Bridget Brink: Diplomatja që nuk na la vetëm

19 Prill 2025, 09:59Blog TEMA
Bridget Brink: Diplomatja që nuk na la vetëm

Nga Baton Haxhiu

Kur lexova lajmin për dorëheqjen e Bridget Brink nga posti i ambasadores amerikane në Ukrainë, kujtimi nuk më shkoi në Kiev.

Më shkoi në Prishtinë. Pastaj në Shkup. Dhe në ato orë të gjata e vendimtare, kur gazetaria nuk bëhej me letër të bardhë, por me ankthin e mbijetesës dhe besimin tek pak njerëz që na qëndronin pranë.

Prandaj për mua, dorëheqja e saj nga posti i ambasadores në Ukrainë, në prill të këtij viti, ndodhi në një kontekst të ndërlikuar.

Qasja e administratës Trump ndaj luftës ka ndryshuar thelbësisht. Nga një mbështetje e palëkundur për Ukrainën, SHBA-të po orientohen drejt një qëndrimi më pragmatik dhe më të ftohtë, me qëllimin për të nxitur negociata që përfshijnë edhe kompromis territorial.

Në këtë linjë të re, përfaqësues si Bridget Brink , që ishin mishërim i solidaritetit pa ekuivok, me gjasë, nuk kishin më vend.

Raportohet gjithashtu se marrëdhëniet mes saj dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky ishin përkeqësuar, veçanërisht pas një deklarate të saj ku nuk u përmend Rusia si përgjegjëse për një sulm me raketa që vrau civilë në Kryvyi Rih.

Ky ishte një prej episodeve që nxori në pah tensionin midis diplomacisë klasike dhe kërkesave politike të kohës së luftës. Por për ata që e kanë njohur Bridget Brink përtej deklaratave, ky largim nuk është dobësi. Është vijimësi e ndershmërisë së saj.

Bridget Brink nuk ishte një diplomate që vinte për vizitë. Në fund të viteve ’90, ajo ishte sekretare e parë në Ambasadën amerikane në Beograd, por vinte shpesh në Prishtinë. E bëri këtë me ngulm, edhe në kohë kur çdo lëvizje ndërmjet Beogradit dhe Kosovës ishte me rrezik.

Në Prishtinë bisedonim për përpjekjet e Richard Holbrooke dhe Christopher Hill, për rrugët që ndoshta do të sillnin një zgjidhje paqësore. Kishte tension, kishte iluzione, por edhe bindjen se koha po mbaronte. Bridget e njihte gjuhën tonë të heshtur.

Ishte e qartë, e përqendruar dhe gjithmonë e pranishme në diskutime që nuk ishin vetëm për politikën, por për jetën. Ishte prekur që Christofer Hill, ambasador i Amerikës në Shkup, iu kishte marrë kompetencat e ndermjetësimit në konfliktin e Kosovës.

Nic Hill, ajo dhe Bob Norman kishin mbetur pa fuqi diplomatike. Edhe pse kishin punuar shumë në terren. Ajo më dha mundësinë dhe më përkrahu bashkë me Nick Hill që të isha në Amerikë më maj dhe qershor të vitit 1998.

Kur filloi dhuna e hapur dhe refugjatët dolën nga Kosova, ajo u zhvendos në Shkup. Aty u përfshi në përpjekjen për të parandaluar një katastrofë më të gjerë në rajon. Kishte frikë reale se lufta mund të shpërthente edhe në Maqedoni. Punonin ditë dhe natë për ta mbajtur nën kontroll krizën. Bëhej gjithçka që të mos shpërthente një luftë e dytë.

Ishte ajo që më dha dorën për të filluar sa më shpejt gazetën Koha Ditore në ekzil, në Maqedoni. Refugjatët duhet të informoheshin. Në një situatë ku gjithçka ishte e paqartë, ndihma e saj ishte vendimtare. Ishte e pranishme çdo ditë.

Brenda atij rrethi të ngushtë të diplomacisë ndërkombëtare që vepronte në terren, Bridget më qëndroi pranë, pa kërkuar asgjë. Përveç së vërtetës.

Më propozoi të shkoja në Amerikë. Bashkë me të tjerët po punonim për të krijuar listat e refugjatëve që mund të sistemoheshin në SHBA.

Ma tha me bindje: “Duhet të shkosh edhe ti”. Por nuk shkova. Vendosa të mbetem dhe të ndërtoj gazetën aty ku kishte më shumë nevojë. Dhe ajo e respektoi këtë. Më mbështeti pa asnjë rezervë.

Kujtoj si tani një mbrëmje përgjatë lumit në Shkup. Ishim unë, Bridget, David Slin dhe Bukurije Gjonbalaj. Rrinim gjatë në ajrin e rëndë të frikës dhe flisnim për gjendjen në kufi, për gjendjen e kampit, për listat, për njerëzit që duhej të largoheshin me çdo kusht.

Ajo mbante qetësinë dhe vendosmërinë. Si gjithmonë. Ajo besonte se verës duhet te ktheheshim në Kosovë me çdo kusht. Ndryshe Maqedonia nuk ekzistonte si shtet.

Më vonë, në vitin 2022, Bridget Brink u emërua ambasadore e SHBA-ve në Ukrainë.

Në vizitën ku isha edhe unë me kryeministrin Edi Rama në Kiev, i shkrova email që ta takoja. Doja ta përshëndesja, ta takoja si mikja ime e vjetër nga lufta e Kosovës. Por nuk e pamë dot njëri-tjetrin.

Qyteti ishte i blinduar, gjithçka ishte luftë. E ndjeva mungesën e saj jo si mungesë takimi, por si një peng i bukur i miqësisë që s’ka nevojë për fjalë. Ishte aty.

Bridget më ka ndihmuar shumë. Por nuk ishte e vetme. E ndjej sot detyrë mirënjohjeje t’i përmend edhe të tjerët që ishin në të njëjtën anë: David Slin, Axel Dittmann, Jan Kiket dhe Jonas Vice.

Diplomacia e tyre nuk ndodhi nëpër tryeza. Ndodhi në rrugë, në kufij, në zyrat ku bëheshin listat për jetën.

Prandaj, për mua, largimi i saj nga Ukraina nuk është thjesht një zhvillim diplomatik. Është fundi i një kapitulli të gjatë ku një grua që e njohu thellësisht Ballkanin dhe e donte drejtësinë, vendosi të mos bëhej pjesë e një kohe që nuk i ngjason më asaj që ajo përfaqëson.

Bridget Brink nuk ishte thjesht diplomate. Ishte dëshmitare. Dhe dëshmitarët e tillë nuk harrohen.

Lini një Përgjigje