Çfarë mund të sillte gjyqi i hapur i Ilir Metës

28 Prill 2026, 13:00Blog TEMA
Çfarë mund të sillte gjyqi i hapur i Ilir Metës

Nga Ermal Peçi

Ajo që u pa sot me Ilir Metën ishte një pamje që shpesh e sjell vetëm mungesa e pritshmërive dhe përplasja e fortë me realitetin. Dikur një nga “lojtarët” kryesorë të skenës politike shqiptare, sot Meta përballet me një situatë krejt tjetër, larg qendrës së vendimmarrjes dhe nën peshën e një procesi gjyqësor që e ka vendosur në qendër të vëmendjes publike.

Ilir Meta, që për vite me radhë ka qenë pjesë kyçe e marrëdhënieve dhe ekuilibrave politikë, sot duket në një rol krejt të kundërt me atë që ka pasur dikur. Kjo pamje, përtej figurës së tij, shërben si një paralajmërim për çdo funksionar të lartë që e ka trajtuar pushtetin si një lojë pa pasoja.

Në këtë histori politike, shpesh rikthehet edhe një përshkrim i Daut Gumeni, i cili e ka cilësuar Metën si “i majti që endet në varrezat e të djathtës”. Një shprehje që, pavarësisht ironisë së saj të fortë, përmbledh kontradiktat e thella të një figure që ka lëvizur mes kampeve politike si pjesë e një sistemi ku kufijtë ideologjikë shpesh janë zëvendësuar nga marrëveshjet e interesit.

Pyetja që lind natyrshëm është: si mund të jetë ndjerë elita politike shqiptare, nga Sali Berisha te Edi Rama, duke parë një nga bashkëpunëtorët e tyre më të afërt politik në këtë pozicion? Në kujtesën politike të tranzicionit shqiptar, Ilir Meta shpesh shihet si pjesë e një trekëndëshi funksional pushteti, ku aleancat dhe përplasjet kanë qenë po aq të rëndësishme sa edhe marrëveshjet e heshtura që kanë prodhuar ekuilibra politikë ndër vite.

Në këtë kontekst, ideja e një procesi gjyqësor të hapur, i ndjekur drejtpërdrejt nga media dhe publiku, ngre një debat tjetër: A do të kthehej drejtësia në një spektakël publik?

A do të “Big Brother-izohej” institucioni i SPAK-ut, duke e shndërruar procesin në një reality show, ku politikanët bëhen aktorë dhe opinioni publik gjykon në kohë reale çdo deklaratë, çdo përplasje dhe çdo dëshmi?

Në një skenar të tillë, shqiptarët do të ishin përballë një “teatri të hapur”, ku çdo detaj politik do të shfaqej pa filtra: nga çështja e “floririt të Krrabës”, te video Prifti–Meta, te marrëveshjet CEZ-DIA dhe prapaskenat mes aktorëve kryesorë të politikës. Do të lindnin pyetje të drejtpërdrejta që për vite kanë qarkulluar në debatin publik: si u ndërtuan aleancat që sollën Edi Rama në pushtet në vitin 2013, çfarë roli luajti Ilir Meta në raportet e tij me Sali Berisha, apo si u pozicionuan aktorët politikë në përballjet e brendshme të Partisë Demokratike dhe opozitës ndër vite.

Çfarë ndodhi realisht në vitin 2021 dhe pse Meta punoi kundër Lulzim Basha dhe PD-së? Çfarë marrëveshjeje fshihej për të ndaluar rotacionin?

Në të njëjtën linjë, publiku do të kërkonte të dinte edhe më shumë: nga marrëdhëniet me figura ndërkombëtare të përfshira në skandale, deri te episodet që kanë tronditur politikën shqiptare në vitet e fundit. Në këtë kuadër hyn edhe çështja e Charles McGonigal, ku njerëz të afërt me Metën janë parë me ish-agjentin e FBI-së, një ngjarje që ka marrë vendim gjykate në SHBA, por e cila ka qarkulluar gjerësisht në debatin publik si pjesë e një rrjeti më të gjerë dyshimesh dhe lidhjesh politike që kanë prekur aktorë të ndryshëm të skenës shqiptare.

Në një skenë të tillë, gjyqi nuk do të ishte më vetëm një proces juridik, por një rrëfim i hapur i historisë politike të tre dekadave të fundit: marrëveshje, ndarje, rikthime dhe bashkëpunime që kanë formësuar shtetin shqiptar.

Në momente presioni, ndoshta edhe vetë Ilir Meta do të detyrohej të fliste më shumë se kurrë më parë, duke nxjerrë në dritë jo vetëm fakte, por edhe të vërteta që kanë mbetur në hije. Sepse, siç shkruante Fyodor Dostoevsky, “Burgu më i rëndë është ai ku njeriu përballet me të vërtetën e vet” – dhe kjo është një përballje që shpesh është më e rëndë se çdo akuzë apo dënim publik.

Në fund të kësaj historie, një gjë bëhet e qartë: Shqipëria sot nuk po përballet me gjyqe politike, por me politikanë që akuzohen për korrupsion dhe që për vite me radhë e kanë trajtuar shtetin si mjet për të ndërtuar pushtetin e tyre politik dhe ekonomik.

Kjo nuk është më një betejë narrativesh apo viktimizimi, por një moment përballjeje me përgjegjësinë.

Ndoshta, për herë të parë pas shumë vitesh, nuk është më sistemi që u detyrohet përgjigje politikanëve, por janë vetë politikanët që duhet t’i përgjigjen drejtësisë dhe qytetarëve.

*Ky shkrim është pjesë e projektit “PRODEMOCRATIA”, një partneritet mes INSTITUTIT PASHKO dhe Media MAPO, për të analizuar zhvillimet e demokracisë shqiptare.

Lini një Përgjigje