Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të marrë disa masa shtesë në kuadër të pandemisë si dhe për shkak të variantit të ri Omicron.
Kështu deri më datë 31 dhjetor, studentët, punonjësit e administratës, ata që punojnë në supermarkete apo qendra tregtare, duhet të jenë të vaksinuar, ose të bëjnë çdo 4 ditë testin PCR.
Komiteti ka vendosur:
1.Duke filluar nga dita e sotme, çdo qytetar +18 vjeç mund të bëjë dozën përforcuese pasi ka kaluar 6 muaj nga doza e dytë.
2.Pas vendimit për vaksinimin e mësuesve dhe studentëve, Komiteti ka marrë vendim që deri me datën 31 dhjetor, të gjithë punonjësit e administratës publike, punonjësit e supermarketeve dhe qendrave tregtare që nuk janë vaksinuar, të vaksinohen, pasi me datën 4 janar do të kërkohet karta e vaksinimit ose prova e testit PCR negative çdo 5 ditë.
3.Nisur nga fakti që varianti i ri Omicron është identifikuar në qytetarë që kanë pasur histori udhëtimi e kontaktesh me vende të Afrikës së Jugut, si edhe faktin që akoma nuk është e qartë natyra e agresivitetit të virusit, masat e marra edhe nga vende të tjera të botës, Komiteti i Ekspertëve vendosi të rekomandojë ndalimin e hyrjes të shtetasve të huaj me histori udhëtimi brenda 14 ditëve të fundit në vendet:
Afrikë e Jugut
Angola
Zambia
Bostëana
Senegal
duke filluar nga data 3 dhjetor, për tre javë.
Shtetasit shqiptarë rezidentë, që vijnë në Shqipëri dhe kanë histori udhëtimi 14 ditët e fundit para mbërritjes, në vendet e listuara më sipër do të karantinohen në shtëpitë e tyre për 14 ditë dhe do të monitorohen nga njesitë shëndetësore.