Vetëm përgjatë këtyre 3 javëve të muajit Gusht në Shqipëri u kryen kryer 171 mijë vaksinime anti-Covid. Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, krahasuar me muajin Korrik deri tani janë 36 mijë më shumë vaksinime.
Ekspertët e Institutit të Shëndetit publik thonë se popullsia duhet të vaksinohet për të shmangur format e rënda dhe shtrimet në spital nga varianti Delta i Covid-19.
“Deri tani janë me miliona vaksinime në të gjithë botën, prandaj i bëjmë thirrje rinisë që të vaksinohet, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të fitojë ndaj formave të rënda të Covid”.
Nëpër qendrat shëndetësore dhe pikat e vaksinimit po përdoren të 4 llojet e vaksinave. Coronavac dhe Sputnik janë kryesisht për dozat e dyta. Deri tani afro 36 % e popullsisë është e imunizuar nga vaksinimi.
“Kemi bërë mbi 1 milion e 300 mijë vaksinime në të gjithë Shqipërinë. Aktualisht jemi mbi 35,7 % me doza të para dhe 26,7 % me të dyja dozat”.
Prej një jave Shqipëria po regjistron shifra të larta infektimesh me Covid për shkak të qarkullimit të variantit Delta. Ekspertët thonë se vaksinimi është masa e vetme për t’i paraprirë situatës së Vjeshtës dhe Dimrit, kur Covid mund të bëhet sërish më agresiv.