Kur skllavëria politike maskohet si dashuri për demokracinë, zelli kthehet në verbëri dhe besnikëria në dhunë institucionale
Në historinë politike të vendeve me demokraci të brishtë shpesh është vënë re një fenomen i çuditshëm: lindja dhe rritja e “autokratëve të vegjël”. Nuk bëhet fjalë për liderët e mëdhenj, ata që mbajnë mbi vete emrin dhe pushtetin, por për ushtarët e bindur, shpesh pa profil e pa integritet, që bëhen më të rrezikshëm se vetë shefi që ndjekin.
Janë ata, që zbatojnë me zell ekstrem çdo urdhër, edhe kur ai bie ndesh me ligjin, etikën apo arsyen. Janë drejtorët që përpiqen të parashikojnë dëshirat e shefit të madh para se ai t’i artikulojë. Janë deputetët që flasin me më shumë pasion se vetë lideri, që sulmojnë, etikojnë, përçmojnë e nënçmojnë çdo zë kritik, çdo mendim ndryshe, çdo opozitë brenda dhe jashtë partisë. Janë ushtarë të bindur që përpiqen të duken më katolikë se Papa, më besnikë se vetë mbreti, në një garë të ethshme servilizmi dhe brutaliteti.
Kjo nuk është thjesht groteske, është e rrezikshme.
Autokratët e vegjël janë pasqyra e deformuar e pushtetit: e nxjerrin edhe më grotesk, qesharak, më të dhunshëm se ç’është. Ata janë zelli pa mend, fanatizmi pa ideal, dhe besnikëria që kafshon qytetarin për t’i marrë duartrokitjen shefit. Ata janë njerëzit më pa personalitet, por më të rrezikshëm: sepse nuk kanë vizion, nuk kanë vlera, nuk kanë frena.
Autokratët e vegjël janë si metastaza e një kanceri që mund të ketë lindur në qendër të pushtetit, por që rrezikon të shkatërrojë gjithë trupin institucional. Ata nuk kanë ideologji, nuk kanë vizion, nuk kanë përgjegjësi. Kanë vetëm një motiv: mbijetesën përmes servilizmit. Prandaj shpesh janë më të rreptë në ndëshkime, më të pamëshirshëm në largime, më të zhurmshëm në fushata, më të dhunshëm në përplasje. Ata e zbatojnë urdhrin jo sepse e besojnë, por sepse i druhen harresës.
Shumë herë liderët nuk kanë nevojë të jenë diktatorë. Mjafton të kenë rreth vetes këta satelitë të bindur që e zbatojnë çdo tekë si të ishte ligj, çdo kapriço si të ishte parim kushtetues.
Kur në një sistem politik nuk ka meritokraci, transparencë, kontroll e llogaridhënie, këta “të vegjël” marrin formën e një elite të re, jo për meritë, por për afërsi me pushtetin. Pikërisht këtu nis degradimi: bindja zëvendëson arsyen, partishmëria zë vendin e shtetësisë, servilizmi shpërblehet më shumë se profesionalizmi.
Dhe kur këta zëvendësojnë njerëzit me mendim të lirë, institucionet kthehen në kasolle, ligji në dekor, dhe demokracia në fasadë.
Në çdo vend ku demokracia është e brishtë, “autokratët e vegjël” janë simptomë dhe shkak i dështimit. Ata nuk kritikojnë, nuk ngrejnë pikëpyetje, nuk bëjnë analizë. E vetmja gjë që dinë të bëjnë mirë është nxisin urrejtje nëpërmjet mashtrimit, të përkëdhelin egon e udhëheqësit e ta manipulojnë, derisa ta kthejnë atë në një perandor grotesk, të shkëputur nga realiteti.
Në fund, dëmi është kolosal. Sepse ndërsa lideri mund të largohet, autokratët e vegjël mbeten. Ata mbjellin kulturën e frikës, heshtjes, konformizmit, nënshtrimit.
Demokracia dhe Shteti i së drejtës nuk ka nevojë për autokratë, as të mëdhenj, as të vegjël. Ka nevojë për qytetarë të lirë, zyrtarë të ndershëm, politikanë me kurajë. Dhe mbi të gjitha për një kulturë politike ku bindja të mos jetë verbëri dhe besnikëria të mos jetë nënshtrim.
Keni rrjedhur te gjithe me halabakun Rame ne krye, qe e nisi si halabak dhe e mbylli si halabak. Por nuk e halabakizoni e poshterini Shqiperine. Zgjidhje per ekonomine e Shqiperise nuk eshte hiq ca hajdute e vur ca te tjere!!!! Leket e vjedhura nga ju te gjithe do ju merren dhe te gjitha per 2 vjet do te hidhen ne bujqesi e TURIZEM gjithekombetar!
Leksion demokracie. Te lumte. Te gjitha sa shkruan jane simptoma te nje shoqerie te prapambetur, pa ideale, pa moral, arrogante, pa shtylla besimi qe perbejne thelbin e nje kombi i cili e do vendin dhe zhvillimin e tij... Shkurt: jemi nje popull i semure. Zoti na ndihmofte.