"Kanceri i gjirit", pandemia ndikoi negativisht, 700 raste të reja në vit

6 Tetor 2021, 13:45Kronika TEMA

9 vjet më parë zbuloi se kishte kancer në gji. Ishte 46 vjeç dhe deri atëherë Lavdie Gogo nuk kishte bërë asnjëherë kontrolle . Vetëm pas fillimit të shqetësimeve dhe disa shenjave karakteristike u detyrua të shkojë te mjeku.

Nga mamografia rezultoi se kishte kancer. “Vura re që kisha një gjëndër mbi gjoks dhe u detyrova të shkoj tek mjeku i cili më tha që duhet të ndërhysh. Më parë nuk kisha bërë asnjëherë vizitë. Thoja mirë jam, pse të shkoj?”

Pas trajtimeve dhe ndërhyrjeve, sot 55-vjeçarja thotë se është mirë me shëndet. Ndryshe nga më parë nuk neglizhon asnjë vizitë dhe kontroll. E penduar, Lavdia iu bën thirrje të gjitha grave të mos neglizhojnë si ajo.

“Të gjitha gratë të vijnë të bëjnë kontrollin, të mos e lënë pas dore”.

Sëmundjet e kancerit janë bërë si epidemi. 5 mijë raste të reja diagnostikohen çdo vit me këtë sëmundje, ku vetëm nga kanceri i gjirit  preken 700 gra. Mjekët thonë se vitet e fundit është rritur sëmundshmëria, ndërsa pandemia ndikoi negativisht për diagnostikimin e hershëm.

Fatkeqësisht kjo situatë nuk ndikoi mirë në sëmundjet e kancerit. Pacientët hezitonin të vinin për kontrolle për shkak të frikës nga Covid-19 dhe kjo bëri që disa raste të mos kapeshin në fazën e hershme.

Tetori është muaji kundër kancerit të gjirit.  Specialistët tregojnë për rëndësinë e mamografisë dhe jo vetëm në këtë muaj.

Mamografitë kryhen nga çdo spital rajonal dhe në poliklinikat e specialiteteve.  Ky shërbim është falas, ndërsa gjatë këtij muaji gratë nuk kanë nevojë as për rekomandimin e mjekut të familjes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje