Namir Lapardha dhe kriza morale e një partie: kur zemërimi politik mbulon respektin për jetën dhe vdekjen

22 Mars 2026, 16:50Blog TEMA
Namir Lapardha dhe kriza morale e një partie: kur zemërimi politik

Nga Fitim Zekthi


Vdekja është hak dhe do të vijë për të gjithë. E ka krijuar Zoti i madh me madhështinë e vet dhe lum ai që ikën nga kjo botë duke bërë gjëra të mira dhe duke fituar kënaqësinë e Zotit. Askush nuk ka nevojë që ta ngushëllojnë partitë apo politikanët. Ngushëllimi i partive dhe i politikanëve është diçka formale që bëhet nga vetë partitë dhe politikanët për të treguar se çfarë vlerash mbrojnë, çfarë janë ato në thelb. PD ka humbur prej kohësh drejtimin, ka vite, nuk dihet sa kohë ka. PD nuk di të vlerësojë as jetën dhe as vdekjen më. PD është kthyer në një parti që jeton vetëm në rrafshin dy dimensional.

Ikja nga bota e përkohshme e Namir Lapardhasë, e një njeriu të rrallë, e një embleme të butësisë dhe virtytit, e një embleme të qartësisë intelektuale dhe politike, e një njeriu që ka qenë familjarisht në PD që nga themelimi, e një njeriu që ka qenë anëtar i Këshillit Kombëtar dhe sekretar i degës së PD në Berat, e një figure shembullore publike e PD-së, duhet ta prekte sadopak lidershipin e PD-së, duhet ta bënte të shprehte një vlerësim dhe respekt për të. Mendimet e tij ndryshe nga lidershipi i PD-së bënë që PD dhe lidershipi të udhëhiqen nga zemërimi dhe gati urrejtja. PD dhe lidershipi i saj reagojnë dhe flasin për gjithçka, ngushëllojnë edhe amerikanët për humbjet e jetëve në një shkollë në Kolorado (dhe mirë bëjnë) dhe mbyten nga mllefi duke heshtur për Namirin. Sigurisht që as Namiri dhe askush në faqen e dheut nuk ka nevojë për çfarë thonë partitë, sidomos kur shkojnë në jetën e amshuar. Partitë kanë nevojë.

Nëse PD ndonjë ditë do të dojë të fitojë dhe të mundë PS, duhet të kuptojë që për të djathtën, për konservatorët, të shenjtat nuk janë partia dhe pushteti politik. E shenjta lidhet me mësimet e Zotit, me vlerat morale dhe ligjësitë që burojnë prej saj. Për të djathtën politika është diçka që duhet zhvilluar brenda këtyre kufizimeve dhe duhet të ndjekë domosdoshmërisht rregulla dhe moral që vijnë nga këto mësime. Për të djathtën e vërteta e vetme nuk është politika apo partia, madje politika dhe partia janë shumë të gabueshme. Për të djathtën udhëheqja nga zemërimi, sharja, fyerja, akuzat, linçimet, janë mëkate të dënueshme. Për të djathtët i vdekuri, komshiu, miku, babai, nëna, familja, nderi, respekti janë gjëra që kanë shenjtëri shumë më të lartë se sa politika dhe partia.

Këto nuk janë mësime morale kot që nuk kanë lidhje me politikën. Kjo është politika. Në qendër të veprimit të së djathtës konservatore gjendet civiliteti, nga aty buron gjithçka. Për të djathtën civiliteti, mirësjellja, maturia sjellin tre pasoja themelore në politikën e mirë, në atë që bëhet për njerëzit dhe shoqërinë. Civiliteti bën të mundur kohezionin civil, kohezionin shoqëror dhe ky kohezion i mbledh, i bën bashkë njerëzit rreth vlerave morale të cilat mundësojnë paqen sociale dhe vlerat morale me të cilat jetohet dhe rriten fëmijët. Kur civiliteti zhduket, atëherë jeta kthehet në një fushë beteje, konflikti merr dhenë, familjet dhe komuniteti nisin të përjetojnë thyerje të mëdha dhe çarje të rënda.

Së dyti, civiliteti, sjellja e matur, gjuha e kujdesshme, komunikimi me etikë dhe fisnikëri është shprehje e respektit për qeniet e tjera njerëzore. Kur ne sillemi në këtë mënyrë, ne tregojmë se jemi krijesa të Zotit i cili kërkon respekt për dinjitetin e çdo krijese të Tij. Respekti për çdo krijesë të Tij dhe për dinjitetin e tyre është detyrë. Mosrespekti është mosrespekt ndaj Zotit dhe njëherazi tregon se ne nuk pranojmë as të respektohemi vetë.

Dhe së treti, civiliteti, sjellja e mirë dhe gjuha e matur na ndihmojnë të zbulojmë të vërteta që mund të jenë tek dikush tjetër, që mund të jenë tek ana tjetër apo tek ata që kanë një mendim ndryshe nga ne. Kurrë e vërteta nuk mund të jetë diçka që e zotëron një njeri i vetëm.

6 Komente

  1. I
    Ilirjan

    Zemerimi nuk eshte politik por provincial, fisnor klanor katundaresk, ashtu sic ne thelb ka mbetur PD e saliut e nokes. Refuzojne cdo shenje emancipimi, qytetarie, edhe pse Shqiperia u ka dhene mundesi e shkollim. Nuk behet muti lakror thone ne Korce, nuk behet shteti e politika me katundare.

    Përgjigjjuni
    1. N
      Na myten

      Nuk eshte e moralshme edhe ta perdoresh nje vdekje per ate te djathten juaj përjashtuese dhe jo përfshirëse per shkak te sfondit fetar madje ideologjik islam. Nuk ka per te ngjitur ajo e djathte ne Shqiperi. Lexoni historine.

      Përgjigjjuni
      1. M
        Mesuesi

        Berishizmi , pervecese eshte bere mbeshtetje dhe garanci per pushtetin terkuze te E. Rames , eshte kthyer edhe ne nje gjyryk aciditeti qe s'po Le vlere humane e religjioze pa ndotur e pa shkaterruar , o Z. Fitim ! Namiri ishte ashtu sic thua ti . Nje djale model , sepse besonte ne Zot .... S. Berisha , nje egersire komuniste , I ndjekur prapa nga funderrina , Po komuniste , pa din dhe pa Iman , eshte armik I ketyre vlerave te shenjta .

        Përgjigjjuni
        1. Z
          Zoti shikon.

          Bravo te madhe zoti Fitim por kujt ja thua tamam sic e kane shkruar dhe komentuesit mbas jush. Nje force politike e shperbere me nje plak qe lufton sot ne kohen moderrne me forma meskine. Me ca bashibozuke lufton cdo te ri me mendim ndryshe. Lapardhaja ishte nje prej tyre qe me prejardhjen e tij i persekutuar, duhet te ishte ne postet drejtuese pse jo dhe ne krye te kesaj force qe po e mbyt nje plak. Ky qendrim tregon ligesine e nje njeriu dhe grupit qe e ndjekin per ti poshtruar njerezit qe nuk mendojne si plaku.

          Përgjigjjuni
          1. S
            SOKRATI

            Inati, mëria, hakmarrja, sharjet, mburrjet, krenaria janë sjellje tipike të njeriut provincial, intolerant, të pacivilizuar dhe nga këta idiotë, nëse kanë në dorë pushteti dhe para, mos prit njerëzillëk, as mirësi, as ngushëllim! Këta idiotë gëzohen, hedhin valle, fërkojnë duartë, kur një shok, një i afërm i tyre, një bashkëpunëtor, i cili ka kritikuar me të drejtë, që punët të shkojnë më mirë, ndërsa kur ai ndrron jetë, si në rastin e Namir Lapardhaja, nam mirë, një armatë e tërë politiqenësh heshtin dhe nuk janë të zotë të thonë një fjalë të vetme ngushëllimi! Nga sjelljet e vogla, zbulohen të vërteta të mëdha! Si mund të votohen këta njerëz pa shpirt?! Si mund tu besohet këtyre larove jeta e një populli të tërë?! Kurrën e kurrës! Le të lehin si qenë rrugësh! Ata janë "gjallë", por kanë vdekur! Në botë ka shumë njerëz të vdekur të gjallë... Ngushëllime edhe një herë për Namir Lapardhanë! Qoftë i lehtë dheu dhe shpirti i tij u prehtë na paqe e Zotit!

            Përgjigjjuni
            1. D
              Dursakja

              Tashmë në radhët e njërëzve të urtë e të mënçur, që kishin shumë për t'i dhënë shoqërisë shqiptare u shua një yll. Largimi i tij është një humbje e madhe për shoqërinë shqiptare I përjetshëm kujtimi i tij!

              Përgjigjjuni

              Lini një Përgjigje