Muli i shqetësuar mos dalin foto nga takimi i Arubës

30 Shtator 2025, 19:12Antena TEMA

Pas debateve të nxehta që Doktori po provokon për takimin në Aruba, Muli ka filluar të trembet.

Deri tani kanë dalë dy emra, njerëzit e Klanit Osmani dhe Artur Shehu nga Vlora, të dy klane që kanë mbajtur me lekë PD-në ndër vite.

Për këtë Tur Shehun nuk është shumë i shqetësuar, se Muli nuk ka ndonjë borxh personal, por me këta të Klanit Osmani ka probleme.

E para, ka marrë prej tyre 1 milion euro në fushatën e 2005 dhe pastaj ia ka prit e përcjell në Tiranë, edhe u ka shkuar në sebep.

Ka dhjetëra fotografi në rrjet me ta.

– Merre me mend sa i madh është Doktori, i tha Lelos.  

Takimi i Arubës ka nxjerrë emrin e Klanit Osmani.

Unë, Zeni, Armina madje dhe vetë Doktori mund të kemi dhjetëra foto me ta se i kemi sponsor të PD.

Tur Shehu po ashtu. Dhe del e thotë që këta duan të ndërtojnë kullën Mali i Tiranës që donin të ma vishnin mua.

Në fakt, po dolën këta emra, këtij i ngelet kulla, por është i paparë si i shpalos këta kundërshtarë.

Të kishte dot Doktori foto të Klanit Osmani apo Tur Shehut me Ramën, tani i kishte vrarë.

E kundërta është e çuditshme. Ata kanë foto të tyre me Doktorin dhe nuk ndihen.

– Po ndoshta janë të thella këto punë, tha Lelo. Mund të jetë dhe lojë.

Duhet të jemi të kujdesshëm.

Tani për tani do ta caktojmë që aty ka qenë Edi Rama.

Pastaj, po doli që nuk ka qenë, nuk është ndonjë hata e madhe.

Kalojmë në një debat tjetër. Por derisa Edi Rama të betohet që nuk ka qenë, Klani Osmani dhe Tur Shehu i takojnë atij, jo ne. Ne vetëm foto kemi.

– Patjetër, tha Muli. Kam frikë vetëm mos nxehet ai Tur Shehu, se ai të gjitha i duron, por t’i thuash socialist nuk pranon kurrë, se është vrarë me Zani Çaushin për Doktorin.

– Po mirë mo, ne nuk po u themi socialist, tha Lelo.

Ne deri tani jemi lexues të një libri italian.

Po qe se ai ka bërë film, turp të ketë. Ne jemi lexues të sinqertë.

Lini një Përgjigje