Arbër Salihu është një nga artistët më kontravers të momentit. Së fundmi, ai ka punuar me instrumentin e sharkisë një këngë të Rihannës duke tërhequr shumë vëmendje në rrjetet sociale.
Në një lidhje me Skype në “ABC e Mëngjesit”, ai tregoi se ky instrument është shumë i veçantë, por edhe i vështirë për t’u përdorur tek çdo këngë.
“Në rastin e fundit kam punuar një këngë të Rihannës me sharku, një instrument shumë të popullarizuar në trevat shqiptare. Edhe ka pas një reaksion më të madh më të bujshëm se zakonisht.
Sharkia ka 5 tela, po dy prej tyre janë të dyfishtë dhe realisht i bien si me pas tre tela. Është vështirë për t’i përshtatur çdo lloj kënge me një instrument të tillë. Po duke eksperimentuar ja gjen fillin disi”.
Sakaq, Arbëri është i njohur për publikun shqiptar edhe si vëllai i këngëtarit Genc Salihu. Sigurisht që edhe në këtë intervistë, ai nuk nguroi të shprehte mirënjohjen ndaj tij.
“Genci është 10 vjet më i madh se unë dhe kam fat që e kam përcjell nga afër krejt jetën, karrierën e tij. Edhe kam pasur shumë se çfarë të mësoja se është një nga njerëzit më të talentuar, artistëve më të arrirë në Shqiptari. Më ka dhënë shumë dhe jam me fat që e kam vëlla”.