Socialistët kanë rihapur Shkollën e Partisë që kanë pasur dikur.
Atëherë ishte me cikël 2-vjeçar, 1-vjeçar dhe 3-mujor.
Tani është fillimisht 3-mujore.
Sot, në ditën e parë të Shkollës së Partisë, Muli u bë pak xheloz.
— Kemi gjithë këtë përvojë, i tha Lelos.
Kam 12 vjet që udhëheq opozitën, kemi bërë dhjetëra beteja dhe nuk kemi një mundësi t’ua transmetojmë brezave këtë përvojë.
Këta socialistët nuk kanë bërë asgjë këto 12 vjet, dhe prapë hapin shkollë dhe japin mësim njerëz kot.
— E vërtetë, tha Lelo. Por e kanë atë traditë ata, nuk i konkurrojmë dot.
Ne, Shkollë të Partisë kemi barikadat.
I kemi aq të forta leksionet për luftën në parlament dhe në rrugë, sa s’ka nevojë t’ua tregosh me leksione, i ka parë një Shqipëri e tërë.
— E di, tha Muli. Por prapë, kur mendoj se këtë përvojë mund t’ua transmetoja demokratëve të rinj, më kap pak xhelozia.
Fjala vjen, do kisha dëshirë ta ulja në bankë atë Alimehmetin dhe t’i tregoja si bëhet opozitë.
Se ai e di që merren votat duke thënë “djalë i mirë”.
Kështu e kanë këta tironsit.
Edhe Brojka, edhe Bamiri, edhe ky, i fusin një “djalë i mirë” dhe mendojnë që kanë bërë opozitë.
Ta ulja e t’i thosha: Doktor ti, doktor unë.
Ti s’ke bërë asnjë ditë opozitë, unë kam 34 vjet.
Tani ulu, mba shënim! Ky moment do më pëlqente shumë.
Se ata socialistët janë kot.
Ngrihet Ulsiu, jep leksione si luftohet krimi, dhe mban shënime Sara Mile.
E kupton ti apo jo? As Ulsiu s’ka luftuar krimin, as Sara nuk ia ka kërkuar.
Sa harxhojnë lekët kot…
Ose, do kisha dëshirë, për shembull, që Ina Zhupa ta ulte Andia Ullirinën në bankë e t’i tregonte betejat e saj në jug me mafian e Damian Gjiknurit dhe Bledi Çuçit.
Apo Xhelal Mziu që është hëm profesor, hëm doktor, t’u fliste të rinjve mbi të ardhmen e shkencës së mbarështimit të bagëtive.
Gjin Gjoni t’u fliste për drejtësinë, Albana Vokshi për familjen konservatore e kështu me radhë.
— Kemi plot talente intelektuale, tha Lelo.
Por nuk është mirë që njohuritë e tyre t’i ekspozojmë në publik se na i merr pala tjetër, na vjedh kurikulat dhe na shkon potenciali dëm.
Na i shfrytëzojnë ata!
Lini një Përgjigje