Paraburgimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimit në Gjykatën Speciale në Hagë, të akuzuar për krime lufte në Kosovë, ka shkaktuar një debat të fortë në të dy anët e kufirit shqiptar.
Në qendër të ‘ciklonit’ është kryetari i PD Lulzim Basha, që akuzohet se ka qënë pjesë e misionit faktmbledhës për krimet e luftës si këshilltar ligjor i Tribunalit të Hagës dhe më pas si përkthyes në UNMIK gjatë dëshmive të marra për krime lufte dhe trafik organesh njerëzore.
Ndërkohë që kreu demokrat akuzohet dhe për zhdukjen e videos së masakrës serbe në Krushë të Madhe të Kosovës, të regjistruar nga Milaim Bellanica, që deklaron i vendosur se ia ka dorëzuar Bashës, përfaqësues i Tribunalit të Hagës në atë kohë.
Ndërsa Latif Gashi, ish-komandat i UÇK në zonën e Llapit, një nga luftëtarët e UÇK që është arrestuar nga UNMIK dhe është dënuar me akuzat për krime lufte, tregon pas shumë vitesh procesesh gjyqësore, se Lulzim Basha, aktualisht kreu i PD-së, ka marrë pjesë në arrestimin e tij.
Ai deklaron se “Lulzim Basha mori pjesë në arrestimin tim. U soll keq. Ishte edhe vajza e Sali Berishës. Gjatë kontrollit në banesën time, në zyrën time është marrë një ditar lufte. Edhe ai ditar i luftës për mua ka pas një vlerë të madhe historike dhe për popullin tonë.
Unë besoj, që duke marrë parasysh pozitën e tij si përkthyes edhe si një njeriu më i besuar në atë kohë për gjykatën e UNMIK-ut me një rrogë marramendëse, besoj se ai ditar është përkthyer nga ana e tij dhe së paku besoj se i duhet një sqarim publik dhe ndaj meje si luftëtar i lirisë”, u shpreh Gashi.
Ai thotë se ditari kurrë nuk është proceduar si provë materiale gjatë procesit gjyqësor, “por veç u mor u përkthye dhe nuk i ka vajt drejtësisë ndërkombëtare, por e kanë zhduk. Në procesverbal shkruhet se është marrë ditar lufte prova material 49”. Për të përbënte provë pafajsie!
Ndërkohë Basha akuzohet se në përbërje të grupit të UNMIK të drejtuar nga mjeku antropolog peruan Jose Pablo Baraybar, ka hyrë në mënyrë klandestine në Shqipëri.
Kreu i PD e mohon faktin të ketë qënë në këtë mision marrje dëshmish, por 10 vite më parë ka qënë vetë mjeku peruan i OKB ai që thotë se ka mundur të hyje dy herë në Shqipëri, duke u prezantuar si turist apo inxhinier rrugësh në shkurt të vitit 2004, për të vizituar “Shtëpinë e verdhë”, në veri të vendit, e përmendur edhe në raportin e Dick Marty, për trafik organesh.
Në një intervistë për gazetën “Le Temp”, një nga më të rëndësishmet në Zvicër, ai tregonte në vitin 2010 si mundi të vijë në Shqipëri dhe se kush ishte përkthyesi që e shoqëroi.
“Përkthyesi im quhej Lulëzim Basha. Ai punonte për Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Me pas u bë ministër i Punëve Publike në Shqipëri dhe e kam dëgjuar vitin e kaluar të thotë se kjo histori e organeve ishte brockulla. Ndërkohë që unë e di që ai e di. Ai ishte me mua. Ai kishte dosjen”, tha ai.
Baraybar sqaron se kanë zhvilluar hetime dhe kanë marrë dëshmi në Bicaj dhe në Gurrë të Matit, si dhe në zonat e tjera ku pretendohej se kishte pasur burgje të UÇK në territorin shqiptar.
“Problemi më i madh ishte se UNMIK-u nuk kishte juridiksion mbi Shqipërinë. Ishte e pamundur të bëje një kërkesë zyrtare, prandaj për të tentuar të verifikoja disa informacione të dosjes, kalova si turist me një makinë më se të zakonshme”, tha ai.
Pak ditë më vonë, eksperti peruan në një intervistë për Top Channel po në vitin 2010, konfirmon se në Kukës duke kërkuar si turist burgjet e UCK dhe varrezat e supozuara të viktimave të UCK ishte së bashku me Lulzim Bashën.
I përmendëm këto fakte për të bërë një panoramë të qartë se si Lulzim Basha ka hyrë dhe dalë në Shqipëri bashkë me ekspertin e UNMIK, ku kanë marrë dëshmi të banorëve të zonave respektive në Kukës dhe Mat, jashtë juridiksionit të veprimit të UNMIK.
Zyrtarët e lartë të opozitës dhe mediat që i përkrahin ato i kanë mëshuar fort idesë se Lulzim Basha ka qënë një “copë përkthyesi në UNMIK dhe se është paguar për këtë punë, duke mos pasur asgjë në dorë”.
Eshtë e vërtetë se një përkthyes apo këshilltar ligjor në institucionet ndërkombëtare në Kosovës nuk ka pasur në dorë të hetojë apo të formatojë dosje kundër UÇK.
Nuk e pretendon askush se kanë hetuar, me gjithë nivelin e lartë të besueshmërisë që gëzonte Lulzim Basha dhe grupi familjar i tij i përbërë nga bashkëshortja Aurela Isufi, kunati Erion Isufi, vajza e ish kryeministrit Sali Berisha, Argita Berisha Malltezi e Jamarbër Malltezi apo pjestarë të tjerë. Që më vonë u rikthyen në Shqipëri dhe kapën pikat kyçe të shtetit nën qeverisjen e PD.
Por sado të bëjmë sikur nuk e dimë, roli i përkthyesit në marrjen e një dëshmie është shumë i rëndësishëm, pasi është ai që përcjell atë çka dëshmitari që pyetet thotë për një ngjarje të caktuar.
Dhe bëhet fjalë për dëshmi për krime lufte dhe transplant organesh njerëzore, akuza me të cilat janë ngarkuar ish komandantët e UÇK, përmes të cilave Ramush Haradinaj është çuar në Hagë dy herë, dhe po aq herë ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit.
Po ashtu kreu aktual i Nismës Fatmir Limaj ‘mbeti’ në Hagë, duke dhënë dorëheqjen si ministër më parë, për t’u përgjigjur po për akuzën e krimeve të luftës. Por dhe ish luftëtarë të tjerë!
Pavarësisht se fituan pafajsinë, në bazë të këtyre dëshmive të marra nga misioni i UNMIK dhe të përkthyera nga Lulzim Basha, ata e kanë bërë rrugën e Hagës gati sa herë kanë përshkuar rrugën për të vajtur në Prishtinë.
Po çfarë përgjegjësie mund të ketë një përkthyes në marrjen e një dëshmie?
Imagjinojini në një zonë të thellë të Drenicës, Dukagjinit apo Pejës, në Bicaj të Kukësit apo në Gurrë të Matit, ekspertin e UNMIK Baraybar dhe përkthyesin Lulzim Basha duke pyetur banorët e këtyre zonave për krimet e UÇK.
Pa prezencën e një avokati, pyetet nga mjeku peruan i UNMIK që nuk di asnjë fjalë shqip, një banor që flet me dialekt dhe që ndoshta ka dalë pak nga krahina e tij, dhe përkthen Lulzim Basha i lindur dhe rritur në mes të Tiranës dhe burrëruar në Hollandë.
Eshtë e garantuar se nuk i ka marrë vesh as gjysmën e fjalëve të dëshmisë, dhe nuk përjashtohet mundësia të ketë përcjellë tek Baraybar ato që ka dashur vetë Baraybar. I cili ishte i bindur se ka pasur burgje të UÇK ku janë torturuar serbët në Kukës apo në “Shtëpinë e Verdhë” në Mat janë bërë transpant organesh njerëzore.
Kush do t’i verifikonte çfarë kanë thënë, pasi kanë hyrë në Shqipëri si turistë dhe inxhinierë rrugësh. Pra kanë përpiluar në raport ato që kanë dashur.
Kjo më kujton një rast të hershëm gjatë Luftës së Dytë Botërore të treguar në këto zona, kur gjermanët që po iknin nga Shqipëria për në Prizren, u goditën në një fshat nga një grup banorësh.
Pasi kapën një banor të fshatit e shtruan në dru për të marrë vesh se kush ishte kreu i këtij grupi dhe pjestarët që qëlluan mbi autokolonën gjermane, ndryshe do të ekzekutohej në vend.
Se çfarë kërkonte komandanti gjerman, ia përcillte një dragoman (përkthyes).
Në fund të herës, pasi i erdhi shpirti në majë të hundës, banori i kësaj zone u shpreh: “Xhit kie bre, allahi sa kom jet me rru, Xhevitin s’kom me kallxu (çfarë ke bre, për Allah sa të kem jetë me jetu, Xhevitin s’kam me e tregu)”! I shpëtoi në fakt emri i Xhevitit!
Përkthyesi qëlloi njeri i mirë, dhe tha se po pyet ça keni me mua të shkretin, se s’kam çfarë them. Fshatari shpëtoi falë mirësisë së përkthyesit, që ishte dhe vendas!
Apo një rast i denoncuar në një emision televiziv nga ana e gazetares Rudina Xhunga, ku avokatja dhe përkthyesja greke që mbronte emigrantët shqiptarë nga akuzat për trafik droge, nuk dinte asnjë fjalë shqip.
Për pasojë u mbushën burgjet greke me të pafajshëm, pasi kishte përcjellë avokatja çfarë i kishte shkrepur në mendje, pasi nuk kuptonte asgjë çfarë thonin klientët e saj shqiptarë.
Për të ardhur tek rasti i marrjes së dëshmive nga Baraybar, jam shumë i sigurtë që gjysmën e fjalëve përkthyesi Lulzim Basha nuk i ka kuptuar nga dëshmitë e banorëve të Bicajt, Matit apo dhe të Kosovë.
Por dosja është mbushur plot me dëshmi që rëndojnë të akuzuarit që janë tashmë në Hagë. Por dhe luftën e UÇK që po e baltosin rëndë.
Prandaj deklaratat e tilla se “Basha përkthyes ka qënë në UNMIK”, s’mund ta “pastrojnë” kreun e PD nga përgjegjësia që ka në lidhje me “kopsitjen” dosjeve në ngarkim të ish komandantëve të UÇK. Ndaj është e udhës që Basha vetë të shpjegohet qartë për rolin e tij!/M.Nikaj-TemA