Muli akuza ndaj Erdogan si armik i Doktorit

22 Maj 2025, 20:15Antena TEMA

Muli sot ishte i tërbuar me presidentin Erdogan.

Në një njoftim për shtyp ai kishte deklaruar se nuk do kandidojë më për president dhe se duhet ndryshuar Kushtetuta.

– Ky është një provokim i Edi Ramës, i tha Lelos.

Me siguri ja ka thënë kur erdhi këtu në Tiranë, që të vërë në pozitë të vështirë Doktorin.

Dhe ai e urren Doktorin se ka qenë pro Gylenit.

– E kuptoj, tha Lelo.

Duket që është një farë komploti kundër Doktorit, pasi do të bëjë kontrast me Doktorin.

Meqë Doktori është 81 vjeç e nuk jep dorëheqje, ai s’ka mbushur ende 80 dhe jep dorëheqje, madje kërkon dhe ndryshim kushtetute.

Me këtë do të thotë që Doktori e ka statutin e PD dhe e shkel me të dy këmbët.

– Kjo është vepër e Edi Ramës, por ne nuk duhet të tërhiqemi.

Doktori nuk ka punë me statutin, është i dërguar i Zotit.

S’ka pse u bindet rregullave të tokës.

– E vërtetë, tha Lelo.

Madje për këtë punë PD ka fat, se zakonisht të dërguarit e vet, Zoti i çon në zona lufte, aty ku ka nevojë për bamirësi apo në kisha e xhamia.

Është i vetmi rast që e ka dërguar në një parti politike në glob.

– Unë them se ky sulm i organizuar nga Rama është një dëshmi më shumë që Doktori nuk duhet të ikë, tha Muli.

Se po iku ai, vjen Alimehmeti dhe pastaj të parët që do na heqë jemi ne.

– Është e tmerrshme që i kërkojnë Doktorit të zbatojë statutin e PD, tha Lelo.

Sikur e kanë statutin e tyre. Statuti është i PD.

Po të dojë PD e zbaton, po të dojë nuk e zbaton.

Ç’punë kanë këta me statutin tonë?

1 Komente

  1. N
    Nari

    Sa per dijeni Erdogani eshte i datlindjes 1954,pra jo 80 por 71 vjec.Fiks dhjete vjet me i ri se Sala

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje