Miratohet rregullorja që ul nivelin e komisioneve të agjentëve në sigurimin e automjeteve

27 Tetor 2021, 11:22Ekonomia TEMA

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar në mbledhjen e datës 26.10.2021 rregulloren “Për komisionet e ndërmjetësimit”. Kjo rregullore është hartuar në zbatim të pikës 6, neni 7 i Ligjit nr. 32/2021, datë 16.03.2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, ku parashikohet se “Komisionet e ndërmjetësimit nuk mund të jenë më të larta se niveli i përcaktuar me rregullore nga Autoriteti”.

Komisionet e ndërmjetësimit janë pagesat që shoqëritë e sigurimit u japin agjentëve të tyre ose brokerave, për çdo shitje të një police (kontrate) sigurimi. Sipas përcaktimeve të nenit 4 të rregullores së miratuar nga AMF, “Shoqëritë e sigurimit të jo-jetës, nuk mund të aplikojnë në total komisione ndërmjetësimi, për çdo policë të shitur, më të lartë se 20% e primit të shkruar bruto, nga 1 janari i vitit 2022.” Kjo vlerë parashikohet të ulet më tej, duke nisur nga 1 janari 2023, duke zbritur në 18% të primit të shkruar bruto për çdo policë të sigurimit të detyrueshëm motorik.
Në këtë mënyrë, kufizimi i komisioneve të ndërmjetësimit prek kontratat e sigurimit TPL, policat kufitare, si edhe Kartonin Jeshil. Nga të dhënat teknike dhe financiare, të raportuara nga shoqëritë e sigurimit, komisionet e ndërmjetësimit në këtë kategori sigurimi gjatë viteve të fundit rezulton të kenë qenë të larta, me një mesatare tregu prej afro 28%.

Rregullorja e miratuar nga Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare parashikohet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm. Shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës brenda kësaj periudhe deri në hyrjen në fuqi të rregullores së re “Për komisionet e ndërmjetësimit” duhet të rishikojnë marrëveshjet e tyre me ndërmjetësit në lidhje me komisionet që ata përfitojnë për shitjen e kontratave të sigurimit. Kufizimi i komisioneve të ndërmjetësimit pritet të sjellë rritje të eficencës në shpenzimet e marrjes në sigurim, si edhe një administrim më të mirë të burimeve financiare të shoqërive të sigurimit.

Rregullore per komisionet  endermjetesimit

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje