Kryeministri, një avokat i tepërt në aulën e drejtësisë

18 Janar 2026, 09:30Blog TEMA
Kryeministri, një avokat i tepërt në aulën e

Nga Preç ZOGAJ

Politika është art, pëlqejnë të predikojnë politikanët. Është e vërtetë, por jo jashtë parimeve të artit. Një parim që përkufizon artistiken është vija që ndan të tepërtën nga e mangëta. Thënë ndryshe të mesmen e artë, sensin e masës, atë që përcakton edhe ekuilibrin në çdo lëm të veprimtarisë njerëzore. Që nuk është domosdoshmërisht një e mesme as mish as peshk mes dy gjysmave. Por një e mesme e arsyes, e së drejtës, e së hijshmes. Mbështetur në prioritete të periudhës dhe në fakte konkrete kur është fjala për qeverisjen.

Kjo parantezë të vjen ndërmend duke parë se prej një viti dhe sidomos   dy tre muajt e fundit kryeministri Rama ka angazhuar në podkastin e tij, në intervista, në konferenca shtypi dhe në takime me grupin  parlamentar një retorikë gjithnjë e më invadente në adresë të SPAK, BKH, GJJKO-së, drejtësisë se re në përgjithësi.

 Që kryeministri nuk bie dakord me çdo gjë që vjen nga drejtësia, ky është një lajm i mirë për demokracinë tonë. Për vetë drejtësinë piksëpari - të mos harrojmë se deri para katër-pesë vitesh kastat qeveritare e mbanin veten mbi ligjin. Kjo epokë ka marrë fund. Drejtësia e re nuk njeh tabu. E mësoi më në fund edhe Rama që deri dje, sa pa e provuar në kurriz me njerëzit e kupolës së tij, e përdorte  këtë shprehje si parrullë.

Ky është një lajm ogurmirë gjithashtu për arkitekturën e tre pushteteve të pavarura - legjislativi, ekzekutvi dhe drejtësia - që po merr formë  dhe po shtyn jo pa mundim lloj - lloj sfidash drejt një demokracie normale. Ku drejtësia është gur themeli i ngrehinës dhe ku pushtetet japin e marrin brenda kuadrit ligjor e qëllimit të përbashkët. Nga kjo pikpamje, është e zakonshme që kryeministri të komportohet si palë, të thotë të vetat edhe për drejtësinë, duke folur si kryeministër.

Po deri ku, deri në ç’pikë?  Vimë te sensi i masës ku e nisëm. A janë qëndrimet e kryeministrit brenda një dialektike kundërshtish  konstruktive që reflektojnë dhe adresojnë shqetësime reale në funksion  të përmirësimit të drejtësisë?

Apo ai po mbush topat e retorikës me episode të kritikueshme, të qëmtuara aty këtu, nga të cilat nuk mund të shpëtonte kaq shpejt një drejtësi pa traditë si e jona?

Përgjigja nuk është si një e një bëjnë dy. Në prononcimet e Ramës ka edhe shqetësime të kostumit të kryeministrit.
Nga ana tjetër vinë duke u shtuar faktet që tregojnë se po  zhballancohet drejt një konfrontimi desktruktiv.

Kam parasysh gjuhën bullizuese karikatureske të tipit “trimoshat me patllake të BKH-së”, konsideratat si nga maja e Olimpit për një drejtësi jo cilësore, lidhjet e shkurtra për numrin realisht të lartë të të paraburgosurve në vend, duke e lënë në mjergull si fakt, pa specifikuar se mbi nëntëdhjetë përqind të rasteve nuk kanë lidhje me SPAK dhe GJKKO, alarmet e rreme sikur jemi bërë problem për Komitetin e Turturës pranë Këshillit të Europës, ekuivoket rreth rikualifkimit të shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera, a thua se  shpërdorimi i postit  dhe pabarazia  në gara nuk kanë për qëllim  përftimet e paligjshme.

Mbi të gjitha kam parasysh marrjen e rolit të avokatit për akuzat që rëndojnë mbi zyrtarë të qeverisë së tij, duke e replikuar organin e akuzës pa i parë provat.
Mund të thotë çfarë të dojë për të tjerat, por kjo e avokatit pa i parë provat është e tepërt. Edhe po t’i shihte nuk është detyra e tij.  Avokatia është profesion. Gjithë të pandehurit kanë një ose dy avoketër. Provat që paraqet Prokurori dhe i kundërshton avokati i vlerëson gjykata. Jo një gjykatë. Katër gjykata brenda vendit, përfshirë Gjykatën Kushtetuese. Dhe një e pestë në Strasburg po të shkojë puna. Më shumë se kaq!

SPAK dhe Gjykatat nuk janë të pagabueshëm. Vendimet e tyre të gjykuara të padrejta korrigjohen brenda koorporatës së drejtësisë. E vërtetojnë disa vendime të Gjykatës Kushtetuese. Kështu është drejtësia. Funksionon brenda një sistemi vetkorigjimi që nuk e ka asnjë pushtet tjetër. Nuk ka nevojë pra as për pretencë, as për avokati politike.

Rama duket konfuz kur flet për drejtësi të pavarur, por jo të paanshme, që është një oksimoron, vetëkontradiktë. Sipas meje është i qartë me veten. E ka kryesisht me hetimin edhe ai. Të gjithë me hetimin e kanë. Pra me SPAK, të cilin duan ta bëjnë ndryshe nga SPAKU që kemi. Pra të kthejnë drejtësinë e vjetër, duke qenë se pa hetim nuk ka gjykim, pra nuk ka drejtësi. Kjo është një ëndërr që kthehet e rikthet prej dy vitesh në mendjen e Ramës që kurse shpalli anatemën e tij kundër Republikës së Prokurorëve pasi kuptoj se agjenda e hetimeve po trokiste në zyrat e pushtetit jo vetëm pa syshkeljen por edhe në padijeninë e tij.
Deri tani ka gjetur mbështetje për ketë flateri nga politikanët në konflikt  interesi me drejtësinë. Por jo te shumica e qytetarëve shqiptarë. Aq më pak nga partnerët amerikanë dhe europianë që fatmirësisht mbesin  mbështetësit e palëkundur të drejtësisë së re. Duket qartë se ata po i monitorojnë nga afër qëndrimet e mazhorancës dhe kryeministrit ndaj  hetimeve dhe kërkesave të SPAK. Rama ka një zgjedhje për të bërë: ti humbë të gjitha, pëfshirë atë të avokatit pa licencë. Ose të vazhdojë sa mund ta shtyjë me prioritetin e votuar të integrimit./mapo.al