“Arkivoli prej betoni”: Si është jeta e një të burgosuri në një kamp internimi në Kinë

1 Qershor 2021, 13:06Bota TEMA

The Weeek

Pas 2-3 ditësh në kampin e internimit, Sayragul Sauytbay dëgjoi për herë të parë britma njerëzish. Ajo ishte dërguar të punonte si mësuese në një nga qendrat ku Kina “riedukon” ujgurët dhe grupet e tjera etnike të pakicave në provincën veriperëndimore të Xinjiangut.

Ajo i kishte parë tashmë të burgosurit “si të vdekur të pakallur”, me kokat e rruara, me rrathët e syve të nxirë dhe gishtat e gjymtuar, të lidhur me zinxhirë në qelitë e pista dhe të tejmbushura.

Britmat jehonin nëpër dhomat e “arkivolit prej betoni” në të cilin ishin mbyllur. “Nuk kisha dëgjuar kurrë diçka të tillë më parë gjatë gjithë jetës sime. Britma të tilla nuk janë diçka që mund t’i harrosh. Që në sekondën e parë që i dëgjon, ti e kupton se çfarë lloj agonie po përjeton ai njeriu”-shkroi ajo më vonë.

“Ata dukeshin si thirrjet e para të një kafshe që po vdiste”- shtoi ajo. Sayragul mësoi më vonë se britmat vinin nga “dhoma e zezë”, një dhomë e pajisur me zinxhirë nëpër mure dhe pa kamera, ku të burgosurit izoloheshin nga rojet për shkak të shkeljeve të supozuara.

Disa të burgosur dolën prej andej të mbuluar me gjak; të tjerët nuk u dukën më. Sauytbay e dinte se nëse shfaqte shqetësim nga ajo që dëgjoi, mund të përfundonte vetë atje. Pastaj një ditë, mbërriti një grup i ri të burgosurish, përfshirë një të moshuar 84-vjeçare nga një familje barinjsh që jetonte në male.

Kur pa Sauytbay – një tjetër kazake etnike – midis një morie fytyrash kineze, plaka që dridhej e tëra iu hodh në krah dhe bëri thirrje për ndihmë. Për disa sekonda ajo ia ktheu përqafimin. E moshuara u nxor jashtë nga rojet, ndërsa Sauytbay, e dyshuar për komplot, u fut me shpejtësi në “dhomën e zezë”.

Tani ajo po tregon historinë e plotë të burgosjes së saj, torturave që thotë se ka përjetuar, tmerreve që pa në kampe dhe arratinë e saj nga Kina. OKB vlerëson se më shumë se 1 milionë ujgurë, kazakë (grupimi i dytë më i madh etnik në rajon) dhe pakica të tjera kryesisht myslimane, janë aktualisht të burgosur në Kinë.

Për këto kampe ka raporte të besueshme që flasim për punë të detyruar si skllevërit dikur dhe për sterilizimin e detyruar të grave. Kina thotë se kampet janë ngritur për të luftuar ekstremizmin fetar, dhe i ka hedhur poshtë akuzat për çdo keqtrajtim të atyre që janë mbyllur në to.

Madje në vitin 2019, një zyrtar kinez pretendoi se të gjithë të arrestuarit ishin “diplomuar”, kishin gjetur një punë të qëndrueshme, duke theksuar se në të ardhmen pjesëmarrja në qendra do të ishte vullnetare. Deputetët britanikë votuan muajin e kaluar një rezolutë që e cilëson gjenocid atë që po bën Kina në Xinjiang.

Nga ana e saj Sauytbay, e cilëson programin e internimit si më të madhin që nga koha e Rajhu të Tretë nazist, dhe popujt autoktonë si “një koloni skllevërish”. Si një nga 9 fëmijët në familjen e saj, Sauytbay, sot 44 vjeçe, lindi nga 2 prindër barinj gjysmë-nomadë afër kufirit me Kazakistanin.

Familja e saj praktikonte një formë të moderuar të besimit Islam. Ajo u trajnua si mjeke, mësoi të flasë gjuhën kineze, pastaj punoi si mësuese. Ajo u mësoi kinezçe fëmijëve kazakë. Pasi u martuan me Ualin, ata patën një vajzë dhe një djalë dhe ngritën një fermë.

Duke nisur nga vitet 1980, Kina kishte filluar shtypjen e rajonit, duke shfrytëzuar burimet e tij natyrore, nxitur aty migrimin e Kinezëve Han dhe diskriminuar kulturën e popujve indigjenë. Djali i Sauytbay e ka të ndaluar të flasë në gjuhën e tij amtare në shkollë.

Sot, ajo ndodhet në Suedi dhe ka botuar një libër ku dëshmon kalvarin e vuajtjeve. Bisedojmë me të online të ndihmuar nga një përkthyes. Disa episode që rrëfen janë tronditëse. Familja e saj mendoi të emigronte në Kazakistan, por si një punonjëse e sektorit publik Sauytbay ishte detyruar të dorëzonte pasaportën e saj.

Autoritetet kineze filluan ta shndërrojnë Xinjiang në një “Big Brother” me shkuarjen aty në  verën e vitit 2016 të kreut të ri të Partisë Komuniste të rajonit, Chen Quanguo. Thuhet se ai urdhëroi shërbimet e sigurisë:“Mblidhni që të gjithë ata që duhet!”. Komunikimi me Kazakistanin u ndalua.

Sauytbay nuk mund të komunikonte dot me familjen e saj. Ajo beson se dyshohej se ishte martuar me një spiun. Ndaj u rrëmbye dhe u mor në pyetje në disa raste. Ajo e kuptoi se po mbahej në Kinë si një peng. Sipas një politike të re, banorët vendas duhej të jetonin për ditë më radhë bashkë me familjet kineze ose të pranonin vizita në shtëpi.

Kjo do të thoshte se duhej të bënin punë për mikpritësit e tyre, dhe shumë gra duhej të flinin me burra kinezë. Ajo i dha ryshfet burrit me të cilin duhej të jetonte, për të shmangur fjetjen me të.

Në nëntor 2017 ajo u dërgua me një kapuç mbi kokë në një kamp, ku iu tha se do t`u mësonte të burgosurve gjuhën kineze. Në kontratën që nënshkroi thuhej se thyerja e rregullave do të dënohej me vdekje. Ajo e kishte të ndaluar të fliste me të burgosurit, të qeshte, të qante apo t’u përgjigjej pyetjeve të tyre.

Qelia e saj prej 6 m2 kishte kamera që mbulonin çdo kënd. Më vonë ajo mësoi se të burgosurve –që ajo vlerëson se numri i tyre ishte mbi 2.500 -kishin vetëm 1 m2 në dispozicion dhe flinin me pranga ngjeshur pas njëri-tjetrit.

“Studentët” e saj identifikoheshin me numra, dhe detyroheshin të përsëritnin vazhdimisht parullat “Unë jam krenar që jam kineze” dhe “Unë e dua Xi Jinping”. Të burgosurve u thuhej se nëse mësonin mirë do të liroheshin më shpejt, por gjatë 5 muajve në kamp ajo nuk ishte në dijeni të ndonjë personit që u liria.

Të burgosurit myslimanë detyroheshin të hanin mish derri dhe të këndonin këngë që i thurnin lavde Partisë komuniste. Të rinjtë e shëndetshëm zhdukeshin herë pas here, dhe ajo mendonte nëse ato ishin përdorur për trafik organesh apo për punë të detyruar. Një infermiere e paralajmëroi të mos pinte ilaçet e rekomanduara, duke i pëshpëritur në vesh se nuk do të bënte dot më fëmijë.

Ditën që u dërgua në “dhomën e zezë”, ajo pa një tryezë të mbuluar me mjete dhe pajisje torturash, armë të frikshme dhe shufra hekuri për të rregulluar duart dhe këmbët në pozicione të dhimbshme. Në mure ndereshin armë që dukeshin si nga Mesjeta:një mjet për heqjen e thonjve të gishtave; një shtizë; karrige me rripa etj.

Ajo u vendos në një karrige elektrike, dhe u mor në pyetje nga 2 burra. Kur nuk e pranonte fajin e saj, ata e godisnin me rrymë elektrike në trupi, dhe e godisnin në kokë duke qeshur. Ajo vazhdonte të humbte ndjenjat. Torturuesit e humbën në fund interesin, dhe ajo u dërgua në qelinë e saj.

Një ditë Sauytbay iu bashkua 100 të burgosurve që u thirrën në një dhomë ku një grua 20 ose 21 vjeçare u shty përtokë dhe u përdhunua nga tre burra. Rojet shikonin të burgosurit, ndërsa gruaja kërkohet ndihmë, dhe nëse të burgosurit ngriheshin për të protestuar, ata merreshin dhe rriheshin.

Ishte një provë, thotë Sauytbay, për të parë se kush do të sillej sipas rregullave. Ajo arriti ta përmbante veten dhe të mos reagonte ndaj skenës së tmerrshme, por thotë se nuk ka për ta harruar kurrë atë ngjarje. Ish të burgosur të tjerë kanë pohuar gjithashtu se gratë i janë nënshtruar përdhunimeve sistematike në kampe.

Një muaj më vonë u la e lirë. “Ata donin të më bënin fajtore dhe të më dënonin si kriminele. Kjo është arsyeja që ata më liruan”-thotë ajo. E bindur që ajo nuk do të dilte më e gjallë nëse arrestohej prapë, ajo u arratis në mesnatë përmes kopshtit të saj, dhe mes shumë peripecish arriti në Kazakiatan. Atje u ribashkua me burrin dhe fëmijët e saj pas më shumë se 2 vjetësh.

Por ajo e dinte që Kina do të ushtronte presion mbi autoritetet kazake. Brenda disa ditësh, ajo u kap nga disa burra që mendonte se ishin policia sekrete kazakase, të cilët e rrahën dhe i thanë se do ta rikthenin në Kinë. Por gjatë kohës që ishte një qeli, një video në lidhje me gjendjen e saj u bë virale, duke bërë presion ndaj zyrtarëve.

Pas më shumë se 1 muaji burg, ajo përdori gjyqin e saj me akuzën e hyrjes ilegalisht në vend, për të përshkruar atë që po ndodhte në kampe. Dëshmia e saj u raportua në të gjithë botën. Turmat festuan për lirimin e saj. “Unë shpëtova falë bashkësisë ndërkombëtare, organizatave ndërkombëtare, gazetarëve dhe popullit të Kazakistanit”- thotë ajo.

Përfundimisht, në qershorin e vitit 2019, ajo siguroi të drejtën e azilit në Suedi. Sauytbay ka dëshmuar për tmerret që pa dhe përjetoi në kamp në Ministrinë e Jashtme suedeze dhe Parlamentin Evropian. Në marsin e vitit të kaluar, iu dha çmimi Ndërkombëtar i Grave të Guximit nga Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

*Marrë me shkurtime

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje