
Nga Ben Andoni
Fleta e votimit me përmasa gjigande e Qarkut të Tiranës, e vlefshme më shumë për koleksionistët, në këto zgjedhje do të përmbajë një shumë emrash që vërtetë të jep kuptimin e gjërave gargantuane. Pangopësia e politikës dhe e një grupi njerëzish, të cilët nuk i ndahen pushtetit, është pasojë e një kodi zgjedhor që nuk i përshtatet më as demografisë së vendit por më shumë kontributit real të kaq shumë njerëzve, pothuaj të panjohur, të cilët siglojnë emrin e tyre në librin historik të ligjvënësve shqiptarë.
Sido që mund të argumentohet për demokracinë tek ne, realisht sistemi ynë zgjedhor ka në qendër vullnetin politik dhe jo besimin (lexo: vullnetin) e votuesit mbi kandidatët. Në momentin që votuesi e hedh votën, tashmë është kryetari që menaxhon vullnetin dhe qenësinë e deputetit, mbështetur nga votuesi i thjeshtë. Ai\ajo që devijon e di mirë vendin.
Në argumentin tonë: Shqipëria ka nevojë të ketë një institucion ligjvënës me pjesëmarrje shumë më të kufizuar që të përfaqësojë sublimitetin dhe efektin e një institucioni, gati me histori shekullore, por që tashmë vuan nga ndryshimet kushtetuese që bënë Rama+Berisha, dy njerëzit me jetëgjatë në pushtetin e lartë të politikës shqiptare. E theksuam këtë sepse sot deputetët e dy krahëve janë thjesht zgjatime të vendimit të kryetarëve respektivë dhe me vendime që dihen kohë më parë. Sa i përket sublimitetit të tij, parlamenti ka mbetur thjesht në teori sepse në praktikë me sjelljet e këtyre legjislaturave, është më shumë subjekt humori dhe batutash, ku Rama&Berisha janë protagonistë të papërballueshëm (Prej fuqisë së emërimit të listave, atribut i tyre).
Në Kuvendin komunist para vitit 1990 ishin plot 250 deputetë që përfaqësonin të gjithë shtresëzimin social të vendit nga punonjësit dhe fshatarët e thjeshtë deri te intelektualët më të spikatur të kohës. Mblidheshin pak herë dhe kjo i jepte legjitimitet një kohe, ku regjimi socialist e kishte relativizuar kuptimin e parlamentit. Aq e vërtetë ishte kjo sa në kapërcyell të viteve ’90 edhe politikanët e rinj nuk e kuptonin pse duhej parlamenti! Kjo, në fakt, u bë e vërtetë praktikisht më vonë, kur pjesa më e madhe thjesht ngrinin\në kartonin si manekinë. Kjo vijoi edhe në parlamentin e ri pluralist dhe duke parë efikasitetin e tij, vetë deputetët bënë një punë të mirë duke e shkurtuar numrin e deputetëve në 140 syresh në legjislaturën e vitit 1992. Në atë sa masë përfaqësojnë, specialistët kanë gjetur se kjo masë është ende e fryrë dhe është shumë e tepruar krahasuar me një masë të madhe vendesh, sa i përket përfaqësimit popullsi-deputet të parlamenteve të tyre. Më tej akoma: Kur mendon që censusi i fundit e përshfaqi zyrtarisht popullsinë rezidente në shtator 2023 rreth 2.4 milionë banorë dhe ku opozita mëton se është më pak se 2 milionë banorë dhe duke pasur parasysh se rreth 490 mijë shqiptarë janë larguar përgjatë 12 viteve, atëherë e kupton se një nga reformat më të mëdha duhet të ishte dhe mbetet reforma parlamentare. Pra, jo thjesht elementi demografik, i cili përbën faktorin e parë dhe kryesor të argumentit tonë, madje krejt të justifikuar, por edhe cilësinë e parlamentit tonë, atëherë e bën imediate shkurtimin e kësaj mase zakonisht parazite dhe lehtësimin e fletës gargantuane në një fletë të zakonshme votimi…për ca njerëz, të cilët edhe mund t’i njohim të paktën. (Javanews)
Pyes gjithmonë veten, se cila të jetë arsyeja që bënë të jetë kaq i bezdisshëm leximi i shkrimeve të këtij njeriu? A mos ndoshta ky të jep përshtypjen sikur është tmerrësisht i vetkënaqur me cilësinë e atyre që thotë në shkrimet e tij! Dhe kurdoherë paraqet një shqetësim të dukshëm sikur është i friksuar nëse turma do arrijë t'a prek thellësinë e mendimeve të tij. Ja një pasazh ku vihet re ky shqetësim i tij kur kujdeset të tërheq vëmëndjen: "Sido që mund të argumentohet për demokracinë tek ne, realisht sistemi ynë zgjedhor ka në qendër vullnetin politik dhe jo besimin (lexo: vullnetin) e votuesit mbi kandidatët." Qofsha I gabuar, por ky njeri duhet të rrijë një kohë të gjatë para pasqyrës duke zbuluar dhe kundruar deri në detaj elementët e një fisnikërie të lartë në fytyrën e tij, gjë që e bënë të bjerë në një dashuri të madhe me veten.
Aman po çmerreni me Benin, as ja vlen ta lexosh. Bëj si unë lexoj vetëm komentet te artikujt e Benit. Vetkënaqësia e ka mbytur të ziun. O rrit cuni m Tiron ene hala njeli katnar..