Zbulohet arsyeja e sherrit mes Mulit dhe Albanës

16 Qershor 2025, 17:59Antena TEMA

Muli dhe Albana janë parë duke u kacafytur në Kuvend me njëri-tjetrin, ndërsa ishin ulur në vendet e tyre.

Lelo u shqetësua shumë nga skena dhe e thirri urgjentisht Mulin për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur.

— Lëre fare, tha Muli, jam shumë i mërzitur me atë.

Sa erdhi lajmi që Doktori është i sëmurë dhe nuk vjen dot në seancë, u ngrit menjëherë dhe filloi të sillej sikur ishte numri 2.

I thashë: “Ulu, mbaj vendin! Numri 2 jam unë këtu. Nuk e do Doktorin më shumë se unë, ti!”

— Mua s’më tregon dot ti sa e dua Doktorin, m’u kthye.

Kur e kam njohur unë Doktorin, ti s’kishe shans të afroheshe tek PD-ja!

Aty më iku truri...

— Si guxon të thuash që e do më shumë se unë Doktorin, i thashë?!

Kjo është fyerja më e madhe që më ka bërë një njeri ndonjëherë.

As kur na ka blerë votat Edi Rama s’jam ndjerë kaq i fyer, se në fund të fundit i ka blerë me lekë.

Po ti do të ma vjedhësh Doktorin falas!

— Paska qenë debat i egër, i tha Lelo.

— Shumë i egër! Dhe më mërziti shumë indiferenca e grupit.

Prisja të përfshiheshin edhe të tjerët në debat, të thoshin edhe ata: “Edhe ne e duam Doktorin.”

Por nuk pipëtinin fare.

Vetëm ne të dy ziheshim se kush e do më shumë Doktorin.

— Dhe si përfundim, a u pajtuat, pyeti Lelo?

— Jo. I thashë: “Leje këtë muhabet sot, se Doktori është i sëmurë dhe duhet të lutemi për shëndetin e tij.”

Pastaj, e di unë ç’do bëj për këtë shpifje që the ndaj meje.

— Po ti e quajte shpifje, ndërsa ajo më tha se shpifja ishte nga ana jote, se doje të tregoje që e do më shumë se ajo...

— Tani nuk kemi as ku e zgjidhim këtë konflikt, tha Lelo.

Se normalisht duhet të shkonit tek zonja Kalaja që ndan gjyqet në PD, por ajo mund të thotë që “më shumë se ju të dy, e dua vet”, dhe nuk zgjidhet kurrë kjo punë!

— Atë frikë kam, tha Muli.

Ndaj nuk dua ta bëj të madhe, që të mos i shkojë në vesh Doktorit.

Se ai preket shumë kur dëgjon gjëra të tilla.

Lini një Përgjigje