Shqiptari sfidon padashje Neofashizmin, ekstremistët BE-në dhe historia e Krujës

1 Gusht 2021, 20:19Blog TEMA

Nga Ben Andoni

Futbollisti i përfaqësueses shqiptare Hysaj në mbrëmjen inauguruese me “Lacion” nuk u shfaq  aq mirë. Djali i talentuar shqiptar, pa asnjë qëllim provokues e aq më tepër politik dhe madje i pashquar ndonjëherë për mesazhe të tilla, këndoi sipas zakonit sportiv një këngë. “Bella Ciao”, kjo këngë e vjetër partizane, e cila po vjen sërish prej serialit “Casa de Papel” u konsiderua si gjëmë nga tifozët e “Lacios”, të cilët në masë konsiderohen si mbështetës të ekstremit të djathtë. Ose si rëndom i etiketojnë në Itali: Neo-fashistë. Në fakt, s’ka qenë kurrë e lehtë me ta. Me sa duket, duhet të bësh më “të mirën”, atë që dikur e bënë disa lojtarë duke përshëndetur publikisht si fashistë, të kesh bekimin e tyre. Për fat ishte vetë “Lacio” e cila me një deklaratë davariti problemin, mbrojti si duhet lojtarin e vet, anipse s’mundi t’ua fashisë dot ndjenjën e hidhur ithtarëve të Musolinit.

Qysh pas Luftës së Dytë Botërore, u pa se Fashizmi, kjo dukuri përbërëse e shekullit XX nuk do i ndahej aq lehtë Evropës. Shkrimtarja e njohur kroate Dasha Drndi    q rrëfen te “Sonnenschien” sesi nazistët më të tmerrshëm të L2B bridhnin të qetë dhe të organizuar si elitë në jetën mondane duke i kërshëruar dhimbshëm viktimat me plagët ende të hapura. Disa vite më vonë, lëvizjet idealiste studentore ngado Evropës që kulmuan me vitin 1968, mes shumë problematikave të tjera, përballin dhe urrejtjen për këtë grup që vetëm përfiton, shtetit që mbyll sytë dhe madje edhe bashkëpunon me të Djathtën ekstreme ngado. Dhe, siç ndodh rëndom kontinentit i mbijnë simotrat, që lidhen me të Majtën ekstreme, po aq të hidhura, ku Baader-Meinhof në Gjermani, Brigate Rosse në Itali, Action Directe në Francë e “17 Nëntori” në Greqi do e trandin qetësinë me vrasjet e politikanëve, gjyqtarëve, gazetarëve e kështu me rradhë. Por, nuk është se e Djathta trembet, një grupim i saj po lind dhe derdh tentakulat ngado, duke kërkuar fillimisht një hegjemoni kulturore (të Djathtë), ta përdorë më vonë për qëllime strategjike, citojmë Samuel Salzborn (2017).

Gati 80 vite më parë, një personalitet me një ngritje shumë më të madhe se Hysaj, por edhe se i gjithë ekipi i “Lacios” sëbashku, kryeministri fashist shqiptar Mustafa Kruja i duhej të përballej me një realitet që e kuptoi vetë i pari se s’mund të ishte i duhuri. Po pse vallë duhej ta vishte uniformën dhe t’i shërbente fashizmit, të pyesin sot me të drejtë? Analizat që duhej t’i bënin historianët tanë janë ngushtuar sipas interesave kurse në vitet e socializmit, Kruja ishte i nëmur. Dhe, jo më kot. Ishte pjesë e një të shkuare, që nuk kishte vend, paçka ndershmërisë së Krujës. Por le ta lëmë të flasë me gojën e vet, Shkëlqesinë e tij:“…detyra ime parësore ishte ta shpëtoja vendin tim, këtë vend të vogël kaq kafshatë e lehtë për sllavo-komunizmin, ta shpëtoja nga rreziku që e kërcënonte nga aq pranë; vetëm në këtë mënyrë atdheu im do të zinte vendin përkrah Perëndimit. Në fjalimin tim të fundit publik si kryeministër shqiptar mbajtur më 22 nëntor 1942, thashë se Bashkimi Sovjetik i tradhtonte aleatët e vet sapo nuk kishte më nevojë për ta, dhe se nëse përfundimi i luftës do ta gjente Shqipërinë komuniste, ajo do të shndërrohej në një provinckë të perandorisë sllavo-komuniste që do të shtrihej nga deti i Japonisë deri në Adriatik. Isha në prag të dhënies së dorëheqjes. Si kryetar qeverie, desha t’i hidhja këtë paralajmërim të fundit bashkatdhetarëve të mi. Njeriu verbohet nga pasionet, bëhet shurdh, humb ndërgjegjen. Por jam i sigurt që në Shqipëri janë të shumtë ata që tani e kujtojnë atë paralajmërim. Pra, pa marrë pjesë aktive në lëvizjen shqiptare, ngaqë shihja qartë që kjo do të çonte ujë në mullirin e komunizmit, u orvata, sidoqoftë, ta ndihmoj, e ndihmova. Asnjë kundërshtar nacionalist nuk e pa derën e burgut për veprimtari politike për sa kohë qeverisa”, shkruan duke u justifikuar dhimbshëm në ekzilin e Aleksandrisë më 12 Prill 1952.

Vallë a ishte i justifikuar pro-fashizmi i tij? Dhe, në kohën tonë: A mund të durohen sot ekstremizmat dhe ngritja e zërave të neo-fashistëve? Kuptohet se ato para se të gjallojnë, i prijnë me temën e preferuar: Rreziku ndaj Komunizmit dhe ngjalljen e këtij të fundit! Deridiku duket një shqetësim pasi kur mendon atë që Komunizmi i bëri njerëzve me dogmën e tij ideale të parealizueshme, persekutimin e pamëshirë, njerëzit tërhiqen disi. Por, a është vërtet kaq rrezik më me të? Një buzagaz shoqëron këdo që përballet me këtë dhe ca më shumë neokomunistët, që në fakt shpesh bëhen qesharakë kur artikulojnë gjëra që nuk i provojnë më dot. Jo më kot, i ndjeri Roger Scruton, ideolog i shquar i të Djathtës, i shikon Konservatorët sot si sekt, që u duhet të mbijetojnë përballë një shoqërie aspak të këndshme, ku e Majta ka marrë boll terren. Kurse Isaiah Benjamin e shikon ndryshe diku: “Pas çdo Fashizmi fshihet një Revolucion i dështuar”. Po çfarë ka dështuar sot? Me sa duket vetë Evropa. Dhe, fashizmi si ideologji dhe fenomen politik, paçka se nuk mund të ketë atë formë klasike që ia jepte dikur propaganda me patosin grotesk të Musolinit dhe hidhësinë cinike të Hitlerit duket bajagi i pranishëm në ditët tona. Historiani Robert Paxton e përshkruan si “një formë e sjelljes politike”, e cila përcaktohet nga një “preokupim obsesiv me rënien, poshtërimin ose rolin e viktimës së një komuniteti dhe nga kulte kompensuese të unitetit, forcës dhe pastërtisë”. A i justifikon kriza neofashistët?!

Në fakt, Evropa e sotme jo thjesht është në krizë por duket se po e përcjell këtë gjëndje në të gjithë kontinentet të cilat mundohen ta imitojnë për mënyrën e saj të jetesës dhe jo vetëm. Ekstremistët tashmë janë plot pathos. Në Angli, Laburistët dëgjohen gjithnjë e më pak, kurse jo pak vite të shkuara ekstremistët e UKIP kapën gati 30% të përkrahjes së popullit britanik; të Majtët francezë kanë humbur e po humbasin terren ndërsa Marinë Le Pen e ka frikësuar realisht skenën politike. Në Gjermani situata për socialdemokratët nuk është aq e dashur dhe jo më pak Ekstremistët që po forcohen në vendet e Ulëta apo në Austri. E Majta ende mbahet me sloganet dhe përparësinë prej zhvillimit të një ekonomie të suksesshme, ku thuhet se “socializmi demokratik”, tregoi cilësi me Skandinavinë dhe kjo përdoret gjithnjë e më shpesh si justifikim. Dhe, suksesi i Gjermanisë: është me të vërtetë një vend që ka jetuar nën ndërhyrje ekstreme ekonomike për një periudhë të gjatë dhe falë të Majtës, shkruan te “Is Germany Successful Thanks to Socialism?”, autori i ri Kai Weiss.

Në fakt është vetë Bashkimi Evropian, me politikën e vet, që duke hequr barrierat ekonomike ngriti sot një perde të re të hekurt, e mbi të gjitha ato dasi brenda shoqërive. Muret e frikshme, sot, vërtetë nuk janë me tulla dhe beton por janë shumë më të egra pasi janë brenda nesh. Vendet e Evropës Qendrore po e tregojnë hapur diferencën dhe mosdakordësinë, e ku jo pak herë ndodh që vetë emigrantët e përbuzur kur fitojnë status, bëhen ushqim për ekstremistët e janë kthyer madje kundër të tjerëve si ata. Të mos harrojmë rastet e “Agimit të Artë” në Greqi me shqiptarët në përbërje. Kështu, populizmi i djathtë me nuanca të neofashizmit, duke notuar në këtë amulli, është bërë disi pjesë integrale e spektrit të partive të ashtuquajtura demokratike për vite me rradhë. Të mjafton të dëgjosh në Shqipëri kinse histerinë ndaj komunizmit prej spektrit të Djathtë, tolerimin ndaj kolaboracionistëve, urrejtjen dhe talljen ndaj antifashistëve si edhe kënaqësinë për sfidat e Lë Pen dhe me rradhë dhe të kuptosh se dihatja e Neofashistëve është fare afër. Ndaj ndodh që pinjollët e fashistëve nuk tremben më. Nuk kanë as minimumin e frikës, që Kruja në eksil arriti dhe e shprehu realisht me shfajësimin për bashkëatdhetarët e vet nën komunizëm, apo edhe djaloshit Hysaj, që instinktivisht uli kokën dhe tregoi thjesht se ishte futbollist e jo politikan. (Homo Albanicus)

6 komente në “Shqiptari sfidon padashje Neofashizmin, ekstremistët BE-në dhe historia e Krujës”

  1. Pargali says:

    O Andon, qe veshtire kam te te kuptoj, sipas teje UKIP dhe AfD ne Gjermani qe kerkojne qe vender e tyre qe mos pushtohen nga emigrantet qenkan parti ekstremiste?

    CDO parti qe nuk ecen me neo liberalizmin eshte ” ekstreme” sipas teje?

    1. I Riu komunisti says:

      VDEKJE FASHIZMIT
      LIRI POPULLIT
      Mjaftojne 4 fjale qe te kuptohet thelbi i ceshtjes!

  2. Nje qe jeton ne Itali says:

    Futja pordhes “pargali “,si gjithmone, ska lidhje fare ajo qe thua, Hysaj kendoi thjesht nje kenge qe eshte shume popullore dhe ca debila e sulmuan…..kjo eshte historia, dhe seshte e vertete qe te gjithe tifozat laziale e mendojne problemin si keta debila dhe aq me teper shumica absolute nuk jane “neo fashiste “, po si gjithmone budallenjte degjohen…..sidoqofte mediat ketu nuk i dhane asnje lloj rendesie se interneti eshte plot me budallenj

    1. Miti says:

      Pargaliu nuk u mor as me Lazion as me Hysajn por beri nje pyetje esenciale. Sepse sot ka nje dhune psikologjike ndaj kujtdo qe nuk eshte liberal. Ne France Marine le Pen masakrohet nga mediat a thua ka ne programin e saj hapjen e kampeve te perqendrimit. Ne programin e saj ka thjeshte shtrengimin e emigracionit. Sot Evropa eshte duke u kolonizuar, te mos e shohesh kete duhet te jesh i verber nga mendja, dhe te persekutosh ata qe e denoncojne fenomenin eshte nje atentat ndaj demokracise dhe lirise se mendimit.

  3. Niku says:

    Ky shkruan si ne ato filmat franceze, qe ne fund nuk e kupton se ku do te dale.
    Fashizmi eshte I rrezikshem, pasi dihet perfundimi. Por situata ekonomike qe e mbarsi ate duket se po riciklohet.
    Nuk shtyhet me me propaganden gjoja te majte, genjeshtrat dhe hipokrizite per demokracine, apo zgjedhjen e te keqes me te vogel qe serviret.
    Gjithashtu vetem rritja e taksave dhe tatimeve nuk con larg, duhen menduar rruge e reforma te verteta dhe jo per make up te nje gjeje te vjeteruar.
    Thellimi I pabarazise eshte sfida me e madhe dhe e lidhur ngushte me te shperndarja e te ardhurave, pa shtyre ne kalendat greke nje sere ceshtjesh te tjerat qe globalizmi I ka shtruar per zgjidhje.
    Po u vazhdua pa marre masa efikase ekstremi I djathte fiton koncesionin e radhes dhe llafollogjite nuk do te kene asnjelloj vlere.

  4. Bimi says:

    Keq puna!
    Kane dale gjithe ndyresirat mbi uje prape…me te kuq e me te zi
    Edhe dakord krizat financiare e pandemirat po keta kesaj rradhe eshte e sigurt qe po i ysht e financon dikush
    Do plasi diku me duket…dhe eshte afer
    Kurse ne shqiptaret e kemi shtepine pa çati te rregulluar ne rast se prishet moti…si zakonisht
    Ruajna o Zot siç na ruajte nga xhaxhi Donaldi!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje