Kush i “ndezi” trëndafilat e Përmetit në Tiranë?

17 Maj 2023, 21:28Blog Kristo MËRTIRI

Kush i “ndezi” trëndafilat e Përmetit në Tiranë?

47 Maje të Përmetit më trokasin përmes ndjesive të veçanta shpirtërore, personale e familjare, por edhe profesionale. Shpërthejnë njëherësh lulet dhe kabatë e gëzuara, qershitë faqekuqe dhe këngët e famshme të luginës bukurishumë të Vjosës që më rriti e i pret dhe përcjell me dhembshuri brigje më brigje. Ditën, por edhe natën me hënë e pa hënë. Dhëmbeli e Maja e Dritës në Nemërçkë, sikur duan të heqin me ngut “kapelet” vezulluese dimërrore të dëborës dhe të derdhin hijeshitë bio të natyrës së virgjër për njerëzinë. “Trëndafilat fletë-fletë” marrin sokakët poshtë e përpjetë. Bashkë me erën e borzilokut të dendur nëpër ballkone e avlli përmetare. Por edhe në gjokset gufuese të vajzave e djemve që dashurohen, fejohen a martohen në Maj ! Një muaj i bekuar që në ato vise të shenjta i thotë çdo vit pranverës “o dil, o të dal”. Gati 5 dekada kështu. Një refren origjinal, i cuditshëm e aspak i mërzitshëm a monoton. Edhe zogjtë sikur zgjedhin këngët më të mira. Aty, në këtë qytet të fisëm e nisa udhën e gazetarit profesionist. Dhe pata fat të bardhë ! Rrodhën ujëra e përrenj me bollëk, por unë mjaft gjëra vazhdoj t’i përjetoj njëlloj sot e kësaj dite, me të njëjtën ngarkesë emocionale. Këtu dhe matanë maleve, në emigracion. Përmetin e marr me vete. Kujtoj të gjallë e të vdekur, e sidomos ata që më flasin nga dheu lotëkripur i Bolëngës poshtë mollëve të ëmbla dhe ku hardhitë pikojnë dhimbje e mall në çdo stinë…

-Dëgjomë një cikë, miku im ! Ky përmetari i vogël që e pa dritën e Perëndisë këtu (djali im i madh), një ditë do rritet e do bëhet burrë. E bëre dasmën e tij, kudo që të ndodhesh me punë, pa më dërguar haber mua, do të bëj lanet(dhe fërkonte lehtë mustaqet simpatike)…Mos e vrit kaplloqen për orkestër e salltanete. Do të vij unë me çunat. Mua do më darovitësh vetëm me Nënen(kështu e thërriste rakinë Ustai i Fundit). E kam llafosur edhe me Kanon. Mos harro e t’u bëftë udha këngë, ngado që të shkosh !...

Ishte një lloj amaneti i veçantë i Laver Bariut të pavdekshëm, në mesin e viteve ’80 të shekullit që iku. Do filloja korrespondent i “Bashkimit” në Myzeqe. Atje gjeta shokun e shkollës së mesme Pedagogjike, Filip Çakuli, që me vallet e tij konkuronte edhe profesionistët. Se nuk ishte ekselent vetëm në mësime. Por mjerisht…e gjeta jo si gazetar, por si i dënuar padrejtësisht e poshtërsisht nga Tirana në Divjakë ! Dhe nuk u ndamë kurrë, megjithëse më thirrën e më këshilluan “shoqërisht” e zyrtarisht për t’u “distancuar” dhe gjoja për të mos paguar koston e “zbutjes” së luftës së klasave(mendoj se meriton një shkrim të veçantë ky episod irritues e trishtues për mua në atë kohë pa kohë). Dhe ja paradoksi e ironia bubulluese: Ai drejtues i lartë në Lushnje, më thonë se në Pluralizëm paska marrë ilegalisht Vërtetim nga Shoqata e të Persekutuarve Politikë dhe çau ferrën për në Amerikë a Kanada (?!). Por një fletë në bllokun tim të shënimeve, ka mbetur e paprekur dhe e papublikuar ende…Vitet rrodhën njeri pas tjetrit. Duhej të isha kthyer në Tiranë pas 3 vitesh, por mbrita pas gati 15 vjetësh ! Kur u martuan djemtë, usta Laveri ishte sëmurë. Nuk e njoftova. Mirëpo, si krushk i parë, te lokali i Gëzim Kames dhe ballë për ballë me Aurela Anastasin  e bashkëshortin e saj; me “shqiponjën” e valles shqiptare Rexhep Çeliku e Zhani Cikon me Rudinën; thashë edhe dy fjalë zemre për miqtë e mi të munguar Mentor Xhemali e Laver Bariu (Kanerinës, gruas së Ustait, dikush ia kish rrëfyer në Përmet !). Pas pak çastesh, në mes të dasmorëve hyri befas një grup i vogël valltarësh me veshjen e këngët e Labërisë sime të dashur: ”Dy fjalë thoshte kapedani,/ Ja sheshi, ja mejdani !”…

Jo rastësisht i kujtova këto një mbrëmje Maji në Tiranë, javën e kaluar. Në sheshin para Galerisë së Arteve. Shesh që nuk besoj të ketë patur ndonjëherë aq shumë njerëz të ulur e në këmbë si adhurues të Sazeve të famshme nga ajo trevë e bekuar në këmbët e Dhëmbelit. Shumica, natyrisht ishin përmetarë të Tiranës ! Në atë mjedis të hapur, pa bileta e platera luksoze, gjeje edhe dashamirës nga Veriu e Shqipëria e Mesme, pa përmendur Jugun. Se historikisht, sazet e mirënjohura vetëm bashkojnë e hic nuk ndajnë. Fjala vjen, i pari monument i përmetarit të rrallë Abdyl Frashëri që “prishi një barrë flori” për mëmëdheun e kombin shqiptar, u ngrit e flet përjetësisht në këmbë sot e kësaj dite në kërthizë të Prizrenit !...Në Kryeqytet ra një shi i imët para dite. Dhe meraku i organizatorëve për atë mbrëmje të gëzuar, ishte i prekshëm. Sidomos te Edit Pula, vajza e piktorit Fisnik Pula. Brenda kuadrit dyjavor të një Projekti të REAS(4-20 Maj). Kabaja ndjellëse dhe aq e ëmbël e Josif Shukallarit, klarineta virtuoze derdhej pa pushim nëpër Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Shëtitore që mblodhi vetiu e dërgoi në koncert mjaft qytetarë që dilnin si të shushatur nga Polit(h)ika e daulleve elektorale nëpër ekrane e rrugë. Një mesoburrë, nën tingujt e sazeve kërcente bukur dhe për qejfin e vet gjatë tërë aktivitetit. Ngjante me një kupë qielli nga qyteti i luleve në zemër të Tiranës ! Moderatori i palodhur dhe pasionant, Qirjako, e di mirë se si mund të nderohet e respektohet vendlindja e tij buzë Vjosës. Çifti Nepton e Zana Mero, të cilët dikur paguan në kurriz padrejtësisht bashkë me të mirën Leonorë nga Leusa, ca qëndrime e vendime të cuditëshme moniste e jo pak hakmarrëse, gëzonin e duartrokisnin me shpirt. Por edhe përmetare-shkodrania me kontribute jo të vogla në Arsim, Dhora Lloja (Jance) etj. nuk mungon në asnjë veprimtari me rrënjë nga rrënjët e saj…

A e dini nga erdhën këta “dasmorë” gjithnjë të qeshur, me veglat e tyre muzikore dhe me zërin e tyre brilant ? Erdhën nga Brukseli, nga një Festival Ballkanik interesant ku konkurojnë përfaqësues jo dosido nga Bosnja, Serbia, Kosova, Bullgaria, Rumania e Shqipëria. Vecse një majë të vërtetë artistike e krenarie e arritën Sazet e Përmetit : i ftuan dhe hynë brenda në Parlamentin Evropian  ! i shoqëronte vetë eurodeputetja emërmirë Tanja Fajon. Do liberalizoheshin vizat me BE-në ! Por kabatë dhe këngët e Përmetit tim e ngritën në këmbë atë parlament. Koncerti u kthye në një kartolinë kuptimplote nga Shqipëria, në një prezantim të vërtetë kulturor e artistik. Organizatori kryesor belg, Nikollë, njëkohësiht mikpritës zyrtar, është dashuruar me këto saze të mirënjohura kudo. Jo vetëm kaq, por është bërë edhe “nun” dhe i ka pagëzuar me emrin Bend(orkestër) Josif Shukallari ! Madje disa ftesa vijnë me emrin e tij. Katër herë kështu. Në një kuptim klarineta është bërë ambasadore krejt origjinale. Ku ta dinë ata deputetë evropianë se mjeshtri e miku im nga Draçova e Çarshovës nuk ka mbaruar akademira apo mastera frymëmarrëse me okë. “Mullixhiu”i dikurshëm, nisej çdo pasdite me biçikletë brigjeve të Vjosës në fillimvitet tetëdhjetë. Përfytyroni udhët e atëhershme dhe pengesa të tjera. i pari që e pikasi talentin ishte Llazo Vangjeli, njeriu që promovoi disa fëmijë të mrekullueshëm në breza. 

Dhe “xhaxhi Llazo” nuk e thërrisnin vetëm vogëlushët e valleve në kopshte e shkolla, por edhe ne të rriturit. Mjaft prej tyre sot janë burra e gra me fëmijë, gjyshe e gjyshër brenda e jashtë Shqipërisë. Dhe djaloshit Josif i këndonte si nën buzë shpesh atë këngën e mocme popullore:”Aman millona, derman millona!”. Ky e prezantoi për herë të parë te Laveri. Por ustai ishte i rreptë dhe i sertë në mësim. Te ai nuk “pinte ujë” as shoku e as miku përballë magjisë së tij të paprekshme, përballë tempullit të kabave. Ashtu i lodhur, ardhur nga fshati ndoshta edhe me cërka mielli taze nga misri e gruri i bluar për bashkëfshatarët, punoi shumë e jo për lumë ! Ustait nuk i qeshte kollaj buza te kurset në Shtëpinë e Kulturës “Naim Frashëri”. Pas shumë kohësh, kur po ecte në trotuarin pranë asaj vatre të shquar që e katandisën keq horrat, të pabesët e hajdutët me cizme, ngadalësoi hapat e vuri njerën pëllëmbë në vesh dhe dicka dëgjonte si i ngrirë. Po dëgjonte seriozisht tingujt e nje klarinete. “O lako, ky është mullixhiu i Rrëzës”, kaq ishte vlerësimi i tij për Josifin. Vlerësim që mbahet mend gjatë…

Unë i kam njohur gati të gjithë, etër e bij artistë. Luljeta Ilia nga Kanikoli sot u bashkohet Sazeve duke ardhur nga Gjermania. Po ashtu Evgjenia; Donika; Ylli; Andi (djali i muzikantit Irfan dhe nip i Qemal Ponocit, mjeshtrit të madh të vreshtarisë; Elvis e Mikel Rrapaj nga Këlcyra ime e fëmijërisë; Teuta Pango, vajza e traktoristit të shkrimeve të mia; Genti Petro etj. Pa harruar ish kolegen time në TVSH, regjisoren Dhoksi Sahatci(Teta), që promovonte valle e këngë nga këto troje mirësimbuluar. Shpërthimi e “ndezja” e trëndafilave pa bujë e zhurmë reklamash në Tiranë, urtësia e qytetaria e tyre legjendë, mbase nuk i gudulisi hic veshët e politikanëve në Qendër. Aq më tepër në kulmin e makutërisë elektorale ! Se këta, sic pohon me të drejtë një miku im kurveleshas, “Lakmojnë gradat si qoftet,/ S’kanë as be, as fe, as gjak,/ Grinden për kolltukë e poste/ Sic grinden qentë në çanak”…

7 Komente

  1. E
    EmigrANTI

    Pak , shume pak njeres luftojne per vlera me shume jane ata qe duan ANTIVLERA > E hidhur por e vertete. Shkrimi ne vetvete shume i bukur Faleminderit

    1. S
      Sara

      Brilante Kristo! E ke qëndisur me dashuri e mjeshtri profesionale. Një kartolinë e shkruar me mall e respekt për përmetarët dhe mjeshtrit e atij qyteti! Një shkrim që të kënaq me thjeshtësinë e njerëzve dhe madhështinë e muzikës që ata luajnë. Urime dhe lexofshim sa më shumë shkrime të tilla.!

      1. I
        Ilia Nasi

        Shkrim ënde .....

        1. D
          Dhimiter Xhoga (Guri Naimit D)

          Kristo qe je mes dyherre Kristo,Tim vella te ndiere me sjell ne cdo komunikims perqafime te dyfishta ne Takime(kam mbi 3 vjet pa ju takuar, mire qe komunikuam, se fundi kete prag pranvere, ti dy herre TRINITRINA pe MUA,qe nje jete te kam dobesi,kjo shume fishuar deri ne AThine , ne vitet e fillimit e emigrimit une kaluar tej oqeanit,po ato takimet ne ATHINE me ata shoke e miq takuar e lene,fatkeqesisht so te ndare nga jeta,me shtojne mallengjimin per Ju-sheqeri shoqerise . Ju prifte e mira qe me kete shkrim me solle TRINITRIN deri ketu tej Oqeani.me prifte shendeti se dua te vij e te prehem ne atdhe,mes ju miqve e gjaku im me Zavalanin e Dangelline Naimjane-krenaria jone.Mire ju gjeca;pa tjetr do me shoqeroni per ne Permet deri ne Dangelline tone...Na prifte e mira. Me Ju si*GURI NAIMIT*D. Emrin nipit dhene....

          1. D
            Dhembeli

            Bëre shumë mirë që na ktheve në ato vite, o Krito penëarti. Kemi nostalgji për vendin dhe njerzit e artit e të kulturës. Kur i kujtoj , më pushton një mall që nuk e përshkruaj dot me fjalë. Të lumtë dora miku im!

            1. X
              Xhevat Z.

              Një prezantim i tillë, virtuoz e magjiplot i ngjan tamam asaj sazeje super qe magjepsi parlamentaret europian, se ishte USTA LAVERI LEGJENDA E KLARINETES SONE, ashtu e ke qendisur këtë postim kaq mbresëlënës e real. Të lumtë mendja dhe dora flori i nderuar. Atehere konkurohej me zanat e djersë, sot me dekolte e tallava alahupçe, për ato kujdeset kapitali, për degjenerim paguhet me çdo çmim e menyre. Qofsh i nderuar e suksese, veterani gazetarise Kristo Mertiri. Respekte.

              1. J
                Josif Shukallari, klarinetist i Sazeve te pe

                Shum faleminderit Z Kristo Mertiri, per vleresimet dhe komplimentet ne adresen time dhe gjithe grupit te sazeve te permetit, ju jemi shum mirenjohes, respekte per ju!!!

                Lini një Përgjigje