Opozita parlamentare: Sistemi të ndryshojë, lista të hapura dhe pa koalicione

5 Shkurt 2020, 14:20Blog TEMA

Nga Nimet Musai* 

Duke falënderuar median për interesin e shfaqur,  e pashë të arsyeshme,  që pas një komunikimi të rregullt, të thuajse çdo jave,  nga foltorja e Kuvendit,  t’i drejtohesha opinionit publik edhe përmes kësaj forme komunikimi,  lidhur me disa çështje që i përkasin interesit të ditës.

Së pari,  dua t’i shpreh urimet më të përzemërta qeverisë së re të Kosovës, urimet më të përzemërta kryetarit të ri të Këshillit të Ministrave, z. Kurti,  urimet më të përzemërta kryetares së re të Kuvendit të Kosovës, znj. Osmani, urimet më të mira për qytetarët e Kosovës, duke shpresuar që vullneti i tyre, i shprehur përmes votës, të gjej zbatim sa më të përpiktë në bashkëqeverisjen mes  Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Dëshiroj që sfidat e politikës së jashtme dhe politikës së brendshme, të realizohen sa më kënaqshëm,  e që Republika e Kosovës të nxitojë kryelartë drejt ushtrimit të së drejtës  tanimë të merituar për lëvizje të lirë në zonën Schengen, anëtarësimit në NATO në një perspektivë afatmesme,  e pse jo,  një procesi negociatash për integrimin evropian, si edhe çlirimit të energjive më pozitive në marrëdhënien vëllazërore me Shqipërinë.

Së dyti,  dua të ndaj me opinionin publik,  si edhe të risjell në vëmendje,  që dy ditë më parë, ditën e hënë, si nga foltorja e Kuvendit,  ashtu edhe në takimin që me Kryetarin e Kuvendit dhe dy kryetarët e grupeve parlamentare patëm me z. Sasoli, morëm mesazhet më pozitive të mundshme, ku, së pari:

Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian,  janë dhe mbeten shpresëplotë e të bindur,  që jo vetëm Shqipëria është më afër se kurrë procesit të hapjes së negociatave, që e meriton plotësisht atë, por ata mbeten të bindur që, me metodologjinë e re të vlerësimit që Komisioni ka propozuar, është më e mundshme se kurrë më parë, që Shqipëria të gjejë besimin e vendeve që, fundvitin e shkuar, treguan skepticizëm.

Së dyti, në këtë kuptim, në fjalët e z. Sassoli, apo edhe në vlerësimet e mëparshme të Komisionit për ecurinë e reformave madhore, lexohet mbështetja e plotë  për konstruktivitetin e opozitës parlamentare, për mbështetjen e pakushtëzuar që ajo u ka dhënë reformave:  zgjidhjes së çështjes së prokurorit të lartë të përgjithshëm, inspektoratit të lartë të drejtësisë, zbatimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi, SPAK-ut dhe hapjes së një rruge të sigurt për BKH-në.

Pati në fillimet e jetës sonë parlamentare shumë skeptikë.  Koha dhe partnerët,  tani na dhanë të drejtë.  Ne, atëherë dhe tani, mbetem të bindur që sakrifica  i bënte më mirë vendit nga sa bllokimi.

Ishin këto arsyet se pse, edhe pse jo tradicionalisht të rreshtuar partiakisht, ne, deputetët që morëm mandatet për ta rikthyer ecurinë politike të vendit brenda institucioneve demokratike,  u zotuam.  Bashkë me reformën në drejtësi, ishte, sigurisht edhe reforma zgjedhore.

Unë këtu dua të ndalem pak më gjatë, pasi i referohem interesit tuaj të vazhdueshëm.

Këtu mund të flas edhe si kryetar i grupit parlamentar,  sigurisht, një grup parlamentar jo tradicional,  mund të flas edhe si deputet i Kuvendit,  mund të flas edhe si anëtar i Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Shpesh jam shprehur nga foltorja e Kuvendit, se ka shumë rëndësi të zgjedhim një formulë që, garanton lexim të rregullt të vullnetit të zgjedhësve  dhe nxit demokratizimin e partive.

E, për këtë formulë, kam qenë në pritje.

Aktorë të ndryshëm politikë, zëra publikë dhe politik,  këto kohë kanë sjellë në tryezën e reformës zgjedhore një propozim të ri:  kalimin drejt një sistemi zgjedhor me lista të hapura.

Dua të ndaj me ju, bindjen time se kjo formë, ky kapërcim që i jep zë individit,  që e lidh drejtpërdrejt të zgjedhurin me zgjedhësin,  mqë e pavarëson të zgjedhurin nga tutelat tradicionale partiake, e kryesisht nga tutelat e deridjeshme të drejtimit të dalë kohë të partive politike,  më duket e pëlqyeshme,  e si e tillë vlen të bëhet pjesë e analizës dhe diskutimit,  sa politik, aq edhe teknik, këtu në Kuvendin e Shqipërisë.

Kështu që, gjej rastin përmes këtij komunikimi, të shpreh rreshtimin tim dhe angazhimin personal politik, si një ndër mbështetësit e kësaj ideje,  që për hir të së vërtetës, qarkulloi në jetën politike edhe në vitet 2015-2016, nga forca politike që sot i takojnë jetës jashtëparlamentare,  e që, për çudi, e kanë hequr prej së paku 4 vjetësh këtë ide  nga projektimet e tyre politike.

Dua te nenvizoj faktin se mazhoranca ka shprehur vullnetin e saj që për çështje të tjera që mund të mos jenë drejtpërdrejt të përmendura në rekomandimet e ODIHR-it, por që janë shqetësime specifike të artikuluara nga opozita parlamentare dhe jashtë parlamentare për procesin zgjedhor, përfaqësuesit e opozitës parlamentare dhe jashte parlamentare të sjellin propozimet e tyre konkrete. Mazhoranca thekson gadishmërinë e saj për të shqyrtuar çdo propozim që vjen nga opozitaparlamentare dhe jashte parlamentare në këtë drejtim dhe patjetër, nëse janë në frymën e rekomandimeve të ODIHR—it mund të bëhen pjesë e legjislacionit zgjedhor.

Nisur nga këto premisa, që të shkohet drejt një sistemi që e fuqizon zgjedhësin,  që i demokratizon partitë shqiptare, demokratizimi i të cilave na prodhon opozita më konstruktive, msi dhe qeveri teorikisht më pak të kapura,  si edhe Kuvend më të lidhur e më llogaridhënës ndaj zgjedhësit, shoh me vend që,  duke marrë këtu shkas edhe nga modeli zgjedhor i Kosovës, listat e hapura të shoqërohen edhe me përjashtimin e koalicioneve parazgjedhore.

Këtë propozim,  do t’ia përcjell edhe tryezës së reformës,  sapo sistemi të jetë pjesë e tyre.

Së fundmi, me rëndësi themelore, me rëndësi të dorës së për ta ndarë me ju,  vlerësoj gjithashtu edhe një çështje tjetër, të cilat, si në komisionin e posaçëm ashtu edhe në seancë plenare,

zotohem, e për këtë kam edhe pëlqimin dhe gatishmërinë e grupit parlamentar demokrat, se do të mbështesim me të gjitha mjetet idenë e depolitizimit të administratës zgjedhore.

Shqipëria i ka të gjitha resurset njerëzore për ta mundësuar, Perëndimi i ka të gjitha modelet fikse për t’u përvetësuar,  Ajo çfarë duhet është vetëm vullneti politik që,

Trupa e administrimit zgjedhor,  Një here e mire,  Një here e përgjithnjë të depolitizohet.

Në kushtet e partive të organizuara jodemokratikisht, Një sistem i administrimit zgjedhor i padepolitizuar  mbart riskun e të ushqyerit periodikisht tensione sociale.  Një administrate e politizuar,  vetëm sa do të riciklojë historitë e së djeshme:  akuza dhe kundërakuza, me baza e të pabaza, në varësi të humoreve politike të ditës, dhe larg interesit qytetar.  Duke shpërblyer flamurtarë partiakë në proceset zgjedhore, një ditë do të na shteren pasuritë shtetërore.  Kjo histori duhet të mbarojë, e unë ftoj forcat politike t’i mbeten këtij qëndrimi deri në fund.  Shumë faleminderit për vëmendjen,  Mire u dëgjofshim në komunikime të tjera.

*Deputeti i Pavarur

2 komente në “Opozita parlamentare: Sistemi të ndryshojë, lista të hapura dhe pa koalicione”

  1. Nji ide e shkelqyer e Opozites .
    Shpresojm qe Pozita te bjer dakord .

  2. Tarasi says:

    Shume mire e ka opozita parlamentare.. Keto bushtrat plaka pse nuk i hapin listat?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje