17 vitet Berati në UNESCO: Dashuri, përgjegjësi dhe jo propagandë

8 Korrik 2025, 16:45Turizëm Nga Namir Lapardhaja

Përfshirja e Beratit në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, 17 vite më parë, ishte një lajm i mirë jo vetëm për qytetin, por për gjithë Shqipërinë. Ky status i dha Beratit një vlerësim ndërkombëtar të merituar – një "patentë" që njihet në çdo cep të botës. Ajo që e bëri të mundur këtë, janë vlerat unike arkitekturore të qytetit, përkushtimi i brezave për ta ruajtur këtë trashëgimi dhe një frymë shekullore bashkëjetese fetare që e bën Beratin shembull të harmonisë.

Të qenurit pjesë e UNESCO-s e ka bërë Beratin më të aksesueshëm, më të pranishëm në hartat turistike dhe në platformat ndërkombëtare të promovimit. Por përtej këtij statusi formal, meritë të veçantë kanë operatorët lokalë – hotelierët, restorantet, guidat dhe zyrat turistike – të cilët për vite me radhë kanë ndërtuar një shërbim serioz e profesional, vetëm falë pasionit të tyre dhe jo ndihmës shtetërore.

Ky qytet nuk ka nevojë për propagandë. Nuk ka nevojë që të përdoret si dekor për vetëpromovimin e politikanëve. Ajo që i nevojitet Beratit është dashuria e sinqertë dhe përgjegjshmëria institucionale. Nevojiten drejtues që nuk reklamojnë veten përmes qytetit, por që krijojnë hapësira të barabarta për të gjithë operatorët turistikë që duan ta promovojnë dhe zhvillojnë këtë pasuri.

Ka disa nevoja të menjëhershme që duhen adresuar:

Investim në zonat muzeale, ruajtje e identitetit historik dhe përmirësim i infrastrukturës urbane.
Pastërti e qëndrueshme, që tregon respekt për qytetin dhe për vizitorët.
Punë publike të koordinuara, larg sezonit turistik, për të mos dëmtuar eksperiencën e vizitorëve.
Lehtësi fiskale dhe barazi ligjore, për të nxitur zhvillimin pa favorizime.
Partneritet i sinqertë me investitorët, për të ndërtuar një turizëm të qëndrueshëm dhe afatgjatë.
Pushteti qendror dhe lokal duhet të ndryshojë qasje. Operatorët turistikë nuk mund të jenë vetëm “dëgjues” në tryeza formale. Ata duhet të dëgjohen realisht, shqetësimet e tyre të merren seriozisht dhe të zgjidhen. I gjithë investimi në turizëm dhe hoteleri në Berat është arritur vetëm me iniciativën dhe mundin e individëve, dhe roli i shtetit duhet të jetë mbështetës, jo përfaqësues simbolik.

Berati është ruajtur dhe është zhvilluar falë kujdesit të brezave, të cilët me dashuri e përkushtim i kanë dhënë jetë këtij qyteti. Këtë kujdes duhet ta vazhdojmë, me më shumë vizion, me më shumë përgjegjësi, dhe me më pak fjalë dhe propagandë.

Lini një Përgjigje