A ka jetë përtej politikës?

3 Tetor 2025, 13:11Blog Sadedin Mezuraj

 

 

Media e shkruar dhe ajo televizive, e konsideruar si “pushteti i katërt”, luan një rol thelbësor në zhvillimin demokratik të shoqërisë. Këtë mision media e përmbush jo vetëm përmes informimit të publikut të gjërë rreth jetës politike në vend por edhe duke sjellë në qëndër të debatit mediatik, problematikat e mprehta të shoqërisë si edhe vetë zërin e qytetarëve.

Mjerish, në vendin tonë, në vend të diversitetit të temave dhe përfaqësimit të jetës reale të shoqërisë, media duket se rrotullohet kryesisht rreth politikës, jeton për politikën dhe ushqehet prej politikës.

Hapësira mediatike dominohet nga debati politik, protagonizmi i aktorëve politikë, replikat dhe kundërreplikat, "skupet" dhe qarkullimi i të njëjtave lajme, pothuaj në të gjitha kanalet televizive, në median print dhe portalet online.  

Edhe pse politika mbetet sporti dhe tema më e diskutuar e kafeneve dhe rrjeteve sociale, ka mjaft qytetarë dhe segmente të caktuara të shoqërisë, të cilët, të lodhur nga sherrnaja e politikës, të neveritur nga zhurma dhe protagonizmi shterp i poltikanëve të spaktaklit mediatik, kanë zgjedhur të injorojnë politikën dhe programet televizive dedikuar politikës, duke mbajtur një distancë higjenizuese, larg gjuhës toksike dhe demagogjisë të ngritur në art ligjërimor.

Është e vërtetë se politika dhe qeverisja lidhen ngushtë me zhvillimin e vendit dhe se qytetarët kanë interes të shtuar ta ndjekin jetën politike. Ata presin që premtimet dhe vendimet politike të përkthehen në realitet të prekshëm, në tregues të përmirësimit të jetës së përditshme dhe të mirëqenies së tyre. Por, ndërsa politika mbizotëron ekranet dhe faqet e shtypit, jeta reale, me të gjitha dimensionet e saj, shqetësimet e qytetarëve, problematikat dhe nevojat e tyre shpesh mbetet jashtë vëmendjes mediatike.

Në përgjithësi, në pasqyrën mediatike, qytetari i thjeshtë nuk shikon veten dhe shqetësimet e jetës reale por vetëm teatrin butaforik dhe telenovelën politike me të njëjtët aktorë.

Në përpjekjen për të tërhequr audiencë, media shqiptare shpesh shfaq një vëmëndje gati “erotike” për ngjarjet kriminale, duke i pasqyruar ato me detaje të imtësishme, deri në sensacionalizëm. Kështu, njerëz të botës së krimit shpesh shndërrohen në “yje të ekranit”, duke fituar një lloj fame që i bën pjesë të kulturës së spektaklit. Krimi, që duhet të ishte objekt i analizës kritike dhe i hetimit serioz gazetaresk, kthehet në konsumim masiv dhe argëtim të errët.

Në anën tjetër, ekrani dominohet nga figurat boshe të showbiz-it: diskutime pa thelb mbi modën, dietat, pushimet, “shopping”-un dhe një kotësi që pak lidhet me interesin e gjerë publik. Ky fenomen nuk është thjesht harxhim kohe, por edhe formë shpërqendrimi nga problemet reale të shoqërisë.

Në mënyrë të ngjashme, emisionet e paradites në shumë televizione janë të okupuar nga ofrimi pafund i recetave kulinare. Ushqimi, që mund të ishte një temë e lidhur me bujqësinë, prodhimin, shëndetin publik apo traditën kulturore, trajtohet thjesht si spektakël recetash dhe pjesë e mitit të konsumerizmit.

Ndërkohë, askush nuk diskuton seriozisht për punën, prodhimin, ekonominë reale, njeriun e punës, pagat, papunësinë, çmimet apo standardin e jetesës. Në hapsirën mediatike sigurisht ka zëra dhe profile analistësh, sociologësh dhe publicistësh të cilët parashtrojnë problem e jetës reale por zerat e tyre mbeten pa jehonë në diskursin mediatik.

Ky boshllëk tematik tregon një krizë të misionit të medias. Në vend që të shërbejë si pasqyrë e realitetit dhe si mjet i demokracisë, media shpesh preferon spektaklin mbi substancën. Politika kthehet në spektakël, krimi kthehet në spektakël, edhe ushqimi kthehet në spektakël. Ndërkohë, jeta reale – puna, djersa, vështirësitë e përditshme dhe aspiratat e qytetarëve – mbetet në hije.

Ky është një version lokal i asaj që Guy Debord e ka quajtur “shoqëria e spektaklit”: realiteti zëvendësohet nga imazhi, politika bëhet shfaqje, ndërsa qytetari shndërrohet në spektator pasiv i një loje që përsëritet çdo ditë. Në këtë logjikë, media nuk pasqyron më jetën reale, por e redukton atë në një vazhdimësi episodike të “spektaklit politik”.

Media e shkruar dhe ajo televizive, jo vetëm si burim informacioni, por edhe si rojë e demokracisë, luan një rol themelor në një shoqëri demokratike. Siç e përshkruan Jürgen Habermas në konceptin e tij për sferën publike, media është hapësira ku qytetarët marrin pjesë në diskutimin racional për çështje me interes të përbashkët, duke e bërë atë një instrument të domosdoshëm të demokracisë.

Studiuesit e kulturës mediatike theksojnë se forma dhe mënyra se si transmetohet informacioni, ndikojnë në vetë mënyrën si e perceptojmë realitetin. Në realitetin tonë shqiptar, ku media është e dominuar nga politika dhe pasqyrë vetëm e jetës politike parlamentare, perceptimi publik reduktohet në një horizont të ngushtë: politika bëhet vetë realiteti.

Në këtët kontekst, mediat shpesh nuk janë thjesht pasqyruese, por edhe përforcuese e një diskursi të caktuar që i shërben elitave. Politika dikton, kontrollon, drejtpërdrejt ose përmes interesave ekonomike, një pjesë të madhe të hapësirës mediatike, duke krijuar një rreth vicioz, ku lajmi   ushqehet nga politika dhe politika ushqehet nga media.

Michel Foucault do ta shpjegonte këtë jo vetëm si një problem mediatik, por si një formë të ushtrimit të pushteti. Sipas tij, pushteti nuk manifestohet vetëm përmes dhunës apo ligjit, por edhe përmes diskursit – mënyrës si flitet, si formësohet e vërteta dhe si prodhohet vetë perceptimi i realitetit. Kur diskursi mediatik është i mbushur vetëm me politikë, atëherë pushteti ka arritur të kolonizojë hapësirën e mendimit, duke lënë jashtë çdo diskutimi fusha të tjera të shoqërisë: arsimin, kulturën, shëndetin, punën, jetën e përditshme të qytetarëve.

Një media e lirë është zëdhënëse e qytetarit, e interesave të publikut dhe pjesë esenciale e vetë strukturës së demokracisë: pa të, qytetari humbet mundësinë e llogaridhënies dhe pushteti bëhet i pakontrollueshëm.

Është e kuptueshme dhe krejt e ligjshme që qytetarët të ndjekin politikën me interes, sepse qeverisja lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e vendit dhe me jetën e tyre të përditshme. Ata presin që premtimet politike të materializohen në nxitjen dhe zgjerimin e tregut të punës, me akses më gjithpërfshirës dhe paga më të larta, në arsim më cilësor, të modernizuar në përputhje me standartet europiane dhe ndryshimet dinamike të tregut të punës, në sistem shëndetësor funksional, në një ekonomi që u ofron prosperitet dhe siguri.

Por ndërkohë që politika zë të gjithë horizontin mediatik, çështje të tjera thelbësore të jetës reale mbeten në hije: mbipopullimi shkollave në zonat urbane dhe rreziku i mbylljes të shumë prej tyre në periferitë rurale, trendet demografike, plakja e popullsisë, vetmia e të moshuarve dhe emigracioni i të rinjve, kriza e identitetit kulturor dhe ndryshimet sociale që sjell teknologjia dhe globalizimi, shthurja e komuniteteve dhe dobësimi  familjes, patologjitë sociale dhe problemet e shëndetit mendor, të mjedisit apo të qytetit ku jetojmë.

Krahasuar me vende të tjera, ky është një deficit serioz i medias shqiptare. Në demokraci më të konsoliduara, mediat ndjekin jo vetëm politikën, por edhe shkencën, artin, kulturën, zhvillimet sociale, sportin dhe trendet e rinisë. Kështu krijohet një tablo e plotë e shoqërisë.

Në vendin tonë, ngushtimi i vëmendjes vetëm te politika e bën diskursin publik monoton, duke i kthyer qytetarët në konsumatorë të debatit politik, shpesh të lodhshëm dhe të padobishëm për jetën e tyre të përditshme. Kësisoj, kultura e konsumerizmit e ka kthyer qytetarin në konsumator pasiv të spektaklit politik. Politika e konsideron qytetarin thjesht një numur, një statistikë elektorale dhe i afrohet atij me dorën në qafë, gju më gju, me babaxhanllëk dhe premtime bombastike, një here në katër vjet. Pasi kalon “lumin”, nuk i kthen më sytë nga “kali” i betejës elektorale apo ai, sovrani pra, që e me votën e tij e sjell në pushtet! 

Paradoksalisht, edhe opozita e cila duhet të funksionojë dhe të strukturohet si alternative qeverisëse bindëse, manifeston një dozë të dukshme refraktare dhe vetpëlqimi narcizist. Aksionin e saj politik e ka ngushtuar në akuzat e ripërsëritura ndaj qeverisë, me të njëjtën qasje , stil dhe “metodologji” arrogance brenda sferës parlamentare dhe komunikimit monoton me publikun, pa mundur të bëhet zëdhënëse e shqetsimeve të qytetarëve.

Shpallja e zgjedhjeve të pjesëshme për Bashkinë e Tiranë dhe në disa qytete të tjera, duhej të shërbente si një rast i volitshëm për të shpalosur vizionin e ri rreth pushtetit vendor dhe qasjet e reja për administrimin e qëndrave urbane, jo thjesht si hapsira publike, por si realitete shumëdimensionale, në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetesës së qytatrëve.  

Duket se opozita, për shkak të krizës së brëndshme, jo vetëm është larg nismës për inicimin e debatit mediatik dhe bashkëbisedimit me qytetarët për vizionin e qeverisjes lokale, por ajo ende nuk ka zgjedhur kandidatin e saj në garën më të rëndësishme, sikurse është ajo në kryeqytet.

Nëse media do të kthehej te misioni i saj i gjerë shoqëror, do të ofronte më shumë hapësirë për zërin e qytetarit të thjeshtë, do të sillte në ekran probleme konkrete të komuniteteve lokale, do të nxirrte në pah shembuj pozitivë të njerëzve që krijojnë, shpikin, prodhojnë kulturë apo kontribuojnë për shoqërinë. Vetëm kështu media do të shërbente realisht si një pasqyrë e jetës së përditshme dhe si një nxitës i zhvillimit demokratik.

Ky fenomen lidhet drejtpërdrejt me atë që studiuesit e sotëm e quajnë ekonomia e vëmendjes. Në një treg ku audienca është mall, vëmendja e publikut bëhet kapital. Mediat nuk konkurrojnë për të informuar më mirë, por për të mbajtur sa më gjatë syrin e shikuesit. Krimi, skandali, thashethemi dhe spektakli rezultojnë më të efektshëm për këtë qëllim sesa analiza e thatë e politikave publike apo studimi i shkaqeve të papunësisë. Për rrjedhojë, përmbajtja nuk udhëhiqet nga misioni shoqëror i medias, por nga logjika e tregut dhe mekanizmat e kapitalizmit mediatik.

Karl Marksi dikur fenë e konsideronte si “opiumi për popullin”, pra një mekanizëm shpirtëror që –sipas tij- qetësonte masat, u jepte iluzion shprese dhe shmangte revoltën kundër padrejtësive reale. Në shoqërinë e sotme, sidomos në epokën e kulturës masive, këtë funksion nuk e ka më feja, por media.

Televizioni, portalet dhe rrjetet sociale shpërndajnë një rrjedhë të pafundme lajmesh, thashethemesh, spektaklesh dhe emocione të shpejta që krijojnë iluzionin e pjesëmarrjes dhe të informimit.

Por në thelb, ky informacion vepron si opium: nuk të nxit të mendosh, nuk të shtyn drejt veprimit, por të mpin dhe të qetëson përkohësisht.

Tipari më thelbësor i peizazhit medial shqiptar është pikërisht spektakolarizimi i përditshmërisë, përmes pasqyrimit të replikave mes politikanëve, sherreve të të fortëve në qytete, estetizimit të figurave kriminale, banalitetit të jetës vanitoze të kukullave të showbiz-it, përshkrimit obsesiv të aksidenteve tragjike dhe dasmave luksozetë VIP-ave- duke e shndërruar gjithçka në në karusel vizual konsumerist.

Të gjitha këto shenja na shtyjnë të mendojmë se media funksionon sot si “opium modern”, i shpërndarë nëpërmjet imazheve dhe spektaklit, duke e qetësuar qytetarin e duke i dhënë ndjesinë e rreme të “dolçe vita”-s.

Sociologët e komunikimit e përshkruajnë median si pjesë të një “industrie kulturore”, ku arti dhe informacioni shndërrohen në mall. Në këtë logjikë, lajmet nuk kanë për detyrë të informojnë, por të prodhojnë konsum të vazhdueshëm. Kështu krijohet një paradoks: në vend që media të jetë pasqyrë e realitetit, ajo prodhon një realitet tjetër – një realitet imagjinar ku kriminelët janë personazhe televizive, ku showbiz-i është qendra e botës, dhe ku kuzhina është tema madhore e paradites. Në këtë mënyrë, mediat jo vetëm që nuk reflektojnë jetën e përditshme të qytetarëve, por e zëvendësojnë atë me një botë spektakolare të shkëputur nga realiteti, pra një simulakrum.

Një imazh ose ngjarje mediatike nuk është pasqyrim i asaj që ndodh, por një “realitet i prodhuar”, i kuruar dhe selektuar që e zëvendëson realitetin e vërtetë.

Në këtë kuptim, media shqiptare nuk është thjesht pasqyrë e ngjarjeve reale – ajo prodhon një realitet spektakolar, ku krimi bëhet serial, politika bëhet telenovelë dhe jetët private e figurave publike bëhen lajme për klikime.

Ky kombinim: spektakli + simulakrum + opium, krijon një efekt të dyfishtë:

Depolitizimin e qytetarit i cili, i bombarduar me “argëtim”, nuk kanë më energji të përqendrohen tek problemet strukturore dhe shqetsimet reale. Efekti tjetër është pasiviteti: qytetari e përjeton botën dhe realitetin si spektakël, jo si fushë të veprimit dhe aksionit qytetar për ndryshim social.

Nëse duam një media që të jetë me të vërtetë roje e demokracisë, ajo duhet të çlirohet nga logjika e spektaklit politik dhe të kthejë vëmendjen te realiteti i plotë i jetës shoqërore. Përndryshe, rrezikojmë të mbetemi në një gjendje ku politika është gjithçka dhe jeta reale – asgjë.

 

4 Komente

  1. s
    saliu duhet te shpallet terrorist

    Kush e lexon gjithe kete carcaf,por nga titulli them se misionari,i derguari i allahut sali karaxhici,ne boten tjeter do shkoj te enveri ti bej analizat e shurres

    Përgjigjjuni
    1. B
      Bureto

      Analiza në thelb e drejtë, por mund të ishte më e shkurtër dhe sidomos pa përsëritje të frazave të panevojshme, që prej atyre që u drejtohet (nëse ky është qëllimi), e bëjnë leximin të lodhshëm. Gjithsesi tema dhe fenomenet që trajton, sidomos me nxjerrjen në pah të sëmundjeve të medies, është mjaft e dobishme.

      Përgjigjjuni
      1. p
        ppa

        Analize e vlefshme, korrekte dhe me nivel; por harrohen ceshtjet deri sa leximi te perfundoj; duket eshte teme disertacioni me nivel dhe qe mund te paraqitej e ndare ne ceshtje, nenceshtje etj.

        Përgjigjjuni
        1. D
          Dursakja

          Artikull i paprekur kaq thellësisht asnjëherë në median e shkruar dhe vizive. Artikull shumë aktual, shumë informues, kuptimplotë dhe më se i dobishëm, por duhet të ishte më i përmbledhur, pra lakonik. Falenderojmë autorin për një kontribut të veçantë në interes të informimit publik dhe kritikën që i bën mediave për moskryerjen e misionit të tyre.

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje