Minatori Muharrem Plaku, i cili mbeti i bllokuar, pasi galeria e kromit ku punonte u shemb në Bulqizë një ditë më parë, ende nuk është gjetur.
Prej më shumë se 20 orësh, 60-vjeçari, me detyrë zjarrmëtar, ka mbetur i bllokuar në galeri prej orës 12:00 të së mërkurës dhe ende nuk dihet fati i tij.
Ngjarja u raportua rreth orës 12:10 nga Policia e Dibrës, e cila nuk dha asnjë sqarim tjetër përves faktit se Muharrem Plaku po punonte në galeri.
Prej mesditës, pranë minierës vijon një operacion për zhbllokimin e galerive dhe nxjerrjen e teknikut të bllokuar nëntokë, gjendja shëndetësore e të cilit nuk dihet.
Por ndërhyrja nga Grupi i Avari Shpëtimit dhe specialistë të Repartit të Inspektim Shpëtim të Minierave, është e vështirë dhe komplekse.
Ky është incidenti i disatë në minierat e Bulqizës në më pak se një javë, pasi situata e sigurisë në minierat e kromit prej kohësh vijon me probleme.