Milot Rashica është lojtari i parë që do të largohet nga Verder Bremen, teksa agjenti Altin Lala po punon për të transferuar Milotin drejt një klubi më të madh.
Milan, Napoli, Liverpul e Herta Berlin e kanë vendosur në shënjestër 23-vjeçarin, por duket se Lajpcig do të jetë klubi i radhës për djaloshin nga Vushtrria.
Pak ditë më parë për televizionet e Kosovës, Rashica tregoi se Lala është në Gjermani dhe po punon për transferimin e tij drejt një klubi tjetër. Së fundmi është vetë Lala, që pyetet nga mediet gjermane dhe zbulon një prapaskenë mjaft interesante.
Ish-mesfushori i kombëtares kuqezi tregon se klubi më i përshtatshëm për Milotin është Lajpcig. Sipas tij klubi në pronësi të kompanisë “Red Bull” i rrit shumë profesionalisht lojtarët.
“Lajpcig është një klub interesant. Trajneri dhe stili i tyre i lojës përshtaten me Milotin. Është një klub që i bën lojtarët më të mirë”, tregon Lala, i cili me këtë deklaratë zbulon një pjesë të mirë të tratativave.
Mesa duket Lajpcig është alternativa e parë dhe po punohet për të gjetur akordin me klubin gjerman.
Preferenca e Rashicës është të qëndrojë në Bundesliga dhe ditët e fundit në medie po qarkullon lajmi se anësori ka refuzuar ofertën e Liverpulit. Kjo edhe për shkak se te “The Reds” ai do e kishte shumë të vështirë luante si titullar.