Nga Arjana Çejku
Zbrazëtia e stolave të rreshtuar përgjatë trotuarit paralel me vendparkimin e trenit në Kashar të lë shijen e një vendi të braktisur.
Nuk vonoi shumë dhe u dëgjua zhurma e takimit të lokomotivës me shinat e trenit.
Pasi kreu zhvendosjen e lokomotivës drejt meje u shfaq një burrë që me hamendje i kishte kaluar të 60-at.
Ishte ‘shoferi i hekurt’ Nazmi Lala.
Në pamjë të parë duket si një burrë i hequr, i ndrojtur, por i shkathët.
Është shtatlartë, me pak bark dhe me shenjat e viteve që mbart mbi supe në fytyrë.
Me një mirësjellje më ftoi të ulesha tek një stol i drunjtë së cilit i kishte rënë ngjyra.
‘’Zakonisht këtu rrinë vetëm punonjësit e hekurudhës po me sa duket gjendja e saj ngjall interes dhe tek personat e tjerë’’- më tha ai.
Teksa po i tregoja se ndodhesha aty për të dëgjuar mbi profesionin dhe historinë e tij ,dy fëmijë po kacavirreshin në hekurat e lyer me bojë jeshile që shërbenin si mbajtëset e stolave.
‘’Kam qenë 22 vjeç kur kam filluar punë në hekurudhë. Për t’u bërë makinist duhej të ishe ose mekanik ose elektriçist.
Pasi mbarova shkollën e mesme për mekanik, kam bërë një kurs 6 mujor për ndihmës makinist dhe një 9 mujor për makinist’’- tregon Nazmiu.
62 vjeçari shpreh se më parë gjatë komunizmit lodhej më shumë, por punonte me qejf.
‘’Kishte siguri të madhe. Siç është ushtria dhe kjo fushë ishte me grada. Çdo detyrë zbatohej sipas postit, me më shumë rregull se tani. Kalesat jo të ligjshme e të rrezikshme nuk ekzistonin, ato janë bërë në demokraci’’- thotë me nostalgji ndërkohë që shikonte me keqardhje nga treni.
Gjatë 40 viteve në zanatin e makinistit është e pamundur që fati të mos e kishte ndeshur me aksidente. Por për fatin e tij të mirë pa humbje jete.
Në fundin e gushtit të para tre viteve Nazmiu u përball me një ngjarje që për mjedisin ku punon nuk janë të rralla.
Aksidenti kishte ndodhur në Durrës sapo kalon Sukthin. Atë kohë sipas shortit mujor atij i kishte rënë të punontë në linjë Kashar-Durrës, aty ku dhe qëndronte më shumë për shkak se është nga Vora dhe vendbanimin e ka po aty.
‘’Ishte ditë me shi. Treni ishte me shpejtësi 35 km/orë. Përpara del një vajzë diku tek 18 vjeç.Kishte qenë me kufje dhe me njërën dorë mbante çadrën . Ajo po kalonte për në rrugën matanë.
Në momentin e parë që vërejta se ishte një person sado që i bija borisë, ishte e kotë, jo vetëm që nuk frenoja dot para 300 metrash, por vajza nuk po e kuptonte që po kalonte treni.
Ula shpejtësinë aq sa mundesha.
Në dritare dolën faturinoja dhe 2 pasagjerë duke bërtitur po për aq shpejt sa ndodh aksidenti as ajo nuk bëri punë. Kaloi lokomotiva dhe gjysma e vagonit ‘’
Ndërkohë që Nazmiu fliste me zë të dridhur kur sillte në mendje atë ditë, një ndjesi e çuditshme më përshkoi në atë çast.
Çdo herë kur në fshat përhapej lajmi për aksidentet që ndodhnin në hekurudhë, nuk e perceptoja dot sa tragjike mund të ishin.
Por kur ke përballë atë që e ka përjetuar mësohesh me idënë që të tilla situata janë të pashmangshme.
Për Nazmiun nuk ka qenë e lehtë të mjaftohej me të ardhurat që merrte nga ky profesion. Në të njëjtën kohë, kur ishte pak më i ri bënte dhe punë të tjera, të fundit më numëron se kishte qenë roje në një shkollë.
Ai flet pak e saktë.
‘’Është e tmerrshme kur shikon çdo gjë përpara syve dhe nuk ke çfarë bën. Sepse e tillë është kjo punë dhe i tillë ishte rasti. Ulërimat dhe të qara e vajzës poshtë trenit më vijnë në mendje dhe tani. Falë Zotit lokomotiva i ishte kapur vetëm këmbën e djathtë.
Në ato momente unë isha i tronditur, sepse po mendoja për më të keqen’’- vijon të flasë makinisti që nga koha e dikaturës.
Qytetarët dhe personat e tjerë që dolën nga vagoni kishin lajmëruar ambulancën.
‘’Për disa minuta erdhi ambulanca, nga frika se mos e dëmtonim nuk mund ta tërhiqnim vajzën për ta nxjerrë që aty. Ishte një mrekulli që nuk kishte pasoja të rënda, kaloi vetëm me një lëndim të lehtë në gishtin e këmbës’’
Ky rast me të cilin ishte përballur kishte ndikuar që Nazmiu të mendonte edhe ta linte punën.
‘’Në fakt këtë gjë e mendoj vazhdimisht , edhe sot që para se të nisesha madje, sepse nuk ka më interes’’-u shpreh me një ton zemërak.
Mirëpo duke menduar fatalitetet e tjera që u kishin ndodhur kolegëve të tij dhe fakti që për 3 vite del në pension e mbajnë ‘të mbërthyer’ për t’i shërbyer udhës së hekurt deri në fund.
Siç tregon pakujdesia, neglizhenca e qytetarëve, dhe pasiguria bëjnë që të hasen me të tilla ndodhi.
Ashtu siç rrëfejnë dhe punonjësit e tjerë të hershëm që nga monizmi, në atë periudhë aksidentet ishin të paktë.
Shpejtësia e trenave ishte më e lartë, mesatarisht 60 km/orë. Rjeti ishte me sinjalistikë dhe kontrollet ishin më të shpeshta.
Me një procedurë e dëshm i të tjeshtë rrethanat dhe pasojat e aksidentit e shfajësuan Nazmiun nga çdo anë.
Megjithatë ndjenjën e përgjegjshmërisë dhe vigjilencë së silën ma përcillte gjatë bashkëbisedimit e kishte ngulitur thellë teksa në vitet e para të aktivitetit si ndihmës makinist kur një koleg i tij kishte shtypur dikë.
‘’Një shoku im egjiptian i cili punonte dhe tek porti detar në Durrës, sapo kishte dalë nga stacioni i Durrësit i preu rrugën një burrë. Fatkeqësisht ndërroi jetë në vend. ‘’
Pasi kishte qëndruar 3 muaj arrest shtëpie shtetasi egjiptian fitoi të drejtën e pafajsësisë por siç mund të merret me mend ‘’pati humbje të madhe edhe kolegu im..ai e la punën si makinist, kjo fatkeqësi i la pasoja të rënda psikologjike’’- tha me një zë të ulët Nazmiu.
Ai e konsideronte veten me fat që gjatë plot 4 dekadave e përvojave në të dy sistemet ‘nuk i kishte rënë për hise’ një shprehje kjo që përdoret nga anët e tij të përjetonte të tilla tragjedi.
‘’ Gjatë rrugës na ndodh që të na ofendojnë e gjuajnë me gurë. . Njëherë në Lushnje një fëmijë nga jashtë i ra një vajze me gurë në fytyrë, ajo zbriti nga treni dhe shkoi në spital’’
Për të është zanat që e bën me kënaqësi, fundja ka investuar tërë jetën aty, por do të donte që të kishte kushte të tjera.
Që nga larg dukej njeri punëtor, i thjeshtë, por nga biseda që patëm ma përforcoi edhe më tepër këtë mendim.
‘’Këto investimet që pritet të bëhen nuk besoj se do të më gjejë në punë,’’ vijoi më tej, pasi siç më kishte thënë më parë për pak mbushte moshën e pensionit.
Aty ndërpreu së treguari për jetën e tij.
Ndoshta kishte ardhur koha të pinte kafen e mbrëmjes me shokët të cilët e ftuan t’i bashkohen në lokalin disa metra më tutje.
Koha kishte kaluar pa e vënë re dhe lëvizjet e automjeteve e të njerëzve u shtuan.
Ndërsa po më përshëndeste me një zë disi të lodhur më tha:’’Nuk ishte e thënë që unë të punoja sipas standarteve e kushteve të duhura, por të paktën të ulesha njëherë si pasagjer në një tren modern..
Do të ishte mirë për të gjithë, edhe vagonët do të mbusheshin plot me studentë.. .Njësoj si atëherë’’- përfundoi bisedën ‘shoferi i hekurt’ dhe babai i dy fëmijëve Nazmi Lala.