Dy foto historike, dëshmitare të paradokseve historike. Kur shqiptarët në Kosovë mbronin "jugosllavizimin"

24 Mars 2023, 12:20Blog TEMA

Dy foto historike, dëshmitare të paradokseve historike. Kur

Nga Armand Plaka

Dy foto shumë interesante që shprehin një fazë kalimtare të lëvizjes së Kosovës për Pavarësi, në të cilën shqiptarët shfaqeshin paradoksalisht si mbrojtësit më të zjarrtë të Jugosllavisë, të "titizmit", të "bashkim-vëllazërimit" për të mos u bërë bartës të akuzave të vazhdueshme të Serbisë për nxitjen e trazirave dhe rrënimin e ish-Jugosllavisë në diskursin federativ.
Bëhet fjalë për fundvitin 1988. Në njërën nga fotot (ajo e 21 nëntorit 1988) shihet ish-lideri famëkeq komunist serb, Sllobodan Millosheviç duke bërë thirrje në Kongresin e Lidhjes Komuniste të Serbisë që Federata të merrte masa e të ndërhynte në Kosovë, duke i akuzuar shqiptarët se kërkonin shkatërrimin e ish-Jugosllavisë.
Këtu ai kërkoi zyrtarisht anulimin (suspendimin) e Autonomisë së Kosovës, ide për të cilën ai do të haste jo pak kundërshti edhe mes radhëve të krerëve të ish-Federatës, e gjithashtu edhe prej disa prej vetë liderëve komunistë serbë të kohës.
Në foton e dytë, shkrepur në Prishtinë (në dhjetor 1988), shihen kryesisht fëmijë që mbajnë në duar flamuj në dukje shqiptarë, por që në fakt ishin ato zyrtarë të ish-Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës, sikurse dhe flamuj të ish-RSFJ, por edhe portrete të ish-liderit jugosllav, J. Broz TITO, i cili kishte 8 vite që nderkaq kish shkuar në botën tjetër.
Nga ajo kohë e deri në fundin e ish-Jugosllavisë shqiptarët do artikulonin pretendimet e tyre për ruajtjen e autonomisë, sepse represioni serb kishte bërë që jo vetëm të mos përmbushej kërkesa e tyre e vitit 1981 "Kosova Republikë", por të humbisnin edhe autonominë e pozitat kushtetuese që i kishin fituar në 1974 me shumë gjak e sakrifica.
Kërkesa për pavarësi (edhe pse brenda Federatës) shihej si herezi dhe përfundoje automatikisht në burg.
Më pas, me evoluimin e situatës, tek disa intelektualë kosovare u krijua iluzioni se Jugosllavia po demokratizohet me ardhjen e sistemit shumëpartiak e rënien e monopolit të LKJ, e si pasojë do mund të kishte edhe ridimensionim të të drejtave kombëtare, daljen në pah të forcave demokratike, liberale e të emancipuara edhe në Serbi, por u pa se ky vizion ishte tërësisht utopik, pasi Beogradi s' po jepte kurrfarë sinjali se do mund të shkonte në këtë drejtim dhe pushteti i Millosheviçit po bëhej gjithnjë e më i fortë dhe represiv, tashmë kur s’i nënshtrohej më edhe asnjë “mbikqyrjeje” federale.
Në këtë moment tashmë si kripa në ujë ndërkohë ishte shkrirë "jugosllavizmi", "bashkim-vëllazërimi", "titizmi" dhe ndërsa autonomia për Kosovën tashmë ishte suspenduar me dhunë falë këmbenguljes së S. Millosheviçit (zyrtarisht vendimi ishte marrë dmth miratuar nga Kuvendi Krahinor në Prishtinë nga vetë shumica shqiptare, ku vetëm 10 nga 190 delegatë – përfshirë këtu shqiptarë dhe serbë - arritën t’a refuzonin një hap të tillë publikisht më 23 mars 1989) s' mbetej gjë tjetër veç artikulimit të kërkesës për pavarësi, afirmim të identitetit kombëtar dhe njohje ndërkombëtare.
Ndërkaq përfaqësuesit e deriatëhershem të shqiptarëve në Kuvend a sferën politike, nuk shiheshin më si të tillë dhe ishin zeruar tërësisht në sytë e popullit.
Sidoqoftë, edhe në kohën e protestave të vitit 1981, në asnjë rast nuk u artikulua ndonjëherë kërkesa për Bashkim me Shqipërinë, e cila nuk bëhet edhe sot e kësaj dite nga qarqet zyrtare në dy anët e kufirit pwr arsye që merren me mend, edhe pse për retorikë politike është dëgjuar artikulimi i saj në qëndrime e deklarata jozyrtare.
Pikërisht këtë pikë thekson fort edhe diçitura shoqëruese e fotos së dhjetorit 1988 në Prishtinë, marrë nga arkivat e shtypit britanik, të cilën po e risjell për publikun sot si homazh për përpjekjet në njërin nga stacionet e historisë së vonë të Kosovës, të cilat pikërisht 10 vite pas suspendimit të autonomisë saj, paradoksalisht do të sillnin sulmet ajrore të NATO-s më 24 mars 1999 dhe nisjen e rrugëtimit të saj si shtet i pavarur.

Dy foto historike, dëshmitare të paradokseve historike. Kur

 

6 Komente

  1. G
    Genti

    Shqiptarët e Kosovës me sakrifica të mëdha nën Jugosllavinë e Titos arritën një status autonomie të gjërë duke patut Qeveri, Kuvend, polici, universitet shkolla të tyret gjë që çoi në zhvillimin dhe përparimin e gjithanshëm të jetës. Jugosllavia e Titos ishte ku e ku më mirë se shtypja serbe e për këtë shkak shqiptarët e Kosovës mbështesnin Jugosllavizmin e Titos përballë shovinizmit fashist serb të Millosheviçit. Shqiptarët nuk kishin ndonjë dashuri për Jugosllavinë Titiste por ishin pragmatistë dhe të bindur se pas vdekjes së tij gjërat do shkonin tmerrësisht keq.

    1. K
      Korabi.

      O. Genti. shume. me. keq. kemi. qene. neve ne. shqiperi. nen. Halen. Enver. se. sa. kosovaret. nen. Titizem. dhe. miloshevic

      1. b
        ben

        Komenti juaj eshte teper i sakte. midis dy te keqijave do zgjedhesh gjithmone ate me te miren.

      2. K
        Korabi.

        Shume. me. keqe. kemi. qene. neve. ne. shqiperi. nen. Halen. Enver. se. sa. kosovaret. nen. Titizmin. dhe. Miloshevic

        1. R
          Rezi

          Vetëm Korab nuk je kur gënjen, kur mohon historinë tënde, vetëm se ke në dorë të shkruash anonim. Turp s’ju vjen? Kjo teoria e të qënit më mirë është përhapur shumë pas 90-ës nga gjithë udbashët, pastaj më vjen keq por të jesh kaq vite nën Jugosllavi, merr edhe vese, shartohesh. Jemi krenarë që të paktën këtë Shqipëri që kemi, e kemi prej atyre brezave që fituan luftën, dhe ndërtuan vëndin. Po të ishte për titizmin, as emër s’do kish, do ishte kthyer në republikën e 7 jugosllave. Rroftë Shqipëria dhe lavdi brezave të luftës e të punës. Ju dembelat merruni me telefona.

        2. H
          Hajni

          Shkrim jo i sakt. Nëse nuk din, mos shkruaj!

          Lini një Përgjigje