Ilir Meta është duke pritur Sali Berishën

20 Qershor 2021, 20:49Editorial TEMA
Ilir Meta është duke pritur Sali Berishën

Nga Mero Baze

Ndryshe nga teatri i Lulzim Bashës, që pas humbjes po kujdeset orë e çast të mbyllë letrat që të mos i marrin partinë, dyshja tjetër opozitare Meta-Kryemadhi, janë zhdukur nga skena politike pas 25 prillit.

Përveç solidaritetit me Sali Berishën pas futjes në listën zezë të SHBA, Ilir Meta thuajse nuk ka bërë më asnjë gjest politik. Bile as për shkarkimin e tij nga Parlamenti.

Javën e fundit ai po shëtit në disa fshatra shqiptarë të Malit të Zi, duke vizituar kisha e xhamia, nga Kraja në Ulqin, dhe thuajse nuk ka asnjë reagim politik për atë që ndodh me opozitën.

Ky refuzim vjen pas një dështimi per të bërë aleancë me Partinë Demokratike pas zgjedhjeve dhe me rezultatin poshtërues të LSI më 25 prill, për të cilin Meta fajëson nën zë dhe Lulzim Bashën.

Mungesa e reagimit të Ilir Metës është një sinjal i pastër kundër Lulzim Bashës dhe përpjekjes së tij për te mbajtur vulën dhe zyrën e opozitës, si një projekt i njëanshëm i Bashës dhe kundër interesave afatgjate të PD për t’u kthyer në pushtet.

Që PD të vijë një ditë në pushtet, e ka të nevojshme një aleancë afatgjatë me LSI, edhe pse ajo është dërrmuar keqazi në zgjedhjet e fundit. Edi Rama ia ka bërë më të lehtë Bashës të negociojë me Ilir Metën, por nga ana tjetër, ia ka bërë më të vështirë Ilir Metës gjunjëzimin para Lulzim Bashës.

Mekanizmi i vetëm që Ilir Meta të riafrohet me PD dhe të bëjnë një marrëveshje afatgjatë së bashku, është Sali Berisha. Ilir Meta po hesht jo se i vjen turp nga rezultati i zgjedhjeve, por se ndjehet i tradhtuar nga Luzlim Basha dhe përshtatja e tij me skemën e Edi Ramës për të asgjësuar LSI-në.

Ai e ka përjetuar keq gjatë fushatës faktin që biznesmenët e mëdhenj që sponsorizojnë fushatat elektorale, këtë radhë trokisnin vetëm në dy dyer, tek Rama dhe Basha, duke e konsideruar atë të panevojshëm.

Më tej akoma, Ilir Meta e ka përjetuar keq jo vetëm betejën e Ramës për eliminimin e LSI, por dhe mobilizimin e PD që LSI të mos kishte hapësira dhe në qarqe si Gjirokastra, ku me pak tolerancë të PD, rezultati do të ishte 2 me 2.

Pas zgjedhjeve, në shumë nga analizat e PD, LSI dhe personalisht Meta, është konsideruar faktor regresiv, që ka ndikuar në humbjen e zgjedhjeve për shkak të ndërhyrjeve të tij skandaloze në fushatë.

Futja e Berishës në listën e zezë të SHBA, ishte një goditje përfundimtare për të, pasi i nxori atij nga loja aktorin e vetëm që ai mund të përdorte për një ristrukturim afatgjat të opozitës.

Rruga e Ilir Metës për rikthim në opozitën zyrtare kalon përmes Sali Berishës.

Është kjo aryseja që ai ka injoruar rizgjedhjen Bashës, njësoj si shkarkimin e tij nga Parlamenti.

Edhe ai, si shumë të tjerë, po presin shtatorin dhe qëndrimin e Lulzim Bashës ndaj Berishës.

Nëse Basha ndërmerr hapin që i kerkon SHBA, atëhere opozita do të ketë dy blloqe të mëdha, njëri Berisha-Meta, e tjetri Basha. Të dy mund të vazhdojnë më vete përpara, por me probleme për të bërë një aleancë politike në zgjedhjet e 2023, për pushtetin lokal.

Nëse Basha nuk e përjashton Berishën, çka do të jetë një vendim shumë i vëshitrë për të, Ilir Metës do t’i duhet të vazhdojë vetëm, pasi Basha nuk mund të mbajë dy “dele të zeza” të SHBA në parti.

Rruga e trete eshte që Basha te presë që Berisha të ikë vetë dhe nëse nuk iken ai, të shtyjë hyrjen në Parlament, derisa Berishës t’i ndodhë ndonjë gjë tjetër.

Është kjo arsyeja që Ilir Meta po pret në heshtje të përfundojë teatri brenda PD dhe pastaj të ulet me Berishën, të vendosin se çfarë do të bëjnë, ta marrin vetë në dorë, apo të mbajnë Bashën si fasadë, siç kanë bërë 8 vjet.

Deri atëherë, Basha është i lirë të sillet si kryetar i PD, pastaj duhet ta ndajë nëse do të jetë me Berishën e Metën kundër SHBA, apo më vete, duke i pasur ata aleatë në një formacion tjetër opozitar.

5 komente në “Ilir Meta është duke pritur Sali Berishën”

  1. P says:

    Keto delet e zeza do ti lene akoma te kulloten.Nuk do te dale ndonje ujk ti haje.Dhe me kete rast shpeton opozita dhe populli .

  2. Aleanca per mbrojtjen e tallashit says:

    Mero djali, unë mendoj pak më ndryshe.
    Këto kalkukacine i hodhi poshzë DASH- i me brirë i dajo Samiut!?
    Është jashtë llogjikës së shëndoshë racionale, çdo teori që ushqen iluzione për një aktivitet politik të dy personazheve më negativ që toka shqiptare në historinë e sajë, lindur ka.?
    Pikë…..
    Amerika nuk ka rrugë tjetër, përveç nxjerrjes përpara drejtësisë të dyshes S.B. dhe I.M.?
    Çdo altrrnativë tjetêr do dobësonte ndjeshëm besueshmërinë e sajë?!!!

  3. Lomy says:

    Dmth mero (rama) shpreson qe nuk do arrestohet apo goditet penalisht ndonje nga keta dy kafshet e vjetra te politikes…
    Dmth rama dyshon qe ne fund do shkoje dhe vete per lesh pasi te ikin keta te dy se per aq duhet..
    Sh mire dhe urime te gjitheve – ne ps do perfundoni sado te kujtoni se mind te vazhdoni te luani!!

  4. redaktori says:

    Dhe thone pastaj – Pse nuk iken Saliu?
    Po kush e le Saliun te ike, Merot? Po te ike Saliu Merot behen memece ndaj dhe me te Saliut ne goje nxjerrin buken e perditshme dhe Saliu bindet se pa ate nuk kuptohet politika e dites.

  5. Berti says:

    Mero. lsi mori 1007 mije vota te numeruara mero. Per shkak te sistetemit nuk prodhoi me shume se 4 deputete nderkohe qe doshi veri 3 deputete me 30 mije vota.
    Prandaj sado ti hidhni hi syve njerezve duke thene qe u derrmua Lsi, mbeten dy fakte te verteta. Po, LSI ka 4 deputete, shume pak ne krahasim me votat qe mori. Por
    KA MARRE 107 MIJE VOTA. JASHTEZAKONISHT SHUME PER NJE PARTI TE VOGEL. VOTA TASHME TE KONSOLIDUARA PASI U MOREN PA PATUR AZNJE PUSHTET EKZEKUTIV APO LOKAL.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje