Presidenti i Barcelonës Josip Bartomeu konfirmoi të paktën momentalisht trajnerin Quique Setien, por së fundi sipas mediave spanjolle, senatorët e skuadrës kanë sugjeruar një tjetër emër për të drejtuar ekipin duke nisur që nga ndeshjet e Ligës së Kampionëve në gusht.
Bëhet fjalë për ish sulmuesin e “blaugranave” Patrick Kluivert, i cili aktualisht është drejtues i akademisë së Barcelonës dhe gëzon respektin maksimal mes të gjithë futbollistëve lider të skuadrës, përfshi këtu emra si Messi, Pique, Busquets, etj.
Pikërisht këta të fundit duket se i kanë propozuar Bartomeut ndryshimin në pankinë, me pretendimin se holandezi njeh mirë filozofinë e skuadrës dhe ka autoritetin e duhur për ta drejtuar në një fazë të rëndësishme si ajo e Ligës së Kampionëve.
Kluivert ka veshur fanellën e Barcelonës për 256 ndeshje dhe ka shënuar 122 gola, ndërsa në karrierën e tij ka luajtur edhe për skuadra si Milan, Ajax, PSV, Newcastle, Valencia e Lille dhe falë lëvizjeve të shumta është njohës i mirë i 5 gjuhëve të huaja.
Megjithatë duhet pranuar se si trajner Kluivert numëron vetëm dy eksperienca modeste me të rinjtë e Twentes dhe me skuadrën e Curacaos, ndaj kjo shton jo pak dyshimet e drejtuesve të klubit katalan.