Pse ka rëndësi klasa punëtore

1 Tetor 2025, 17:20Blog TEMA
Pse ka rëndësi klasa punëtore

Për të majtën perëndimore, mësimi i dekadës së fundit është jashtëzakonisht i qartë. Të përqendrohesh ekskluzivisht tek identiteti - te raca dhe gjinia - duke shpërfillur realitetin material të klasës dhe duke mohuar vetë klasën punëtore, është një gabim strategjik katastrofik.

Nga Yanis Varoufakis

Një fantazmë po endet në Perëndim – fantazma e një klase punëtore, shtëpia politike e së cilës është mbyllur me forcë. Prej dekadash, të joshur nga këngët sirenë të “rrugës së tretë” të Bill Clinton, Tony Blair dhe Gerhard Schröder, forcat e qendrës së majtë e braktisën gjuhën e luftës së klasave.

Por, në ngutin e tyre për t’u bërë të respektueshëm dhe për të dëshmuar se ishin menaxherë më efikasë dhe më të drejtë të kapitalizmit, ata reshtën së foluri për shfrytëzim dhe zgjodhën të shpërfillin antagonizmin e brendshëm – madje edhe dhunën – e marrëdhënies kapital–punë. Ata përjashtuan nga diskursi politik fjalët e punëtorëve, sjelljet, mënyrën e të qenit dhe aspiratat e tyre. Dhe pastaj i përçmuan ish-votuesit e tyre duke i quajtur “të mjerueshëm”.

Kur ulja e statusit shoqëror dhe varfërimi pushtojnë territore të gjera ku një klasë punëtore dikur krenare tashmë ndihet e braktisur, dhe ndaj të cilave partitë e konsoliduara mbyllin sytë, lind dëshira për një projekt të ri restaurimi dinjiteti – për narrativë që vendos një “ne” kolektiv përballë një “atyre” të fuqishëm. Dhjetë vjet më parë doli në skenë një propagandist helmues me një përvojë njëqindvjeçare në shfrytëzimin e boshllëqeve të tilla: e djathta ekstreme ksenofobe.

Lëvizjet dhe liderët që centristët me ngathtësi i etiketuan si “populistë” nuk e krijuan këtë dëshirë – ata thjesht e shfrytëzuan me cinizmin e një monopolisti të stazhionuar që dallon një treg të paeksploruar. Nga zonat punëtore të jugut të Pireut, fare pranë vendit ku po shkruaj këtë analizë, deri në periferitë dikur “të kuqe” të Parisit ose Marsejës, shohim blloqe votuesish që zhvendosen nga partitë komuniste dhe socialdemokrate tek ato të krijuara nga trashëgimtarët politikë të Mussolini-t dhe Hitlerit. Si paraardhësit e tyre, këta kameleonë politikë paraqiten si flamurtarë të një klase punëtore të zhveshur nga të drejtat. Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara, supremacistë të bardhë, fundamentalistë të krishterë, lordë tekno-feudalë dhe ish-votues demokratë të zhgënjyer bashkëveprojnë së bashku me pasion në një koalicion që e ka fituar dy herë Shtëpinë e Bardhë.

Krahasimi, që shumë po bëjnë, me periudhën ndërmjet dy luftërave botërore mund të na çojë në rrugë të gabuar nëse nuk jemi të kujdesshëm, por mbetet i goditur. Dhe megjithëse prirja e së majtës për të quajtur të gjithë kundërshtarët konservatorë ose centristë “fashistë” është e pajustifikueshme, fakt mbetet që fashizmi tashmë ndihet në ajër. Si mund të ishte ndryshe? Kur njerëzit e klasës punëtore u braktisën në të gjithë Perëndimin, ishte e lehtë që atyre t’u rikthehej shpresa me premtimin e një rilindjeje kombëtare të ndërtuar mbi mitin e një Epokë të Artë.

Pasi u kap karremi, hapi tjetër ishte të devijohej zemërimi i tyre nga forcat socio-ekonomike që i kishin çuar në varfëri, te ndonjë komplot i paqartë – “globalistët”, “shteti i thellë” ose ndonjë komplot i drejtuar nga George Soros për t’i “zëvendësuar” ata në tokën e tyre. Duke u ushqyer nga pasioni i ndezur në këtë mënyrë, politikanët ultra të djathtë fillojnë të shënjestrojnë elitat liberale, bankierët, të huajt e pasur jashtë vendit dhe të huajt e mjerë në vend – njerëz që mund të portretizohen si uzurpatorë të Epokës së Artë dhe pengesa për rilindjen kombëtare.

Pastaj (dhe vetëm atëherë) vjen shpërfillja e luftës së klasave, duke përjashtuar përfaqësimin politik të interesave ekonomike të klasës punëtore. Zemërimi ndaj pronarëve amerikanë që mbyllin fabrikën e tyre lokale dhe e dërgojnë atë në Vietnam ridrejtohet kundër punëtorëve kinezë. Zemërimi ndaj bankës që sekuestroi shtëpinë e familjes bëhet urrejtje për avokatët hebrenj, mjekët myslimanë dhe punëtorët meksikanë me ditë. Kushdo që u kujton atyre se kapitali grumbullohet duke gllabëruar, zhvendosur dhe përfundimisht duke braktisur punën e njerëzve si ata trajtohet si një tradhtar kombëtar. Në vitet 2020, ashtu si në vitet 1920, e djathta ekstreme u ngrit falë këtij procesi. Kjo nuk ndodhi brenda natës. Procesi i humbjes së klasave punëtore, fillimisht për shkak të dëshpërimit dhe përfundimisht për shkak të mendësisë fashiste, filloi me fundin e Bretton Woods në vitin 1971. Por çfarë e shkaktoi transformimin e së djathtës ekstreme nga një lëvizje proteste brenda politikës konservatore në një forcë autonome që merr pushtetin, shkatërron pa turp institucionet liberale borgjeze dhe nis një projekt për asgjësimin e “bolshevizmit kulturor” – një term tepër i dashur Joseph Goebbels?

Dy zhvillime bien më shumë në sy. Së pari, kriza financiare globale e vitit 2008 – momenti i gjeneratës sonë i ngjashëm me vitin 1929 – i çoi centristët në pushtet të impononin masa të rënda shtrënguese mbi klasën punëtore, ndërsa i zgjatën solidaritet “socialist” të sponsorizuar nga shteti kompanive të mëdha. Së dyti, ashtu si në vitet 1920 dhe 1930, centristët dhe konservatorët jo-fashistë kishin më shumë frikë dhe urrejtje ndaj së majtës demokratike sesa ndaj së djathtës autoritare.

Mësimi për të majtën është dhimbshëm i qartë. Të fokusohesh ekskluzivisht tek identiteti – te raca dhe gjinia – duke injoruar realitetin material të klasës, është një gabim strategjik katastrofik. Është si të çarmatosesh përballë një armiku që ka transformuar në armë vetë rrëfimin të cilin partitë e qendrës së majtë e kishin braktisur.

Detyra është të integrohen betejat jetike kundër racizmit dhe patriarkatit në një kritikë të re dhe të vendosur ndaj pushtetit të klasës. Duhet ta rimarrim fjalorin e solidaritetit dhe shfrytëzimit, duke treguar se armiku i vërtetë i punëtorit nuk është emigranti, por rentieri, lordët tekno-feudalë, punëdhënësit monopsonistë dhe financierët që e trajtojnë të ardhmen e tij si një derivat mbi të cilin spekulohet. Liderët e rinj, si kandidati për kryetar bashkie i Nju-Jorkut Zohran Mamdani, duhet të ndihmojnë për të gjetur një sintezë që i flet njeriut në tërësinë e tij.

Alternativa është të mbetemi spektatorë të tragjedisë sonë politike, duke parë teksa njerëzit e harruar të së majtës shkojnë drejt një beteje në fantazinë e së djathtës për pastërti kombëtare. Klasa punëtore ka rëndësi. Është koha të fillojmë të veprojmë në përputhje me këtë.

Why the Working Class Matters

7 Komente

  1. R
    Real

    I sakte ne mesimet e klasikeve te M-L

    Përgjigjjuni
    1. E
      E verteta dhemb...

      Citjonezi,lexoje Varufaki-n , eshte teper rreal ne ato qe thot, mos kruaj bithen me mustaqet e Erdoganit per nje bektosh state e pordhet e Sorros......!!

      Përgjigjjuni
      1. E
        Epirioti II

        Shume mire e ke ti Varoufakis, por injoron faktin qe teknologjia po e tret klasen punetore pakez e nga pakez. Rrojme ne nje bote ku teknologjia te heton dhe te manipulon ne çdo sekonde pa te lene mundesine te ndriçohesh dhe grupohesh. Te luftosh kunder tekno-feudaleve eshte beteja me e veshtire ne historine e njerezimit. Kur specia e re e ketij shekulli "tekno-bujkeroberit" te kete prekur fundin mbase shpikin nje forme proteste efikase per te prodhuar nje sistem te ri boteror funksional.

        Përgjigjjuni
        1. V
          Varufakis ka te drejte

          Klasa punetore do te ekzistoje dhe fitoje, por ajo nuk do te perbehet nga njerez por nga robotet humanoide. Kapitalizmit do i duhet te gjeje nje tjeter emer. Nderkohe e ardhmja, gjate periudhes 2035-2100, i takon sistrmit kinez, por te modifikuar. Per me pas do na tregoje dokra Elon Mask.

          Përgjigjjuni
          1. k
            ka mbetur prapa

            Varufakis është kundrathënës. E majta dhe klasa punëtore ishte viktima e parë e globalizmit alla Soros. Sot në Europë pothuajse nuk kemi më klasë punëtore të mirëfilltë si te "Zherminali", apo si në uzinat e Fiatit, Renaultit, apo Mercedesit. Shumica e krahut të punës êshtë zëvendësuar nga makinat robotë. Sot në të gjitha vendet perëndimore kemi një klasë punëtore të pakët në numër, anemike në shpirt dhe e papërgatitur ideologjikisht. Kemi shumë të vetëpunësuar, artizanë, dhe punonjës që merren me service, shërbime. Të gjithë këta me gjuhën e vjetër quhen mikroborgjezë. Varufakis ka ngelur pak prapa. Prandaj edhe e majta nuk po e gjen dot veten se nuk ka më bazë mbështetëse. Në situatën e sotme ajo nuk ka çfarë të ofrojë. Shqetësimet e shumicës së popullit nuk përputhen më me shqetësimet e Varufakis!

            Përgjigjjuni
            1. M
              Murgu

              Edhe i vetëpunësuari, artizani, punonjësi i servisit, kur nuk shfrytëzon punën e të tjerëve, puntor është. Puntor nuk është vetëm ai që punon më miniera, fabrika si Fiati apo simotra, metalurgjikë etj..., puntor është edhe shitësi tek supermarketi, fshesari, ndërtuesi, etj, kur punon për një të tretë. Mikroborgjezi është tjetër gjë. Po të jetë kështu si thua ti, pse ka mungesë të fuqisë puntore në botë. Pra flitet për fuqi puntore, jo fuqi mikroborgjeze(!). Teknologjia zëvendëson punët e vështira për njeriun, por nuk e zëvendëson atë, e çliron punën nga lodhja fizike, rrit rendimentin dhe të ardhurat shoqërore, ul kostot, pra rrit efektivitetin e punës, por prap, nuk e zëvendëson assesi punën e njeriut edhe atëhere kur makinat fantazisht do të "ndërtonin makinat". Duhet thënë ndryshe: jo ka mbetur prapa Varufakis, por tashti i erdhën mentë të majtëve të vërtetë të perëndimit, pas asaj marrosje të fund shekullit të kaluar e deri më sot. Çështja shtrohet sërisht: kush e prodhon dhe kush e përvehtëson mbivlerën dhe problemet që rrjedhin nga kjo kontradiktë. Kush merr përsipër ta zgjidhë këtë çështje, kur sitemi aktual është kthyer në një kapitalizëm rentjer, jo prodhues; këtë përpiqet të thotë ekonomisti i majtë.

              Përgjigjjuni
              1. S
                Shaqo

                Jeni shume i sakte. Varoufakis eshte nje analist brilant i kohes se sotme, i analizon gjerat ne zhvillim, jo dogmatik. E kexova me vemendje, me ka pelqyer gjithmone, qe nga argumentet e tij qe u terhoq nga qeveria e Ciprasit e deri tani. Eshte teper realist. Me pelqeu se tepermi komenti juaj, alias Murgu.????

                Përgjigjjuni

            Lini një Përgjigje