Gjykata e Lartë ka vendosur të kthejë çështjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në Apel, por me një trupë tjetër gjykuese.
Në fakt kjo ishte dhe kërkesa e vetë ish-ministrit të Brendshëm.
“Do të ndjekim procedurën dhe do të shkojmë sërish në Gjykatën e Apelit”, tha Tahiri pasi doli nga gjykata.
“Ne kërkuam që çështja të zgjidhej në themel nga Gjykata e Lartë. Ajo e rrëzoi këtë kërkesë dhe u bazua vetëm në shkeljet procedurale. Kur flet Gjykata nuk ka të drejtë njeri të bëjë komente. Vendosi prishjen e vendimit për shkak të shkeljeve të rënda procedurale, që e cenonin vendimin”, tha avokati i Tahirit, Haxhia.
Kujtojmë se Saimir Tahiri u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda për “shpërdorim detyre” me 3 vite shërbim prove, ndërsa më vonë Apeli i Posaçëm e prishi vendimin dhe e ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë.