
Vëllimi “Republika e Parë – Historia politike e Kosovës 1989 – 1999” mund të konsiderohet një lloj “Opera omnia”, ose një përmbledhje aq e plotë, aq e detajuar, aq e vënë në rregull kronologjikisht, aq e përkujdesur nga ana shkencore antropologjike, saqë e meriton plotësisht këtë emërtesë! E kam ndjekur autorin M. Baze në shumë analiza të tij, por kapërcimi në njohjen e të shkruarit të tij joeditorial ditor, ka qenë libri tjetër i botuar në vitin 2010, “Viti 97, prapaskenat e krizës që rrënuan shtetin”.
Ai libër më ka befasuar për aftësinë analitike të ngjarjeve që dëshmojnë rënien e shtetit shqiptar, por ky studim i fundit mbi Kosovën ishte një hop thellësisht cilësor dhe përfton natyrë akademike. Studimi i ka të gjitha cilësitë e një vepre të antropologjisë politike. Nuk e di nëse natyra akademike e këtij studimi ka qenë ndër qëllimet e autorit, por ndoshta shkohet më mirë tek ajo natyrë e ajo përmasë kur punon imtësisht me një rigorozitet e metodologji për ta pasur zili: 800 faqe, ku në secilën prej tyre ka risi, dokumentacion, dëshmi, rrëfim interesant nga tragjikja te komikja, referenca të sakta mbi botimet e tjera që trajtojnë argumentin, aspak rutinë dhe për më tepër burim i pafund informacioni mbi çdo detaj që lidhet me periudhën historike 1989 – 1999.
Bash ashtu si “Lufta e Paqja” jep dëshmi mbi rezistencën ndaj luftës dhe fushatave të Napoleonit, prej 1805-s deri 1812-s, duke shkuar deri në detaje të përimtuara me një pafundësi personazhesh, familjesh, fisesh, fshatarësh, ushtarësh e intelektualësh, po ashtu ky libër është një lloj epopeje e sakrificave të shenjta të popullit shqiptar të Kosovës për të shkuar deri te liria me “Paqen” e Rugovës e me “Luftën” e Thaçit.
Studimi fillon me “Letrat e shtetit”, ku del në pah një narrativë e bukur rreth gurit themeltar të zanafillës së historisë burokratike të Qeverisë së Kosovës: takimi ndërmjet Ibrahim Rugovës dhe Bujar Bukoshit në dhjetor të vitit 1991, ndërsa ky i fundit pranon të marrë detyrën e kryeministrit të Kosovës në një kohë dramatike dhe të rrezikshme, ku si bekim i del përherë përpara fraza e Rugovës, të cilën e dëshmon vetë Bukoshi: “Ai ... ishte fanatik kundër konfliktit”. Edhe kur ka dalë në pah përpara udhëheqësve perëndimorë kjo përmasë e Rugovës si princ i paqes, përherë ka ngjallur një habi të madhe se si është e mundur që nga një fuqi baruti si Ballkani të dalë një profet i paqes. Këtë detyrë të re të Bukoshit, Baze e quan me të drejtë atipike dhe që kushtëzohej nga një mision, jo nga një mandat normal.
Për ta ftuar lexuesin në një klimë të librit, ku çdo pjesë të jetë, e lidhur organikisht me pararendësen dhe vijuesen, Baze kryen një udhëtim të shpejtë në historinë e Jugosllavisë dhe evidenton fakte historike që shpjegojnë arsyet pse Kosova mbeti nën ombrellën e pafat të atij shteti deri diku artificial. Analiza e shkurtër e kësaj hyrjeje “jugosllave”, qartëson faktin se dhuna ndaj Kosovës nuk lindi nga një ditë në tjetrën, por ka filluar që para lindjes së Jugosllavisë. Për më tepër, Kosova ishte vendi ku kishin filluar edhe kryengritjet, që i dhanë goditje të fortë Perandorisë Osmane bash në agun e pavarësisë së Shqipërisë më 1912-n.
Përdorimi skrupuloz i literaturës, për të qenë sa më i saktë në çdo hap të studimit, i jep hapësirë pamjeje të qartë lexuesit, duke u mbështetur në më shumë burime për të kuptuar kontekstin historik. I tillë është edhe pasazhi mbi mbylljen e shkollave shqipe në Kosovë nën shtetin jugosllav. “Autoritetet e reja (jugosllave) mbyllën shkollat e pakta shqipe që gjetën në Kosovë, hapur gjatë pushtimit austro-hungarez. Ata mbyllën rreth 50 shkolla shqipe me 4000 nxënës.” (Noel Malcolm. “Kosovo. A short History” në Baze. M. Republika e Parë – Historia politike e Kosovës 1989 –1999, f. 30.)
Baze, duke respektuar përmasën interesante të antropologjisë kulturore që ka të bëjë edhe me homologjinë strukturore, ose me saktë: me faktin që pas çdo veprimi konkret qëndron një përmasë kulturore e ideologjike e caktuar, e fut bukur në studim pjesën ku përfshihen shkaqet kulturore të persekutimit ndaj shqiptarëve. Si çdo regjim, edhe ai jugosllav, duhet të japë “zgjidhje” kulturore e morale marrëzisë së vet.
Për këtë arsye lindin edhe tezat fashiste serbe që nga Cubroloviçi e deri tek Ivo Andrici, mbi spastrimin etnik të shqiptarëve. Këto të dhëna e bëjnë lexuesin të kuptojë se çka do të ndodhë më vonë në Kosovë. Po aq i kujdesshëm është edhe një shpjegim që jep autori mbi periudhën italo-fashiste, e cila, paradoksalisht, i jep një shpresë iluzive shqiptarëve për t’u shkëputur nga fashizmi serb (Po aty, f. 36).
Përimtueshëm paraqitet koha kur vendoset regjimi komunist në Jugosllavi e për rrjedhojë edhe në Kosovë, e cila mbetet nën këtë shtet, edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Në atë rrëmujë e dhunë që pason mbarimin e luftës, në Kuvendin e Prizrenit të 10 korrikut 1945, miratohet rezoluta për aneksimin e Kosovës brenda federatës jugosllave, duke injoruar 33 delegatët shqiptarë të pranishëm. Çdo faqe i jep lexuesit mundësinë që në lexim e sipër të jetë i qartë për të gjitha ndodhitë dhe pret kapitujt vijues me kureshtje e siguri se çka është lexuar deri në atë moment përbën një siguri analitike për vijueshmërinë e studimit.
Siç e përmenda më sipër, hopi tejet interesant dëshmohet nga natyra akademike e studimit, në fakt një element të vlefshëm kam gjetur edhe për studimin tim, që tashmë është drejt përmbylljes, mbi impaktin e Lëvizjes Mbarëbotërore të 1968-s në Shqipëri e Ballkan. Baze vë në dukje se viti 1968 përbën një kthesë për sa u përket të drejtave të shqiptarëve të Kosovës, pasi pikërisht në atë vit fillojnë bisedimet për ndryshimin e Kushtetutës së Jugosllavisë e në vitin vijues miratohet edhe ligji kushtetues për Kosovën. Besoj se protestat studentore në Prishtinë, të ndjekura edhe nga ato në Beograd dhe në Zagreb, kanë qenë një shtysë e fortë për kthesën në rrugën e të drejtave të shqiptarëve. Gjuha shqipe u sanksionua me ligj si gjuhë e dytë zyrtare (Po aty, f. 45).
Themelimi i LDK-së në dhjetor të vitit 1989, përbën ndodhinë bosht për rrjedhën e studimit, pasi të gjitha ngjarjet e përshkruara në libër lidhen, direkt ose tërthorazi, me veprimtarinë e LDK-së. Autori shpjegon se lindja e kësaj partie nuk u bë në një ditë, por ishte tharmuar tashmë që në pranverën e ‘89-s, kur Serbia hoqi autonominë e fituar në vitin 1974. LDK-ja u bë si një busull orientuese jo vetëm për organizatat e ndryshme sindikaliste apo shkollat, por edhe për çdo qytetar shqiptar që jetonte në Kosovë apo jashtë. Pa asnjë mëdyshje kjo ngjarje e themelimit është kohëndarëse me historinë moderne të Kosovës.
Si çdo ngjarje e madhe ka edhe ajo protagonistët e saj, admirimin, mëritë, smirën, e sidomos elementët tribalë, që Baze i vë në dukje me një mprehtësi befasuese të një antropologu që i ka ndjekur ngjarjet nga afër (field work). Ai njihet nga afër e takon në Shqipëri, dhe në vende të ndryshme të Europës, protagonistët kryesorë të LDK-së e grupimeve të tjera politike kosovare dhe pyet mbi çdo detaj të ecurisë së ngjarjeve në Kosovë. Pa këtë përvojë, studimi nuk do t’ia kishte arritur qëllimit, ndaj e ripohoj se të gjitha elementet shkencore të veprës e kanë burimin qoftë te literatura e dëshmitë, qoftë te puna në terren e autorit.
Aq i madh ishte impakti politik, social e kulturor i LDK-së saqë në fund të vitit 1990, Lidhja Komuniste Krahinore mbeti me vetëm anëtarë serbë e malazezë, ndërkohë që LDK-ja po shkonte drejt një shifre të jashtëzakonshme për një vend me 2 milionë banorë: 700 mijë anëtarë. Themelimin e LDK-së në kontekstin e një Jugosllavie që po shembet, Baze e përshkruan mjaft bukur në këtë pasazh: “Jugosllavia e vitit 1990 i ngjan një pikture të vjetër, që nëse tenton ta restaurosh, të mbetet në dorë si një leckë” (Po aty, f. 109).
Është bash kjo situatë e mbushur me urrejtjen serbe, që ndërlikon çdo veprimtari të LDK-së drejt lirisë. Në këtë frymë amullie e rreziku të vazhdueshëm për dhunë, besoj se ka qenë një fat i madh për shqiptarët qenia në krye të LDK-së e një personaliteti si Ibrahim Rugova. Duket paradoksale, por është pikërisht ai që me idetë e tij krijon një model teorik demokracie ad hoc, që duhet ndjekur në të gjitha republikat e Jugosllavisë.
Ironia e historisë dëshmoi se Sllovenia dhe Kroacia e ndoqën këtë model dhe e shndërruan në realitet, ndërkohë që ideatori i një Jugosllavie demokratike e përjetoi i fundit me popullin e tij demokracinë. Vetëm kokëfortësia e tij për zgjedhjen e rrugës absolute paqësore arriti të tërheqë vëmendjen e SHBA-së dhe fuqive të tjera perëndimore, që tashmë i kishin përjetuar me mjaft kokëçarje politike dy luftërat në ish-Jugosllavi.
Duke qenë e vetëdijshme se pa protokoll e pa kushtetutë nuk ka shtet, klasa drejtuese e LDK-së mbështet shpalljen e Kushtetutës në Kaçanik më 7 shtator 1990. Ky dokument i hapi rrugë Deklaratës së 2 korrikut, që e shpallte Kosovën Republikë. Janë këto ngjarje që u krijojnë hapësirë të gjitha përpjekjeve, sakrificave dhe luftërave për liri të shqiptarëve deri më 12 qershor të 1999-s.
Çdo pretendim mbi peshën specifike sipërore të ndonjë grupimi të caktuar politik, apo ushtarak, në lirinë e Kosovës duhet t’i bëjë llogaritë patjetër me gjithë ecurinë historike të ngjarjeve, sepse Kosova nuk u çlirua vetëm në disa muaj luftë, por janë me qindra jetë të humbura e të dhunuara përgjatë gjithë historisë dramatike të Kosovës nën Jugosllavi, që kanë kontribuuar për lirinë.
Pjesë xixëlluese e librit janë kapitujt që paraqesin marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë qysh prej kohës kur Kosova mbeti nën Jugosllavi, e sidomos kur fillojnë ngjarjet e fundviteve ‘80. Duket gati e pabesueshme se si shqiptarët e Kosovës e njohin më mirë e më në detaje Shqipërinë, sesa shqiptarët e Shqipërisë njohin Kosovën.
Jo vetëm qytetarët, por edhe në nivele diplomatike të Shqipërisë ka një mangësi e një mosnjohje të pashpjegueshme të realitetit kompleks në Kosovë. Por, fatmirësisht, kjo mosnjohje, deri diku reciproke, nuk e prek shpirtin unifikues të ndjesisë kombëtare dhe është e para Shqipëria që më 23 tetor të 1991-shit, me gjithë brishtësinë e saj politike e institucionale asokohe, njeh Republikën e Kosovës si shtet sovran e të pavarur. Ishte pikërisht kjo ndjesi e të qenët një komb që na njeh me disa veprime, të cilat janë të paimagjinueshme për kohën: “Qeveria e Kosovës ka ndihmuar Qeverinë e Shqipërisë me financime në disa raste përmbytjesh dhe pas trazirave të vitit 1997” (Po aty, f. 184). Pra, përtej mosnjohjes reale fizike, faktike politike, ka një përmasë që i tejkalon të gjitha dhe shqiptarët ndihen një komb dhe Kosova ndihmon në një moment që ka një qeveri në azil dhe në ndjekje nga forcat e sigurimit të Serbisë.
Përballë një situate dhune ku punonte LDK-ja dhe guximi i saj për të organizuar dy palë zgjedhje në kulmin e terrorit serb, dalin nga elita shqiptare ide absurde e ndoshta edhe smirë e zili politike. R. Qosja, në vend që të mbështesë me përulësi arritjet e LDK-së nën terrorin serb, arrin deri aty sa zgjedhjet e majit të 1992-shit i quan jo të lira dhe jo demokratike (Po aty, f. 221).
Ka një ngjashmëri të dukshme me absurditetet e me urrejtjen mes shoqi-shoqit në të dyja anët e kufirit, por ajo që e dallon urrejtjen e smirën e keqe nga ajo e zakonshmja, besoj, qëndron në faktin se këto personazhe nuk e kanë për gjë, që për hir të vogëlsisë së tyre të mos pyesin as për fatet e kombit. Shembujt janë të shumtë. Mjafton të shohim deklaratat e PD-së kundër firmosjes së deklaratës nga delegacioni kosovar gjatë punimeve të Konferencës së Rambujesë, ku çdo shqiptar e kishte zemrën e mendjen tek ai takim (Po aty, f. 637).
Rugova, me personalitetin e tij dhe me totemin e tij mbi paqen si kusht epror, nuk krijon urrejtje e zili vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Është kryetari i PD-së në Shqipëri ai që e shikon Rugovën si politikan që i “bën hije” dhe për këtë arsye mundohet me çdo kusht t’i krijojë probleme në Kosovë dhe në hapësirën ndërkombëtare. Kosova është një “letër lakmuesi” interesante për të kuptuar se sa realisht e kanë dashur lirinë e Kosovës politikanët shqiptarë.
Historia e përshkruar në libër dëshmon me detaje se Berisha e ka përdorur Kosovën vetëm për interesat e veta politike dhe, madje, kur ka pasur mundësi të paktën të mos bëjë keq (kontrabanda e naftës në ndihmë të regjimit të Millosheviç-it), e ka bërë të keqen me vetëdije tronditëse. Jo vetëm, qëndrimi kundër firmosjes së Deklaratës së Rambujesë dëshmon se ai dhe disa politikanë afër tij nuk e kanë pasur kurrë të formësuar në ndërgjegjen politike konceptin e lirisë dhe demokracisë autentike. Madje, rruga e paqes e ndjekur nga Rugova i ka çoroditur ideologjikisht, pasi ata, dhe shumë si ata, mendonin se vetëm dhuna i zgjidh problemet politike.
Me dëshmi konkrete, Baze hedh mjaft dyshime edhe mbi veprimtarinë e kryeministrit Nano kundrejt Kosovës (Po aty, f. 562). Po në dallim nga dashakeqësia e vetëdijshme e Berishës ndaj Kosovës, Nano duket se i bën gjërat me një mendjelehtësi fëmijërore. Nuk arrin në orar në takime themelore mbi çështjen e Kosovës, bën deklarata që nuk i kupton as ai vetë, nisur nga mania e protagonizmit, krijon ngërçe artificiale me Ministrinë e Jashtme në momente kyçe si ai i Rambujesë.
Koha vërtetoi se ishte PS-ja (aq e paragjykuar nga politikanët kosovarë!) që ka dhënë kontributin më të madh nga ana e politikës shqiptare në çështjen e Kosovës. PD-ja ka krijuar vetëm probleme dhe ka nxitur dhunë, kur e ka pasur të mundur, por në historinë e saj pushtetare (1992 – 1997) dhe opozitare më vonë, ajo nuk ka asnjë kontribut të vetëm thelbësor në çështjen e Kosovës. Dëshmia më reale e këtij fakti qëndron edhe në mospërfilljen e plotë të Rugovës kundrejt Berishës. Nuhatja politike e Rugovës dhe botëkuptimi i tij ideologjik e shpirtëror, mbështetur mbi paqen, nuk kishte asgjë për të bashkëndarë me nxitësit e dhunës qoftë nga Shqipëria, qoftë nga Kosova.
Në libër nuk mungojnë as dozat e humorit që shfaqen bukur krahas dramaticitetit të historisë së Kosovës. Ndër më interesantet janë ngatërresat e ndonjë diplomati shqiptar që e ngatërron Tetovën, duke e parë si vatër të veprimtarisë së Rugovës dhe si qytet të rëndësishëm të Kosovës!!! Po aq humor paraqesin vizitat e autorit “si i Shqipnisë” menjëherë pas luftës në fshatrat e Kosovës dhe sidomos një episod, ku një fermer kosovar e pickojnë “bletët serbe” që i kishte lënë një fermer serb në ikje!
Lëvdatat e merituara për këtë studim themeltar të historisë moderne të Kosovës i shkojnë autorit Mero Baze.
Një vërejtje per recensen e zotit Nikolla kur thote: "PD-ja ka krijuar vetëm probleme dhe ka nxitur dhunë, kur e ka pasur të mundur, por në historinë e saj pushtetare (1992 – 1997) dhe opozitare më vonë, ajo nuk ka asnjë kontribut të vetëm thelbësor në çështjen e Kosovës." ishte qeveria shqiptare e kohës mbështetje e "çështjes kosovare " në arenën ndërkombëtare.. në çdo takim e mbledhje me qeveritë e huaja.. duke sqaruar partneret e jo vetëm ata per Kosovën... duke arritur deri atje qe te kërkoj PAVARESINË...e saj.. e deri dhe Bashkimin... ..........Kini inat folni hakun.... ka mëkate të pafundme Saliu merruni me to, duke mos injoruar të të tjereve......
O Cufo e paske harruar pa dashje me qellim kerkesen e Sales dhe enukut te tij Besnikut te partise Mustafait,qe Kosova duhet te jete krahine autonome nen serbine,kush frmos rambujene eshte tradhetar i ceshtejes shqiptare thoshte kryetradhetari e antishqiptari me i madh i ketij kombi historikisht,pa folkur per naften e miloshevicit dhe revoltat e pd-s ne shqiperi sa here kishte ngjarje te rendesishme ne Kosove etj etj etj
Prenge ...!! ....kam thënë: "...ishte qeveria shqiptare e kohës mbështetje e "çështjes kosovare " në arenën ndërkombëtare.. në çdo takim e mbledhje me qeveritë e huaja.. duke sqaruar partneret e jo vetëm ata per Kosovën... duke arritur deri atje qe te kërkoj PAVARESINË...e saj.. e deri dhe Bashkimin..." ...me këtë rast Urimet më të mira për 2023 dhe mos harro se për atdhetarët Kosova është Shqipëri
Shumë personaliteteve në Shqipëri, përveçse që i kanë munguar njohuritë elementare për shqiptarët matanë kufirit, kanë qenë poashtu të painformuar me raportet e Kosovës me Republikat dhe popujt e tjerë jugosllavë. Ndoshta, vetëm Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe një grusht sigurimsash e kanë njohur gjendjen më mirë. Prej këtyre politikanëve të mëvonshëm s'ka pasë të tillë. Ata më shumë kanë pasur paragjykime dhe stereotipe. Mero Baze bën pjesë nga të paktët që ka arritur të informohet mjaftë detajisht por nuk e kam lexuar ende librin e tij. Megjithate ky libër është një kontribut i madh i Mero Baze-s për këtë çështje!