Me pistoleta e mitraloz, arrestohen 3 persona në Durrës, Policia: Dyshohet se do kryenin një vrasje kundrejt pagesës

30 Gusht 2021, 09:42Kronika TEMA

Policia e Durrësit ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale duke vënë në pranga 3 persona, 2 prej tyre me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe pronës, shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.

Tre të ndaluarit dyshohet se do kryenin një vrasje, kundrejt pagesës.

Në kuadër të operacionit të koduar “Misioni” u bë arrestimi i shtetasve Aldi Mustafa, 35 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i dënuar më parë me 10 vite burg, në Gjermani; Uran Zyka, 40 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Kanosja”. Të dy këta shtetas janë me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe Tahir Gjinika, 33 vjeç, banues në Durrës.

Këta shtetas qarkullonin në lagjen nr.15, Durrës, me mjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin Aldi Mustafa. Në momentin e ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, të tre shtetasit kanë tentuar të largohen duke goditur mjetin e shërbimit të Policisë dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë që ishin në operacion, por nuk kanë mundur dot pasi janë bllokuar nga mjete dhe shërbime të tjera të Policisë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u gjetën: 3 armë zjarri pistoletë me fishekë në fole, 1 armë zjarri mitraloz me fishekë në fole gati për qitje, municion luftarak, 2 laptopë, 9 telefona celularë dhe 1600 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje