"Bindja Demokratike do garojë me listë të hapur", Patozi: Ja kush janë kundërshtarët dhe partnerët potencialë për zgjedhjet e 25 prillit

12 Tetor 2020, 16:46Blog TEMA

Nga Astrit Patozi 

Në një takim të zgjeruar të përfaqësuesve të saj nga i gjithë vendi, Bindja Demokratike vendosi sot të nisë rrugëtimin final drejt zgjedhjeve të 25 prillit, duke e konsideruar fushatë elektorale të gjithë kohën e mbetur deri atë ditë, përmes takimeve të drejtpërdrejta me zgjedhësit dhe aktiviteteve të tjera politike.

Ne e cilësojmë antidemokratik dhe antikushtetues Kodin Elektoral të miratuar në mënyrë të njëanshme në parlament dhe si një goditje të qartë kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. E gjithë kjo situatë ka ardhur si produkt i politikës së vjetër të dy blloqeve PS dhe PD, ku përgjegjësia më e madhe i takon “Rilindjes” së Edi Ramës, e cila më 30 korrik votoi për hapjen e listave, ndërsa disa muaj më vonë për mbylljen de facto të tyre.

Bindja Demokratike vlerëson se Shqipëria nuk ka të ardhme me asnjërën nga dy partitë e mëdha, të cilat, jo vetëm kanë shkaktuar gjendjen e rëndë, por edhe kanë dhënë të gjitha provat se ka ardhur dita të ndëshkohen për atë që kanë shkaktuar. Vendi ka nevojë për ndryshim të thellë dhe ai nuk mund të vijë me stanjacionin e Edi Ramës, por as me rotacionin e Lulzim Bashës, si dy alternativa të diskretituara.

Në këto kushte ne përjashtojmë çdo mundësi bashkëpunimi parazgjedhor me përgjegjësit kryesorë të krizës, duke i konsideruar ata kundërshtarë politikë të kësaj fushate.

Ndërkohë, jemi të hapur të bëjmë aleanca apo koalicion me çdo forcë politike të re ose të pakompromentuar, që mbështet apo përqafon kauzën tonë për rrëzimin e kryetarokracisë, si të vetmen mënyrë për të sjellë ndryshimin në Shqipëri.

Në funksion të këtij synimi strategjik ne ftojmë çdo parti, lëvizje, organizatë të shoqërisë civile, grupim shoqëror apo personalitet publik të bëhemi bashkë në një front të vetëm kundër politikës së vjetër, që synon të mbajë peng ende Shqipërinë edhe pas dekadash me dështime dhe skandale.

Me gjithë pabarazinë dhe kushtet diskriminuese, me të cilat po shkohet drejt 25 prillit, Bindja Demokratike është e vendosur të arrijë një rezultat përcaktues në këto zgjedhje. Besimi ynë në sukses mbështetet tek vizioni i duhur politik, që shkon në krah të interesit publik, tek përzgjedhja e ekipit më të mirë për ta përfaqësuar atë në terren, si dhe nga forca e shqiptarëve të zemëruar me aktorët e konsumuar.

Duke u zotuar se do të kemi kandidatët më të mirë dhe më seriozë si ofertën tonë për qytetarët shqiptarë në çdo qark të vendit, ne kemi vendosur që secili prej tyre t’i nënshtrohet rregullave të listës realisht të hapur në garën brenda nesh, si një përgjigje ndaj Kodit Zgjedhor të Edi Ramës.

Në këtë kontekst, pranimi paraprakisht i vendimit që mandatet tona do t’i marrin vetëm ata, të cilët kanë marrë më shumë vota se të tjerët, pavarësisht renditjes në listë, është kusht i panegociueshëm për këdo që do të kandidojë me siglën e Bindjes Demokratike. Duke filluar nga koordinatori e deri tek kandidati më i fundit në radhë, të gjithë do të jemi të barabartë në garë dhe përfaqësimin tonë në parlament do ta vendosin vetëm qytetarët.
Për realizimin e këtij qëllimi do të përgatisim edhe aktet përkatëse, të cilat të mos kenë vetëm vlerë politike, por edhe juridike.

Bindja Demokratike nuk e ka vetëm kauzë për të ardhmen listën e hapur, por do ta shndërrojë atë në një praktikë reale që në këto zgjedhje, duke e kapërcyer me sukses vështirësinë e krijuar me qëllim nga Kodi Zgjedhor i Edi Ramës, i cili bën sikur i hap, por në fakt i mban mbyllur listat. Që do të thotë se tek ne fiton ai, që merr një votë më shumë, ndërsa të tjerët le të bëjnë çfarë të duan me përfaqësimin e tyre, duke u kacavjerrur apo servilosur pas listave të mbyllura të kryetarëve të përjetshëm.

Mbledhja vendosi që brenda muajit të ardhshëm të përgatitet dhe të publikohet programi minimal për qeverisjen e ndryshimit si dhe tezat kryesore të fushatës, që do të përbëjnë edhe bazës e arsyeve se përse qytetarët shqiptarë duhet të votojnë alternativën tonë më 25 prill.

1 komente në ““Bindja Demokratike do garojë me listë të hapur”, Patozi: Ja kush janë kundërshtarët dhe partnerët potencialë për zgjedhjet e 25 prillit”

  1. Shefkiu says:

    Ju kerkoni me te drejte hapjen e listave. Por, a mos ndoshta do te ishte akoma me mire te kerkonit qe lista te shoqerohej edhe me hapjen e dosjeve te periudhes komuniste per cdo kandidat? Po ashtu, do te quhej normale. ta zeme, qe biri ose bija e nje ish punonjesi te organeve te diktatures dhe sidomos ne hierarkine drejtuese te partise komuniste, te kerkonte mbeshtetje per zgjedhjen ne organet legjislative nga partia juaj? Natyrisht, ne Shqiperi kete menyre te menduari qe une shfaq, ish komunistet dhe ushtruesit direkt te dhunes brutale shtetrore mbi njeriun do ta sulmonin me termin “nje lufte e re klasash”. Por ata nuk duan te marrin ne konsiderate, ta zeme, pse ne Gjermani ku sundoi ne menyre barabare nazizmi edhe sot lufta kunder mbeturinave diktatoriale eshte perparesi ligjore, ose ne Amerike te ndeshkojne rende dhe nuk te japin asnje mundesi per te ushtruar pergjegjesi administrative dhe ligjore nese ke mbeshtetur apo mbeshtet dy ideologjite vrastare, nazizmin dhe komunizmin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje