Nga Ben Andoni
Ende askush nuk di pasojat e vërteta të pandemisë së Covid-19. Kur dëgjon dhe kupton se çfarë po ndodh realisht në Itali, SHBA, Gjermani, Francë, Spanjë atëherë bindesh për pasojat, që do të përballin vendet si Shqipëria.
Prej apeleve të para të epidemiologëve dhe pastaj marrjes së masave të qeverisë Rama kaluan kohë, por askush nuk mund të thotë se masat e marra nuk kanë dhënë rezultat në Shqipëri, ashtu si nuk mund të thuhet se ato ishin më të mirat e mundshme.
Përvojat e ndryshme, përballjet dhe zgjidhjet kanë treguar kurba të ndryshme infektimi. Por ky është një problem që i takon mjekëve dhe statisticienëve të mjekësisë, kurse ne të gjithë përballemi me të ardhmen. Të vetmit që duket se nuk e kuptojnë janë politikanët tanë.
Apeli i sotëm ndërkombëtar, ku askush nuk i di deri më tani pasojat në fund të tunelit, është fare i thjeshtë: politika vendase dhe ndërkombëtare duhet të ndryshojë për të përballur një katastrofë më të madhe. Të paktën, kjo mund të nuhatet në këto momente. “Ne po hyjmë në një botë të re të guximshme, në të cilën e ashtuquajtura “qeveria e madhe” dhe solidariteti ndërkombëtar janë të dyja të pashmangshme”, shkruan Joshka Fisher.
Në të gjithë botën industriale, veprimtaria ekonomike është ngrirë, duke e filluar me atë që sot e kanë të lehtë ta parashikojnë të gjithë: recesioni global. Tashmë, nuk pyet më njeri vetëm për numrin e të vdekurve dhe përballjen e sistemeve shëndetësore, por sesi dhe me sa shifra do të jetë rënia ekonomike. Modeli i BE-së tashmë është gati i goditur sa i përket solidaritetit nga përballja me COVID-19, sa i përket trajtës së respektit nga të drejtave të njeriut, etj.
Kështu, duke ardhur te Shqipëria, i gjithë debati politik tashmë është i kotë dhe fasha ideologjike, që përfaqësojnë është absurd. Përballja e të gjithëve do të jetë me varfërinë, por Basha dhe lloj-lloj politikanësh, pa harruar strukturat e maxhorancës dhe ligjvënësit e legjislaturës më të dobët të historisë së parlamentit shqiptar të Demokracisë, ende nuk e kuptojnë. Kujtojnë se do ta kenë ende të mundur të ruajnë biznesin e tyre politik, duke sajuar dhe bërë një luftë absurde parimesh me koperturë mbrojtje Covid-19 për të cilën nuk do t’ia dijë askush.
Shqipëria do të ketë gati fasha të tjera sociale për të cilat forcat e sotme politike do të jenë krejt të huaja, ashtu si politikanë të llojit Basha e të tjerë janë krejt të panevojshëm. Këtë duhet ta kuptojnë për të mirën e tyre, të partive që përfaqësojnë dhe pastaj vendit, të cilin e respektojnë më pak se çdo gjë tjetër.
Kjo të vjen ndërmend kur dëgjon politikanët e sotëm të Opozitës, pa harruar dhe patetizmin e zakonshëm të kryeministrit Rama, kinse staturën e presidentit Meta, që më kot duan të ngjallin diskursin e para pandemisë, një kohe, që do të duhen shumë vite për ta rikthyer pas, për të qenë sërish shkëlqimi i këtyre parazitëve, që e kanë dominuar jetën tonë në tre dekadat e fundit. Tashmë është koha e mjekëve, mësuesve dhe inxhinierëve. Ata, realisht, do të na duhen për të ardhmen. (Javanews)
Beni. ke shume te drejte qe kemi nevoje per mjeke etj por ne rradhe te pare duhen menaxhere te sistemeve e vecanerisht tani nuk ka menaxhim te sistemit te vdekur shendetsor e megjithate sot ne mungojne;; mediat, qe jane kthyer ne bordello te politikaneve dhe te ministrave e ministreve pa asnje vlere e aftesi, na mungon drejtimi shteteror pasi cdo gje e ben k/ministri me mendjen e tij; na duhet edhe drejtesia; qe per mendimin tim vetem reforme nuk eshte bere pasi punojne perseri F.Hajdari me shoke e shoqe te shumte si dhe natyrisht te perjashtuarit nga reforma, qe vodhen e prene si deshen tani gezojne ato qe fituan, nuk kemi pare e drejtesi ne te gjitha anet, shiko politikanet qe kane vrare , vjedhur, shkateruar pronen e Shqiperine si gafuren neper media e shpartalluara te gazetaruceve pa kulture e injorante qe i dine te gjitha si Eni , Bledi, Zhejt, Lutfiu, Shkullaku, Muci, Sokoli, Rakipi e shume te tjere. Shiko kush jep mend sidomos Fullani me shoke;; na mungojne presidenca qe Rama e la ne dore te Ilir “floririt” te vogel e ketej te cak koken per ungesen e presidences nje here dhe heren tjeter”presidenti me i mire i te gjitha kohräve; nuk ka te mbaruar lista , por edhe une si ti konstatoj por nuk e di dhe nuk kontribuaj per ndryshimin e shume gjerave. Dua te them disa gjera per sistemin shendetsor te asfiksua nga ministrat duke filuar qe ne kohen e PPSH e deri me sot por do te permend disa si Shehu, Vasili, Cikuli, me i madhi i te gjitheve Ndoka etj pa asnje vlere qe sot na bejne moral e japin mend . Sot sistemi paresor mjekesor e parandalues jane jashte loje dhe punen e tyre e ka mare ne dore Shteti, jo specialistet, A keni pare ndonje mjek higjenist te flasi per hygjenen deri me sot. Ku jane ata se bashku me qendrat e parandalimit te semundjeve infektive? Duhen romane per per folur per gjendjen dhe per rruget e daljes por me kete shtet dhe kulture qe eshte sot eshte shume e veshtire per tu ndare nga sistemi i deshtuar socialo-komunisto- demokratik i vendit tone, te masakruar nga njerzit e zgjedhur me votat tona.