Muli i kënaqur nga vendimi i sotëm i Gjykatës së Tiranës  

12 Janar 2023, 19:35Antena Mero Baze

Gjykata e Tiranës sot më në fund mori një vendim për gjyqin e PD, dhe vendosi të mos e ndërrojë një gjyqtare që kërkonte ta hiqte grupi i Alibeajt.

Madje e dënoi dhe me 10 mijë lekë PD për këtë kërkesë, duke e quajtur si ofendim.

Duke biseduar me Lelon se si ta bëjnë sa më popullor këtë vendim, Muli propozoi që të bëjnë një konferencë shtypi dhe të falenderojnë Gjykatën e Tiranës për qëndrimin dinjitoz.

-Jo, tha Lelo. Kemi thënë që janë gjykata të Edi Ramës.

Të presim vendimin final, pastaj shprehemi.

Se mund të biem në kurth.

Fjala vjen bëjnë sikur kundërshtojnë heqjen e gjyqtarit dhe pastaj japin vendim në favorin e atyre.

Dhe thonë jemi barazim, një herë me ju, një herë me ata.

-Nuk më shkoi mendja, tha Muli. Ke të drejtë.

Por duhet t’u japim pak zemër demokratëve.

-Kemi dhe një problem me gjobën, tha Lelo.

Unë mendoj që Doktori duhet të shkojë në Gjykatë dhe të paguajë gjobën që i ka vënë Alibeajt gjykata.

-Po si mund ta bëjë Doktori këtë, tha Muli?

Ai nuk pranon të paguajë dënimet që merr vetë, jo të paguajë ato të Alibeajt.

-Duhet ta bëjë, tha Lelo. Vetëm kështu ai provon që PD është ai.

Duke respektuar vendimin e Gjykatës, ai vet provon se në fakt është kryetar i PD dhe është gati të paguajë dhe gjobat për gabime që bëjnë ata kalamajtë që mbajnë vulën.

-Nuk është në stilin e tij kjo, tha Muli.

E njoh mirë. Mos u lodh kot. 

-E di, tha Lelo. Por njerëzit ndryshojnë.

Ja dhe para një viti Salianji na dukej djalë i keq, por tani e adhurojmë të gjithë.

Kështu duhet të sillemi dhe me gjykatën, nëse na vjen sipas avazit.

1 Komente

    Lini një Përgjigje