Memorie.al publikon historinë e panjohur të Beqir Ballukut, ish-Ministrit të Mbrojtjes Popullore, deputetit të Kuvendit Popullor, anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe zv/kryeministrit të parë të qeverisë së drejtuar prej Mehmet Shehut, i cili u pushkatua në një tunel të fshehtë në periferi të Tiranës pranë fshatit Linzë më 5 nëntor të vitit 1975, pasi ishte dënuar me vdekje nga ana Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, i akuzuar si “kreu i grupit puçist në ushtri”. Dëshmia e rrallë e Çlirim Ballukut, djalit të madh të familjes Balluku, që nga origjina e familjes, periudha e Monarkisë së Zogut, aktiviteti i tij gjatë Luftës Antifashiste, shkollimi, funksionet dhe detyrat pas vitit 1945, raportet e relatat me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Hysni Kapon, Gogo Nushin, etj., nga udhëheqja e lartë e PPSH-së, si dhe përse filluan kritikat e goditja ndaj tij në vitin 1974, kush ishin ata që e sulmuan më shumë në mbledhjet e para, çfarë u tha ai fëmijve të tij kur u kthye në shtëpi pasi ishte sulmuar si “armik i popullit”, internimi i tij dhe familjes, ekzekutimi bashkë me dy vartësit e tij, Petrit Dumen dhe Hito Çakon në një nga tunelet e fshehta të Linzës në periferi të Tiranës, si e mësoi familja atë gjë kur ishte në internim, e deri tek peripecitë e shumta pas viteve ’90-të për të gjetur eshtrat e tij në fshatin Vranisht të Vlorës, ku ishin groposur me urdhër dhe nën kujdesjen e Kadri Hazbiut.
Nga Dashnor Kaloçi
(vijon nga dje)
Zoti Çlirim, po nga rrethi juaj farefisnor apo ai i krushqive që kishit në atë kohë, a ju vinte njeri për t’u takuar në Selenicë?
Desha të them se ka qenë rast unik, qëndrimi që ka mbajtur familja e bashkëshortes sime, Zanës, ndaj familjes sonë. Duke filluar që nga koha që ishim në Memaliaj e deri në fundin e internimit në Selenicë të Vlorës, për 16 vjet me rradhë, ata kanë ardhur për të na takuar atje pa ndrojtjen më të vogël dhe pa marë fare parasysh konsekuencat që mund të kishin. Vjehrri im, Sabri Hoti, nga zv/prokuror që ishte, u shkarkua dhe u përjashtua nga partia. Drita, e shoqja e tij, që punonte ekonomiste, u përjashtua nga partia, dy motrat e Zanës, Mira e Meli, gjithashtu u hoqën nga punët ku ishin. E megjithë këto represione që patën ata si familje, të gjithë vinin tek ne dhe vizitonin, edhe nënën, motrën dhe vëllezërit e mij. Kishte raste kur dy motrat e Zanës, Majlinda me Lidën, megjithëse ishin ende të vogla, (në vitin 1975) merrnin rrugën dhe vinin aty tek ne për të na takuar. Po kështu nuk mund të rri pa përmëndur edhe nënën e Zanës, Dritën, këtë grua me shpirt të madh, e cila përveç të tjerash ka mbajtur e rritur dy vajzat e mija që nga mosha dy vjeç e më tej. Ka qenë fati im që u lidha me këtë familje.
Keni vuajtur shumë gjatë kohës që ishit të internuar në Selenicë të Vlorës?
Për jetën dhe vuajtjet tona në Selenicë, nuk kam dëshirë që të flas gjatë, sepse edhe tani pas kaq kohësh, rrallë e kujtoj, kur më pyesin. Puna në minierë ku punuam ne të katër vëllezërit, ishte shumë e vështirë. Por goditja më e madhe për familjen tonë ishte arrestimi i vëllait, Ladit, më 14 mars 1979.
Si dhe pse ndodhi arrestimi i Ladit?
Regjimi komunist krijonte procese gjyqësore absurde, me qëllim për të mbajtur nën presion dhe frikë të gjithë familjen. Desha të them se regjimi komunist në atë kohë nuk respektonte as ligjet e veta, sepse në rastin e familjes sime dhe atë të motrës, Dritës, nuk kishte pse të internoheshim, sepse ne jetonim të ndarë nga pjesa tjetër e familjes. Por këto gjëra nuk u morën parasysh dhe si përfundim familja jonë, përveç ekzekutimit të babait, vuajti gjithësej 124 vjet internim dhe 12 vjet burg. Në këto shifra nuk llogaritet familja e xhaxhait tonë, Qemalit, e cila u internua në Ballsh, apo djali i hallës sonë, Ikbalit, që vuajti tre vjet burg. Po kështu këtu nuk po llogaris inkuizicionin që u ushtrua ndaj farefisit dhe rrethit tonë miqësor, pa llogaritur gjithashtu edhe dënimin e vuajtjen e dhjetra e dhjetra vartësve, miqëve e shokëve të babait që përfunduan burgjeve. Me një fjalë desha të them, se Enver Hoxha jo vetëm që na ekzekutoi babanë tonë pa asnjë faj, por na mori dhe gjënë më të shtrejtë që kishim, rininë.
Kur u kthyet në Tiranë, patët probleme strehimi?
Në Tiranë ne u kthyem në prillin e vitit 1991 dhe padyshim që u ndeshëm me vështirësi të mëdha sidomos për strehimin. Shtëpitë që kishim pasur unë dhe motra, Drita, nuk u morën parasysh dhe nuk na i dhanë më kur u kthyem. Ndërsa për nënën dhe pjestarët e tjerë të familjes, as që bëhej fjalë për strehim. Ndoshta kjo është dhe një nga arsyet kryesore që në Shqipëri kemi mbetur vetëm unë me vëllanë Ladin, pasi të tjerët prej vitesh u detyruan dhe morën rrugët e emigrimit e ndodhen në SHBA-ës, Kanada e Francë.
Pas kthimit në Tiranë, filluat përpjekjet për gjetjen e eshtrave të babait tuaj, Beqir Ballukut, e keni menduar ne kohën e internimit këtë gjë?
Gjatë kohës së internimit as që mendohej që ne të kërkonim apo të interesoheshim për atë gjë, për arsye që tashmë dihen dhe s’është nevoja t’i përmëndim përsëri. Natyrisht, pas kthimit në Tiranë ne filluam të viheshim në lëvizje për gjetjen e eshtrave të babait, duke e pasur atë si një nga piksynimet tona kryesore.
Patët probleme dhe me çfarë vështirsish u ndeshët në atë kohë?
Që në fillim të kërkimeve tona u ndeshëm me vështirësi të shumta, për arsye se në dikasterin përkatës, në Ministrinë e Brendëshme, mungonte krejtësisht dokumentacioni që na interesonte ne. Po kështu atë gjë na e vështirësoi edhe një pjesë e medjas që me lajmet e shkrimet e dhëna, na çorientonte akoma dhe më shumë, sepse ata e bënin të mbaruar atë, që eshtrat e Beqir Ballukut, ishin djegur.
Cili ishte hapi i parë që ndërmorët për të filluar kërkimet?
Hapi i parë që ndërmorëm ne, ishte plotësimi i skemës me emrat e personave që ishin marrë me izolimin dhe gjykimin e babait. Për këtë gjë u angazhua dhe xhaxhai ynë, Qemal Balluku, i cili kishte njohuri mbi funksionimin e dikasterit të Ministrisë së Brendëshme dhe mund të mblidhte të dhëna edhe nga shokët e tij. Kjo skemë përmblidhte, prokurorin, hetuesit, doktorin dhe përgjegjësin e rrethimit të tretë të Burgut të Tiranës (Reparti 313), ku ishte mbajtur babai i izoluar. Pra, në atë kohë, unë mësova se Burgu i Tiranës në periudhën 1974-‘75, kishte pasur tre skalione rrethimesh, rast i paprecedent ky.
Ku u mbështetët më shumë ju nga këta që përmëndët?
Xhaxhai, Qemali, gjykoi se pika e referimit duhet të ishte përgjegjësi i tre rrethimeve dhe e vërteta ashtu doli, sepse tre të parët nuk treguan, pasi nuk kishin njohje për ekzekutimin dhe vëndin e varrimit.
A e gjetët atë person dhe u tregua i gatëshëm ai për t’ju ndihmuar?
Pas shumë kërkimesh, për arsye se ai nuk gjendej, takimin e parë ne e bëmë me të në vitin 1996, duke biseduar në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes. Aty në atë takim, përveç meje dhe vëllait tim, Agimit, ndodheshin edhe Spartak Dume, nipi i Petrit Dumes, me Çobo Skënderin, nipi i Hito Çakos. Atë takim ne na i mundësoi Çobo Skënderi, duke na thënë që personi të cilin kërkonim, pranonte të bisedonte me ne. Në atë takim ai u pronocua për herë të parë duke na thënë se e dinte afërsisht vëndin (pasi kishin kaluar 21 vjet) i cili ndodhej diku në fshatin Tërbaç të Vlorës.
Pas kësaj, filluat kërkimet?
Menjëherë unë me Ladin dhe dy nipërit e Hitos e Petritit, u nisëm në drejtim të Tërbaçit, por me ato të dhëna, për të mos thënë fare e kotë, ishte tepër e vështirë të kërkoje. Por ajo që na mundoi më shumë, ishte fakti se me këtë person i humbëm lidhjet deri në 1 korrik të vitit 2000. Në atë kohë ai na u shfaq përsëri duke na thënë se nuk vdiste pa e mbaruar atë punë që kishte marrë përsipër. Këtë rradhë për të përcaktuar vëndin e varrimit, shkoi edhe Ladi me të. Ata kërkuan gjatë në fshatin Vranisht, ku dhe arritën të bënin përcaktimin e vëndit. Aty Ladi kishte bërë dhe disa foto, ku nga sa shihej relievi disi me rrëshqitje, të krijohej përshtypja se aty duhej të ishin.
Çfar bëtë pasi përcaktuat vendin?
Pas kësaj unë i kërkova ndihmë Ministrit të Rendit, të asaj kohe, Spartak Poçit, me të cilin kisha njohje që në fëmijëri. Ai u tregua krejt i gatshëm për të na ndihmuar dhe na vuri në dispozicion ekspertët kriminalistë dhe mjekun specialist me në krye shefin e tyre, Estref Myftarin. Me këta ne shkuam në vëndin që kishim përcaktuar por kërkimet u vështirësuan sepse vëndi ku gërmuam nuk dha rezultate. Më pas duke shfrytëzuar të dhënat e personit që na kishte informuar dhe na kishte çuar aty, ne trokitëm në portën e shtëpisë së ish-kryetarit të kooperativës, sepse vetëm ai kishte dijeni për atë ngjarje nga e gjithë ajo krahinë.
Si ju priti ai?
Ai na priti shumë mirë dhe filloi të na tregonte se aty në atë fshat kishte qenë e internuar familja e Xhemal Ballukut, një kushëririt tonë të afërt, i cili e pësoi vetëm nga mbiemëri që kishte. Pasi na foli me simpati për familjen e Xhemalit, ne i bëmë pyetjen: “A dini gjë se ku ndodhen”? Ai na u përgjigj: “Po, do t’ju çoj unë atje”.
Çfarë ndjetë në ato çaste?
O zot, na u duk vetja sikur fituam qiejt në atë momente. Nuk di si t’jua përshkruaj.
Çfarë bëtë pas asaj që u tha ai?
Pas asaj ai erdhi me ne dhe na përcaktoi vëndin, por gaboi pak dhe na u desh një orë e gjysëm për të arritur atje ku duhej, pra të preknim me dorë ato eshtra që i kërkonim prej vitesh. Pas dhjetë ditësh u organizua edhe ceremonia e varrimit gjë e cila është e njohur nga lexuesi dhe nuk e shikoj të arsyeshme të ndalemi përsëri. Por desha të shtoj se sa herë unë shkoj për vizitë tek familja e kushëririt tonë, Xhemal Ballukut, vajzat e tij më thonë: “Pranë atij vëndi ne kemi punuar dhe s’dinim gjë”.
Në mbyllje të kësaj interviste kaq të gjatë, a mendoni se keni lënë ndonjë gjë tjetër të pathënë?
Historia e babait tim, Beqir Ballukut, për periudhën e fundit të viteve ‘60 dhe fillimin e viteve ‘70, pothuaj është krejt e pazbardhur. Ndoshta asaj periudhe kohe, mund t’i rikthehemi edhe një herë në të ardhmen, sepse kjo intervistë ishte si të thuash e çastit dhe me një kohë të pamjaftueshme për t’i përmbledhur të gjitha.