të larte profesionale edhe morale. Për ata që gabojnë me dashje apo të pa aftët, nuk duhet të ketë vend në atë shoqatë.
Nga sa u pa në ndeshjen Vllaznia- Laçi, gjykimi i gjyqtarit Kridens Meta, veçanërisht në rastin e diskutueshëm për një 11 metërsh të pretenduar nga stafi shkodran, ishte profesional dhe i drejtë. Reagimi i trajnerit të Vllaznisë shërbeu si një nxitje që tifozët shkodran të hidhnin sende të forta ndaj arbitrit Meta. Në dhelb ishte një presion i hapur për të ndikuar ndaj arbitrave në fushë. Ajo ishte një formë dhunë që si dhe dhuna e ushtruar publikisht ndaj arbitrave nga stafi i Bylis, duhet të jenë objekt i Komisionit të Disiplinës.
***
Goli i shënuar në ndeshjen Partizani – Kukësi dhe i sinjalizuar nga arbitri pas porte Klodian Shahini ishte një vendim i guximshem dhe i drejtë. Si në të gjitha rastet e vështira, diskutimet në botën e interesave janë të ndryshme. Të tilla ishin edhe për këtë rast.
Nëse e shikojmë me vëmendje dhe i referohemi llogjikës së ftohtë, do të bindemi se topi e ka kaluar vijën fundore.
Në fotot bashkangjitur duket qartë se nëse heqim një vijë perpendikulare nga gjuri i djathtë drejt vijës së portës, ajo bie pothuaj mbi të. Zakonisht në gjatësine konkrete të këtij lojtari mbrojtës, distanca nga gjuri te pjesa goditese e topit është rreth 55-60 cm.
Për këdo që është kurioz, le ta provojë dhe të heqë një perpendikulare nga topi në zonën e portës në tokë dhe një tjetër prej perpendikulares në zonën e portës paralel me vijën anesore, në drejtim të vijës së zonës së portës, shumë lehtë do të bindet se topi ka kaluar së paku 35-40 cm. Brenda vijës fundore, që do të thotë se goli i shënuar nga lojtari kukësian është plotësisht i rregullt dhe vendimi i arbitrit pas porte Shahini është shumë i drejtë dhe i guximshëm.