Kongresi i Ringjalljes që PD-ja ka frikë edhe ta imitojë!

7 Qershor 2021, 10:10Politika TEMA

Pas pak ditësh mblidhet Kongresi i rradhës i Partisë Socialiste. Më 12 qershor. Datë e veçantë përkujtimore që përkon me 30 vjetorin e Kongresit të parë të kësaj force politike.

Do të diskutohet, ndër të tjera edhe për suksesin e zgjedhjeve të 25 prillit, por edhe për të metat, gabimet dhe mangësitë e vëna re. Por do përkujtohet edhe dita e lindjes së kësaj partie. Një “lindje” e vështirë. Pothuajse cezariane.

Ishte mesi i vitit 1991. Po bëheshin afro dy vjet nga rënia e Murit të Berlinit. Gëzimi, shpresa dhe entuziazmi kishte kaplluar të gjitha vendet e Europës Lindore, popujt e të cilave ëndërronin dhe shpresonin për një jetë të begatë dhe të lire.

Vetëm Shqipëria kishte mbetur deri atëhere si guri i fundit i “dominosë” në Europë.

Por edhe këtu gjërat kishin filluar të lëviznin.  Aq më shumë që situata në vend kishte takuar fundin. Në të gjitha fushat. Sidomos në atë ekonomike. Në masën e popullit ishte krijuar bindja se nuk mund të ecej më kështu. Duheshin ndryshime të thella. Shqipëria s’kishte pse të tregohej me gisht si “delja e zezë” e Europës.

Opinion ky që mbështetej edhe nga një masë e gjërë komunistësh, deri në nivelet më të larta.

Në këtë atmosferë hutimi, dëshpërimi dhe shprese të vakët filloi punimet edhe Kongresi i 10-të i Partisë së Punës. Ishte 10 qershori i vitit 1991.

“Rinovim” – ishte parrulla e ditës.

Si paradoks i historisë, 4 vjet më parë, po në Pallatin e Kongreseve, ishte mbajtur edhe Kongresi i 9-të i PPSH, që ishte pagëzuar  atëhere me bujë si Kongresi i Vazhdimësisë!

Por gjërat kishin ndryshuar.

Kongresi i ri ishte epilogu i dy vjet tallazesh në gjirin e shoqërisë shqiptare. Frika ishte vrarë. Njerëzit kishin filluar të flisnin hapur dhe pa ndruajtje.

Ramiz Alia që luante fijet prapa perdes mbante fjalime të dyzuara. Askush nuk guxonte ende të dilte hapur kundër trashigimisë së rëndë të Enver Hoxhës.

I pari që guxoi, i pari që e kuptoi se «akulli» duhej thyer, ishte personaliteti i shquar dhe kurajoz Ylli Popa. Intelektual në origjinë, por edhe figurë e respektuar në kupolën e PPSH-së, ai i dorëzoi Marash Hajatit, kryeredaktorit të «Zërit të Popullit» në atë kohë, shkrimin e tij të famshëm «Në kërkim të kohës së humbur». Shkrimi u botua në dy numra më datat 28 dhe 29 prill 1990.

Pra rreth 1 vit para fillimit të punimeve të kongresit të fundit të PPSH-së.

Artikulli pati efektin e një bombe. Në mbarë opinionin publik, por po ashtu edhe në gjirin e vetë ZP-së. Shumica ishin të tronditur. Disa e mbështetën pa asnjë rezervë.

Ndryshe nga është thënë dhe shkruar Marash Hajati, nuk e botoi me « kokë të vet » shkrimin e Ylli Popës. Por ai e pagoi me kokën e vet. Me postin që mbante.

Për të qënë i «mbrojtur» ai njoftoi paraprakisht Ramiz Alinë dhe i sugjeroi atij që ta lexonte këtë shkrim dhe të vendoste nëse duhej ta botonte te « Zëri i Popullit » apo jo.

Përgjigja e Ramiz Alisë ngërthente brenda vetes gjithë karakterin e drejtuesit kryesor të shtetit në atë kohë :

«Nuk kam kohë ta lexoj tani. Jam shumë i zënë. Do ta lexoj nesër në gazetë”!

Më bukur, më troç dhe më me zgjuarsi nuk mund të thuhej: – “Botoje”!

Përveç asaj që kishte shkruajtur në gazetë, në një takim në korridoret e redaksisë ato ditë, Ylli Popa pati edhe kurajon të shtronte pyetjen:” Po ku ka shkruajtur Marksi se vendi duhet të udhëhiqet nga një parti e vetme”?!

Botimi i këtij artikulli te organi qëndror i Partisë së Punës kishte arsyet e veta.“Zëri i Popullit” në atë kohë  ishte shndërruar në flamurtarin e ndryshimeve politike dhe ideologjike në vend. Falë edhe kryeredaktorit të saj.

Ishte mesi i vitit 1990.

“Rilindja Demokratike” e pagëzuar kështu nga personaliteti i shquar kosovar, Rexhep Qosja, nuk kishte “lindur” akoma. Numri i parë i kësaj gazete e pa dritën e botimit më 5 janar të vitit 1991  dhe ishte e përditshmja e parë e lirë pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri.

Ndërsa “Koha Jonë”, ish gazetë lokale e Komitetit të Partisë të rrethit të Lezhës me kryeredaktor Nikollë Lesin, e botoi numrin e saj të parë si gazetë private më 21 maj 1991.

Por jehona e artikullit të Popës nuk mbeti me kaq.

Në një shkrim të asaj kohe, botuar në rubrikën e famshme të ZP-së, “Refleksione” ishte Ismail Kadareja që theksonte: “Se shkrimtarit duhet t’i ngrijë pena në dorë kur pushteti u shkel qytetarëve të drejtat e njeriut”.

Sali Berisha i mbante ison: “Mosdënimi i krimeve pjell monstruozitete” – nënvizonte kardiollogu i njohur në refleksionet e tij. Një fjali që ndezi debat deri në gjirin e redaksisë në atë kohë. A duhej mbajtur  koka prapa, pra nga e kaluara me krimet dhe fajet e saj, apo duhej shikuar vetëm përpara”!

Por koha nuk priste diskutime fillozofike. Bashkë me të edhe opinioni shoqëror. Kërkoheshin ndryshime konkrete dhe të prekshme. Deri lart!

Dhe kupa u mbush dhe u derdh kur kryeredaktori kohëshkurtër i gazetës, Marash Hajati, shkruajti artikullin me titullin e bujshëm: “Kur koha kërkon të lirosh vendin”!

Ishte një aktakuzë e ashpër ndaj të paftëve që kishin mbërritur me porosi të Enver Hoxhës deri në Byronë Politike. Ky titull i kishte dogëndisur keqas në stomak ata ish mjelësa, shoferë apo korrocierë që vegjetonin në krye të PPSH-së së asaj kohe. Lenka Çuko, ish vjelëse dalluar e pambukut në kooperativën e zgjeruar të Këmishtajt dhe asokohe anëtare e Byrosë Politike u shpreh hapur: Po na vret sytë “Zëri i Popullit”!

Nuk kaloi shumë kohë dhe Marash Hajati u shkarkua pa asnjë ceremoni. U la në dispozicion ,siç thoshin në atë kohë. Ishte një blatim që Ramiz Alia ua ofronte konservatorëve të PPSH-ë

Dy hapa para, një hap prapa – ky citat i Leninit dukej se ishte përvetësuar më së miri edhe nga vetë Ramiz Alia.

Vendin e tij, për t’i vënë gjërat në rregull, e zuri Spiro Dede.

Erdhi dhe dita e kongresit. Njerëzit në mbarë vendin prisnin të shihnin se çfarë do të ndodhte. Do të fitonin “të moderuarit” apo “konservatorët” e frymës së vjetër. Pas disa diskutantëve në tribune u ngjit edhe Dritëro Agolli.

Shumë është folur dhe shkruar, edhe deri më sot, edhe për fjalimin e famshëm të tij nga tribuna e Kongresit të 10-të. Kishte kaluar më shumë se një vit nga shkrimi i Ylli Popës.

Edhe fjalimi i Dritëroit, i njohur deri atëhere si nje komunist konsekuent, pati efektin e një rrufeje në qiell të hapët. Jo vetëm nga elokuenca e njohur e tij, por sidomos nga « thyerja » me të shkuarën.

Megjithatë Dritëroi në fjalën e tij mbeti brenda «kornizave».  Fjalimi i tij nuk ishte ai i një disidenti, por i një komunisti të reformuar që e kishte kuptuar se nuk mund të vazhdohej më si më parë. Pra në një linjë të plotë me politikën e Ramiz Alisë.

Por ai fjalim tronditi dhe shushati shumë nga pjesëmarrësit e kongresit.  Dhe ndërsa Dritëroi shtronte piketat e së ardhmes, pa ngurruar të kritikonte gabimet dhe fajet e së kaluarës, nga mesi i sallës u çua një burrë tejet i moshuar, i veshur me një kostum ngjyrë të çelët. Nuk kuptohej se çfarë thoshte, por nga bastuni që i dridhej në dorë duke e drejtuar ndaj Dritëroit, kuptohej se pothuajse po ikte nga fiqiri.

Të pranishmit filluan të vënin buzën në gaz apo të qeshnin. Sytë e të gjithëve u drejtuan nga llozha ku kishte zënë vend Ramiz Alia. Dhe ai qeshte dhe e drejtonte gishtin nga plaku i zëmëruar, sikur donte të thoshte: Mos u merrni me mua, po shikoni atë.

Gjatë asaj kohe Dritëroi u ndesh me një mori njerëzish që i afroheshin foltores nga ku ai po fliste, me lloj lloj pusullash me pyetje të ndryshme. Ishin rreth 20 veta që e nervozuan ish kryetarin e Lidhjes së shkrimtarëve, saqë e detyruan të deklaronte atë shprehjen e famshme: «Koha po dëshmon se ju nuk mund të rinovoheni ».

Dukej qartë se komunistët në «platé» nuk ishin fare në dijeni se çfarë po «kurdisej» atje lart, te «lozhat».

Në pushimin midis dy seancave Dritëroi e pa veten keq. Askush nuk po i afrohej. I vetmi që e theu “bojkotin” ishte gazetari i sektorit të jashtëm të “Zërit të Popullit”, Shkëlqim Beqari. Akulli u thye. Pas tij edhe disa të tjerë iu afruan dhe e përgëzuan Dritëroin për guximin e tij.

Në atë moment mund të thuhej se komunistët e kishin vrarë përfundimisht babain e tyre shpirtëror. Madje edhe më keq akoma – e kishin varrosur edhe ideologjikisht.

Kështu vajtën punët deri në mbrëmjen e 12 qershorit 1991, dita e fundit e PPSH-së dhe e para e Partisë Socialiste. Ishte mbrëmje dhe përfundimet e kongresit duheshin pasqyruar me forcë dhe bujë në faqet e gazetës. Të mbledhur në zyrën e kryeredaktorit  të asaj kohe, Namik Dokles, po diskutohej për faqosjen, titujt dhe nëntitujt. Në mes të këtij “këshilli” Namik Dokle shtroi i pari pyetjen:”Si do ja bëjmë tani me drapërin dhe çekanin?!

Ishte fjala për stemën që ndodhej në krye të faqes së ZP-së pranë titullit të saj. Ne tani nuk jemi më komunistê, por socialistë. Emblema jonë është trandafili! – vazhdoi kryeredaktori i ZP-së. Pas një heshtjeje të shkurtër u vendos që stema me drapër e çekan të hiqej nga kreu i gazetës, që shoqëronte testaton e “Zërit të Popullit”.

Tipografët e shtypshkronjës, që gjendej poshtë redaksisë, duket se mezi e kishin pritur këtë ditë. Dhe stema e famshme përfundoi në kazanin ku shkrihej dhe rishkrihej plumbi që përdorej nga linotipet e kohës.

Një thyerje tjetër kjo me të kaluarën 45 vjeçare. Një tjetër simbol që hidhej poshtë.

Këto ishin zhvillimet e vrullshme drejt demokracisë të para 30 vjetëve. Që të arrinte të ringrihej në këmbë, që të kishte mundësi të udhëhiqte vendin drejt një epoke të re,  PPSH-ja e vrau dhe e varrosi babain e saj shpirtëror.  Dhe rilindi me një ideologji dhe platformë të re politike, ekonomike dhe shoqërore.

Dhe me emër dhe njerëz të rinj në krye.

Sot ajo është përsëri në udhëheqje të vendit. Viti i 17-të i saj në pushtet gjatë kësaj periudhe 30 vjeçare.

Ndërsa PD-ja duket se po ngurron haptazi ta ndjekë këtë shembull. Edhe më keq se kaq, ajo duket se është ngurrosur. Në zgjedhjet e reja për kryetar partie kandidatët e saj po konkurrojnë veçse me motivin se kush e do më shumë “babën”!

Por ndofta edhe PD-së i nevojitet, (tashmë që Amerika i vuri pikat mbi “i”), një periudhë 5 vjeçare katarsisi, apo kalimi të purgatorit, për tu rithemeluar. Por ndryshe nga PS-ja që u transformua rrënjësisht, PD-ja e ka më të lehtë detyrën. Ajo ka nevojë veçse që të rikthehet në idealet e themelimit të saj të 12 dhjetorit 1990.

Duke thyer zinxhirët. Pa u mbajtur më peng. Që t’i shërbejë, siç deklaronte ajo vetë në fillimet e saj, të ardhmes së vendit. Dhe jo më interesave vetjake të një personi apo të një klani familjar.

Ky është kushti i vetëm.

Përgatitur për “TemA” nga Viron Gjymshana

7 komente në “Kongresi i Ringjalljes që PD-ja ka frikë edhe ta imitojë!”

  1. FAKTI says:

    Pergatitur nga Viron Gjymshana; e lexova shkrimin, Viron dhe mua me pelqeu, por ndonje pasktesi qe ke aty kushton shtrenjte per ata qe kane lindur ne ate vit dhe sot jane 30 vjeç , afersisht sa ishte Ilir Meta apo Pandeli Majko kur u bene kryeministra te Shqiperise. Une po permend vetem nje qe te kihet parasysh se te vertetat duhen shkruar dhe thene si kane qene jo si na e tregon Sali Berisha virgjerine e tij. Ke thene me larte se : “Lenka Çuko, ish vjelese e dalluar e pambukut ne kooperativen e zgjeruar te Kemishtajt dhe asokohe antare e byrose politike u shpreh hapur: “Po na vret syte Zeri Popullit!” P.S. Lenka nuk ka qene vjelese e dalluar nê Kemishtaj, por mjelese e dalluar ne Krutje. Sa per Kemishtaj ka qene kryetare e kooperative se tipit larte Themi Thomai qe u be ministre e bujqesie dhe pati edhe rezultate dhe zotesi profesionale per koken dhe kushtet. Prandaj edhe kur doni te relativizoni gjerat, mos i beni kaq bajate dhe te genjeni brezat sepse keshtu po e ndertoni historine sot si Beqir Meta apo Uran Butka! Ti po te jeshe i sinqerte sa une, pavaresisht se une jam anonim, mund ta sqarosh dhe ta pohosh se ka nje lapsus, ndryshe perseri s’ka rendesi; sa genjehet sot, nuk eshte genjyer as ne kohen e inkuzicionit. U mesuam. Njeriu eshte gjallesa qe nenshtrohet me shpejt duke u nisur nga interesat qe ja ulin vleren humane. Une e bera komentin per korrektese per vete dhe te tjeret. Te faleminderit .

  2. Pensionisti says:

    “Fakti”
    U tregove me i shpejte. keto po shkruaje edhe une.

  3. Kalec Dega says:

    …kongresi i leshit, lol…kongres per celulen e PPSH, te vetequajtur Demokratike…
    =
    kush gjen me emer dhe numer nje demokrat nga ajo ripjellje e PPSH…Gramozi, Hajdari, Ruli, Ceka apo Berisha, lol!

  4. RETROSPEKTIVE says:

    Me 12 qershor Partia Socialiste feston 30 vjetorin e pagezimit si e tille, pra Socialiste nga Parti Komuniste ne nisje, pastaj ne Parti e Punes .
    Ka po ate gazete 79 vjecare te Enver Hoxhes ‘Zeri Popullit’ qe nuk le shteg per alibi per parti te re.
    Sot kjo parti e Enverit kryetar, pastaj e Ramizit, me tej e Fatosit e sot e Rames ka po ate gazete 79 vjecare te Enver Hoxhes ‘ZERI POPULLIT’ si shembull kokforte se nuk ka kurrfare Parti Socialiste 30-vjecare por ka nje zghgarravine persiper asaj Partise Komuniste te krijuar nga Dushan Mugosha dhe Miladin Popovici ne 8 nentor 1941.

  5. LAÇJANI says:

    Po sa te pafytyre jeni, po ç’fare lindje në 1991, aty pati nderrim emri, e njëjta seli, të njetit njerëz, enjeta praktikë, me etje të madhe për të vjedhur e shtuar zullumet, fatkeqësi e madhe që vazhdon dhe nuk dihet se sa do vazhdojmë kështu.

  6. Artıkull klase kush dın te lexoje dhe te mendoje nuk ka nevoje per asnje lloj sugjerımı,Lulı me Partıne e tıj po nuk dıtı me ı dhene zgjıllje,Te mesoje nga pervoja e PPSH Pra nuk eshte ne nje rruge te pa shkelur,Ec aty or trangull se nuk je per kete pune,

  7. Taulant says:

    Sa mire qe kemi “LAÇJANE” se keta, po ti shtrydhesh vetem DEMOKRACI kullojne.
    Jane “nana” e DEMOKRACISE.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje