Ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku kanë vizituar zonën ku do të ndërtohet hidrocentrali i Skavicës. Kim teksa foli për rëndësinë e investimeve në veri të Shqipërisë, ritheksoi dhe tre prioritetet e SHBA për Shqipërinë të cilat janë demokracia, mbrojtja dhe biznesi.
“Kur mbërrita në Shqipëri, unë e bëra shumë të qartë që kemi tre prioritete, demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Mbrëmë kemi festuar 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri.
Sikurse jeni në dijeni, ne kemi bërë përparim. Sa i përket mbrojtjes, Shqipëria pati mundësi të mikpriste një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake të Ballkanit. Gjithashtu jeni në dijeni, në frontin e demokracisë ne kemi bërë përparim siç është për shembull gjithë mbështetja për reformën në drejtësi, dhe për sa i përket biznesit ne do vazhdojmë të ecim përpara pavarësisht çdo pengese.
Sikurse më keni dëgjuar unë jam shprehur gjithmonë për rëndësinë e të sjellit më shumë mundësi ekonomike në veri të Shqipërisë dhe është kënaqësi e madhe që ndodhem këtu në Kukës së bashku me një nga kompanitë më të mëdha dhe më të shkëlqyera amerikane. Jemi vërtetë të kënaqur që ndodhemi këtu në fazat e hershme të këtij projekti dhe presim me kënaqësi se çfarë do të ndodhë më tej”, deklaroi ambasadorja amerikane.