Këshilli Bashkiak i Gjirokastrës, mbledhje urgjente për zbulimet e Fevzos

10 Shtator 2020, 20:01Antena TEMA

Këshilli Bashkiak i Gjirokastrës është mbledhur dje me urgjencë, për të marrë vendim që të shtojë në territorin e Gjirokastrës zbulimet e fundit të Fevzos, të cilat nuk kanë ekzistuar më parë në inventarin e pasurive te qytetit:

“Pas emisionit të parmbrëmshëm të Fevzos dhe deklarimeve të tij modeste mbi zbulimet që kishte bërë në Gjirokastër, Këshilli vendosi:

1-Qafa e Pazarit, një objekt i panjohur kurrë më parë në Gjirokastër, t’i shtohet inventarit të qytetit dhe të konsiderohet pasuri e Gjirokastrës.

Deri më sot askush nuk e kishte zbuluar këtë vend ku kryqëzohen pesë rrugë.

Të gjitha rrugët ishin të njohura, por askujt nuk i kishte shkuar mendja se këto takohen tek një vend, që Fevzo e quajti Qafa e Pazarit.

Kjo është një pasuri e re e madhe për Gjirokastrën.

2-Fustanella e Jugut. Kjo pasuri e paçmuar kombëtare kishte tre shekuj që kërkohej dhe nuk gjendej.

Më në fund e zbuloi Fevzo në një dyqan tek Qafa e Pazarit dhe e veshi.

Më parë disa studiues e kishin parë, por nuk u kishte shkuar mendja se mund të vishej.

Pas zbulimit të Fevzos dhe sidomos pasi ai e veshi vetë, ajo duhet të shpallet pasuri e Gjirokastrës dhe të futet në inventarin e Bashkisë.

3-Shtëpia e Zekatëve. Edhe kjo është një pasuri e re që duhet t’i shtohet qytetit.

Të gjithë kishim dëgjuar për të dhe kishim mësuar legjenda, por kurrë nuk na kishte shkuar mendja se ajo gjendej në Gjirokastër.

U desh të vinte Fevzo ta zbulonte.

Ndaj dhe ajo duhet të rregjistrohet urgjent në pasuritë e qytetit.

4-Kalaja e Gjirokastrës. Kjo ishte surpriza më e madhe që na ofroi Fevzo.

Ne kishim dëgjuar që ka një kala në qytetin tonë, por kurrë nuk  e kishim zbuluar, se e dinim burg.

Më në fund u desh të vinte Fevzo dhe ta mësonim që ishte kala.

5-Kërculla. Ky është një tjetër zbulim i madh.

Ne kishim dëgjuar që shoku Enver kur vinte në Gjirokastër shkonte në Kërcullë, por nga frika nuk kishim pyetur ku bie.

Tani më në fund e mësuam dhe po e shtojmë dhe atë si pasuri tonën.

6- Ne nuk e dinim që në qytetin tonë ka dy sokakë, që quhen “Sokaku i të Marrëve”.

Njëri niset nga shtepia e Kadarese drejt Enverit e tjetri nga shtëpia e Enverit tek ajo e Kadaresë.

Duhet shtuar dhe kjo pasuri nw inventarin tonw.

Ftojmë anëtarët e Këshillit t’i votojnë këto zbulime të reja si pasuri të qyteti tonë dhe të shpallim Fevzon qytetar nderi të Gjirokastrës, për kontributin që na ka dhënë për të zbuluar një ‘Gjirokastër tjetër’”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje