Presidenti i UET: Bilanci i “Rama 2” dhe ku duhet të fokusohet qeveria e re

28 Gusht 2021, 18:15Politika TEMA
Presidenti i UET: Bilanci i “Rama 2” dhe ku duhet të fokusohet

Nga problemet e mandatit të dytë tek këshillat për katërvjeçarin e ardhshëm. Sipas presidentit të Universitetit Europian të Tiranës, rivendosja e disiplinës në ekonomi është prioriteti absolut i qeverisë  sepse mundësitë financiare të vendit po shterojnë.

Kryeministri zhvilloi mbledhjen e fundit të qeverisë dhe bëri një bilanc të këtyre katër viteve. Do të ndalemi në disa pika për ti marrë me radhë. Ai tha se Shqipëria ka arritur digjitalizimin e shërbimeve dhe i ka më të mirat në rajon ndërkohë që ky ka qenë një nga premtimet e tij në këtë fushatë. Si e shihni këtë pikë?

Unë mendoj se për të gjykuar për veprimtarinë e një qeverie duhet të nisemi nga disa nga indikatorët më të rëndësishëm që tregojnë realisht nëse jeta ekonomike e qytetarëve është përmirësuar, nëse standardet e mirëqenies janë përmirësuar, nëse qeverisja e vendit ka qenë më demokratike, nëse korrupsioni është vendosur në kontroll, pra nëse jeta ekonomike dhe sociale e vendit është bërë më e mirë. Mendoj që ky është indikatori më i rëndësishëm për të gjykuar për veprimtarinë e një qeverie. Nëse nisemi nga këto kritere, unë mendoj që performancë ka qenë realisht për të dëshiruar, sigurisht që ka pasur dhe një seri goditjesh negative që i janë imponuar qeverisë dy vitet e fundit që nga tërmeti dhe pandemia. Këto kanë qenë dy faktorë që në një farë mënyre e kanë ndikuar por në qoftë se reformat që do të ishin ndërmarre do të ishin të forta atëherë edhe efektet do të kishin qenë më të zbutura. Cilat janë indikatorët? Në një farë mënyre borxhi publik i cili është një nga indikatorët më të rëndësishëm për të matur performancën e një qeverie, pra sa disiplinë financiare vendos mbi veten tënde. Në këtë këndvështrim, sot borxhi publik, mbas 8 vitesh është rritur me 388 miliardë lek, pra qytetarët janë të zhytur në më shumë borxhe se sa më parë, gati 3.8 miliard euro më shumë borxhe.

Në vitin e kaluar janë paguar gati 96 miliard lekë, pra sa kemi patur për arsimin dhe shëndetësinë janë paguar vetëm në interesa për borxhe. Kjo është arsyeja që kjo lloj disipline financiare, në gjykimin tim e shthurur, nuk i jep një notë kaluese nga kjo pikëpamje. Nëse flasim për të ardhurat e qytetarëve, me përjashtim të disa indeksimeve që u bënë gjatë këtij viti për shkak të zgjedhjeve elektorale, në fakt në 8 vite qeverisje pensionet nuk u indeksuan, rritjet e pagave kanë qenë tepër modeste. Në qoftë se flasim për ardhura mesatare në ekonomi kanë qenë në stanjacion. Nga kjo pikëpamje dy nga indikatorët më të rëndësishëm, mirëqenia e familjes dhe individit dhe stabiliteti i financave publike unë nuk mendoj që qeveria ka shkëlqyer. Treguesit e papunësisë janë rritur, varfëria në vend ka marrë përmasa më të mëdha për shkak të goditjes së pandemisë. Ka një seri fenomenesh ekonomike dhe sociale të cilat gjykoj se nuk kanë shënuar progres. Mbi të gjitha unë do të gjykoja dhe cilësinë e qeverisjes së institucioneve që në këndvështrimin e korrupsionit, jo vetëm nuk ka bërë progres por përkundrazi ne kemi parë që raportet ndërkombëtare Shqipëria renditet në ato vende ku vetë ligjbërja bëhet për të favorizuar interesat e individëve të caktuar që është dhe forma më e rëndë e korrupsionit. Vetë Kryeministri  e ka pohuar kohët e fundit që pjesa më e madhe e tenderëve qoftë në pushtetin qendror dhe qoftë në pushtetin vendor nuk janë bërë bazuar në kriteret e drejtësisë apo në kriteret e konkurrencës, pra kanë qenë pothuajse me një ofertues. Kjo do të thotë që ka pasur hapësirë për korrupsion dhe abuzime dhe cilësia e shërbimeve publike të ofruara me paratë e taksapagueseve lë për të dëshiruar. Këto janë pohuar edhe nga kryeministri.  Kryeministri bën akoma analizën e qeverisjes së 8 viteve të PD. Ne shikojmë në tërësi analizën e qeverisjes së një force politike dhe se si ka mundur të ndryshojë dhe të transformojë vendin gjatë periudhës së qeverisjes së saj.

Çfarë mund të bëhet më mirë në këtë drejtim?

Nevoja për ndërhyrje të rëndësishme në ligjin e prokurimeve publike për të ndaluar në mënyrë kategorike dhënien e kontratave sipas ofertave të pa kërkuara dhe riinstalimi i garës në prokurime publike është një domosdoshmëri absolute.

Së dyti, duhen ndaluar të gjitha kontratat e partneritetit publik-privat. Shqipëria rrezikon jashtëzakonisht shumë për shkak se për volumet e prokuruar në kontratat në partneritetin publik-privat ne jemi vendi i parë në botë jo vetëm për numrin e këtyre kontratave por edhe për shumat që janë të përfshira në to. Rivendosja edhe njëherë e disiplinës financiare do të thotë edhe njëherë rivendosje e ligjit, disiplinim financiar mbi institucionet shpenzuese dhe kështu me radhë. Nuk ka arsye që Shqipëria të aspirojë përsëri  mega projekte si projekti i Durrësit që janë promovuar gjatë fushatës elektorale a thua se Shqipëria do të rindërtohet gjatë këtyre katër viteve ndërkohë që mundësitë financiare të shtetit jo vetëm që janë modeste por ne dimë që të ardhurat e buxhetit të shtetit janë në staniacion. 27.5% e GDP-së janë të ardhurat dhe kaq kanë qenë qëkur kanë ardhur në pushtet.

Ju mendoni se ishte në nivelet e duhura reagimi ndaj tërmetit dhe pandemisë?

Për të bërë një bilanc duhet të japësh disa indikatorë të matshëm që të flasësh në mënyrë cilësore. A mund të konsiderohet një indikator i mirë që sot kemi një vit nga pandemia dhe kemi 36 % të popullsisë së vaksinuar ndërkohë që vendet e tjera aspirojnë të kenë 80% ose më shumë. Sidoqoftë unë mendoj që përpjekjet kanë qenë jashtëzakonisht pozitive por mundësitë financiare të vendit kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha. Ne kemi rritur borxhin publik gjatë vitit të kaluar me 1 miliard euro, ndërkohë që logjika e rritjes së borxhit publik duhet të shkojë me prioritet pikërisht për të adresuar probleme të shëndetit të popullatës ndërkohë që mbështetja financiare për sektorin e shëndetësisë ka qenë shumë modeste. Sa i takon pasojave të tërmetit mendoj që dhe këtu kemi patur një lloj sforcimi sidomos gjatë fushatës elektorale por mbas fushatës elektorale nuk kemi parë më asgjë se sa familje sot janë sistemuar, sa janë në proces apo sa priten të sistemohen gjatë këtij viti. Po bëhet viti i dytë i goditjes nga tërmeti dhe akoma nuk kemi një statistikë që të shikojmë nëse kryeministri ka bërë një bilanc real apo ishte vetëm një bilanc elektoral.

Dy nga fushat ku kryeministri tha se nuk ishte krenar ishte turizmi dhe arsimi, si i shikoni këto dy fusha?

Absolutisht këtë vit ka pasur një bum nga pikëpamja numerike, por gangrenë e përhershme në Shqipëri ngelet pastrimi i mbetjeve. Ajo që është e veçantë është se Shqipëria për herë të parë gjatë këtyre viteve ka shpenzuar miliona euro për inceneratorë dhe në fakt kjo tregon që eficenca e investimeve ka qenë pothuajse zero, ndërkohë që plehrat digjen në mes të qytetit. Ky është një shqetësim shumë serioz dhe i përhershëm dhe zgjidhja përmes inceneratorëve përveçse nuk dua ta diskutoj tani nga pikëpamja e qëndrueshmërisë sepse ne flasim për arritjen e objektivave të qëndrueshëm i cili e ndalon në mënyrë kategorike djegien e mbetjeve, ndërkohë që hapi i parë duhet të jetë riciklimi ndërkohë djegia duhet të jetë në fazën e fundit. Me më pak investim mund të ndërtosh skema më innovative për të kaluar në radhë të parë te riciklimi dhe më pas tek përdorimi final i mbetjeve. Mendoj që defektet e qeverisë kanë qenë të dukshme.

Sa i takon arsimit, krenaria e mandatit të parë të qeverisë ka qenë Ligji për Arsimin e lartë dhe në fakt në mandatin e dytë u provua se dështoi sepse në fakt me grevën e studentëve u provua që politikat e qeverisë nuk kishin qenë efektive dhe pakti që u bë me studentët e ka zhbërë ligjin e arsimit të lartë dhe është koha që qeveria të fillojë realisht një dialog për reformimin e arsimit.

A ka ndonjë ide kjo mazhorancë për fushën e arsimit sepse shohim disa përpjekje të njëpasnjëshme që në fakt nuk kanë rezultuar aq të suksesshme?

Ideja e kryeministrit në fakt ka qenë ndërkombëtarizimi me pretendimin që ndërkombëtarizimi do të jetë leva magjike që do të sjellë përmirësimin e sistemit tonë arsimor, por në gjykimin tim ndërkombëtarizimi është një komponent i rëndësishëm por mënyra se si është konceptuar nuk më duket e drejtë sepse ndërkombëtarizimin nuk do të thotë që fjala vjen, në Shqipëri të vijë Universiteti Politeknik i Turqisë apo të hapen disa universitete të huaja. Ndërkombëtarizim do të thotë që sistemi universitar shqiptar, publik apo privat të kenë studentë të huaj, të kenë profesorët të huaj, të shkëmbejmë studentë me botën e jashtme, të bëhemi pjesë të rretheve studimore të jashtëm jo të presim të vijnë të huajt. Strategjia e ndërkombëtarizimit është e mirë por duhet konceptuar realisht me instrumentet e duhura në mënyrë që sistemi jonë universitar të bëhet konkurrues dhe të përmirësojë standardet.

Ku duhet të fokusohet më shumë qeveria e re?

Së pari unë mendoj që rivendosja e disiplinës në ekonomi është prioriteti absolut sepse mundësitë financiare të vendit po shterojnë.

Së dyti, vendosja e disiplinës financiare nënkupton rritjen e transparencës të qeverisë në prokurimet publike sepse kjo kthen besimin e publikut tek qeverisja e vendit dhe tek institucionet demokratike. Lufta ndaj korrupsionit mbetet prioritet kryesor dhe kjo nënkupton që tek reformimi i administratës publike dhe të gjithë zinxhirit të institucioneve që merren me menaxhimin e çështjeve të ekonomisë. Pa vendosur një besim të plotë tek institucionet e qeverisjes ekonomike mendoj që do të jetë shumë e vështirë të përmirësohet klima e biznesit, të rriten investimet e huaja e kështu me radhë. Përmirësimi i klimës së biznesit mbetet vital për të garantuar rritjen ekonomike në të ardhmen sepse njësitë e qeverisë për të stimuluar rritje ekonomike përmes borxhit kanë marrë fund tashmë.

Ka hapësirë për të bashkëpunuar ndërmjet mazhorancës dhe opozitës?

Mundësitë për të bashkëpunuar janë që t’i japin fund proceseve të kontestimit të zgjedhjeve, ndoshta një mundësi e artë është që të shkojnë në zgjedhje lokale dhe një rikonsiderim i ndarjes administrative të vendit por jo në qeverisje të përbashkët sepse ky do të ishte fundi i demokracisë në Shqipëri./ Euronews

 

3 komente në “Presidenti i UET: Bilanci i “Rama 2” dhe ku duhet të fokusohet qeveria e re”

  1. Edi says:

    Po kush eshte presidenti? Apo ia ka ngrene pula emrin…

    1. Lani says:

      EShte thjesht vellai i Çilit; mashtrues me studentet qe marrin diploma per administrata te paafta e te korruptuara dhe mashtrues me ata qe bejne mesim e nuk u jep as rrogat e i ka perballe neper gjyqe.

  2. PO , PO says:

    Nuk gjetet dot aq vend , sa per te shkruar emrin e ketij presidenti te UET ? Sa njeres te trashe paski qene xhenem , sikur cdo shqiptar , brenda e jashte vendit i di per mendesh te gjithe emrat e atyre qe kini ju nder mend ? ! ! ! !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje