Sot është dita e tretë që Muli është pa Doktorin.
Nuk është se e vuan shumë mungesën, pasi e ka vizituar çdo ditë në shtëpi, por njerëzit kanë tri ditë që nuk e kanë parë në krah të tij.
Gjatë këtyre ditëve ka pasur mundësi të shohë edhe reagimet e njerëzve.
— Ajo që më bën më shumë përshtypje, i tha Lelos, është se asnjë deputet nuk më ka pyetur si është Doktori.
Jam shumë i çuditur nga kjo gjë.
— Ndoshta janë interesuar vetë, tha Lelo.
— Nuk ka shans, tha Muli. Ai nuk i hap askujt telefonin.
— Mund t’i kenë shkruar ndonjë mesazh, sugjeroi Lelo.
— Ajo është për të larë gojën.
Ata që shqetësohen vërtet, vijnë dhe pyesin tek unë.
— Është e vërtetë kjo, tha Lelo, por ndoshta jo të gjithë kanë konfidencë me ty.
— Po për Doktorin duhet ta tejkalonin këtë ndrojtje.
Jam shumë i çuditur.
Më duket sikur janë rehat që ai është sëmurë, dhe dalin vetë nëpër televizione.
— Kjo është shenjë e keqe, tha Lelo.
Instinktivisht po tregojnë që mezi presin që ai të sëmuret dhe të largohet nga drejtimi i partisë.
— Për këtë as që kam dyshim, tha Muli.
Por nuk do ta lejojmë kurrë!
Problemi është se si i zë gjumi këtyre nëpër shtëpi, kur ai është sëmurë.
Unë kam tri ditë që nuk fle dot.
Më bëhet sikur më thërret në gjumë:
“Muli, më jep pak ujë” apo “Muli, ma mat pak temperaturën!”
Dhe zgjohem natën i trembur.
— E marr me mend, tha Lelo. Se ti je dhe Doktor…
— Pastaj nuk më zë gjumi ngaqë mendoj që këta të tjerët janë të gëzuar.
— S’ke faj, tha Lelo. Të kanë mbetur të gjitha hallet e opozitës.
Edhe sëmundja e Doktorit që mangut.
Lini një Përgjigje