Hannah Arendt - Të menduarit është i rrezikshëm

1 Tetor 2025, 17:38Blog TEMA
Hannah Arendt - Të menduarit është i rrezikshëm

Nga Mimoza Kelmendi/Bon

Kështu ( Hannah Arendt - Denken ist gefährlich) titullohet filmi dokumentar i sapodalë në Kinemate gjermane i tre regjisorëve: Jeff Bieber; Chana Garzit dhe Sabine Krayebühl.

Hannah Arendt (1906 - 1975) konsiderohet si mendimtarja më e madhe e shekullit të 20-të dhe u mor ndër të tjera me lindjen e sistemeve totalitare. Sot, tezat e saj mbi lirinë, barazinë, demokracinë dhe përgjegjësinë janë më të rëndësishme se kurrë. Ajo ishte një intelektuale e mprehtë, pa kompromis dhe njëkohësisht dukshëm e pasionuar, nje duhanpirëse e pandalur – një figurë e paharrueshme.

Ashtu si Karl Poperi edhe Hanah Arend ishte e mendimit se Platoni, me pyetjen e tij fillestare se kush duhet të sundojë, e kishte joshur mendimin politik të Evropës në një drejtim të gabuar. Por, ndryshe nga Poperi, ajo nuk gjente asnjë tërheqje në mendimet tepër praktike se si duhet qeverisur. Sundimi ishte për Hanah Arend thjesht e kundërta e politikës. Aty ku urdhërohet dhe pastaj vjen bindja, nuk ekziston politika. Për këtë arsye totalitarizmi, në teorinë e të cilit Arend kishte shumë për të thënë, nuk përbënte politikë të keqe apo të gabuar, por fundin e politikës.

Qoftë në SHBA, apo diku tjetër: parimet që dikur konsideroheshin të forta si liria, demokracia dhe siguria duket se në vitet e fundit po dobësohen gjithnjë e më shumë. Një nga ata që njeh këtë fenomen dhe e ka studiuar thellësisht është Hannah Arendt, e cila mbetet aktuale veçanërisht për mesazhin e saj më të rëndësishëm: Politika ka të bëjë me lirinë, lidhet me të dhe varet prej saj.

E njohur për termin “Banaliteti i së Keqes", Arendt pa u lodhur hulumtoi dhe shkroi mbi çështjen se çfarë e çoi saktësisht një vend drejt totalitarizmit. Sipas saj, e keqja nuk ishte një demon, por përkundrazi lindte nga bindja e pamend e shumë njerëzve. Për Arendt-in, ishtë e qartë: vetëm bindja e verbër e shumë njerëzve e bën të mundshme të keqen. Në vend që t'i dorëzohemi një trendi në rritje, ajo na kujton, ende shumë të rëndësishme sot, fuqinë e veprimit, e cila për të përfshin edhe të folurit. Ajo besonte se politika nuk duhet t'u delegohet udhëheqësve individualë, por duhet të zhvillohet brenda shoqërisë.Kjo është arsyeja pse idetë e saj ende mbeten aktuale edhe sot.

Vetëm biografia e Arendt që lindi nga prindër hebrenj në Linden dhe e rritur në qytetin e atëhershëm të Prusisë Lindore, Königsberg tregon se ajo nuk ka pasur një jetë të lehtë. Si hebre, ajo iku nga regjimi nazist në Gjermani në vitin 1933, përfundoi në arrest nga Gestapo në Francë dhe më pas emigroi në SHBA, ku ndër të tjera veproi si aktiviste dhe gazetare dhe mori shtetësinë amerikane në vitin 1951.

Kush ishte Hannah Arendt – kjo pyetje është sigurisht shumë komplekse për t'iu përgjigjur në mënyrë të plotë në një film 86-minutësh. Megjithatë, autorët ia dalin t’i afrohen thelbit dhe proceseve të mendimit të Arendt-it, si dhe të nxjerrin në pah rëndësinë e saj për ditët tona. Ky film vjen pikërisht në kohën e duhur.

Lini një Përgjigje